Pendarovski i do, Mickovski nuk i do votat e shqiptarëve!

Hamdi Nuhiju

Zyrtarisht ka nisur gara për zgjedhjet presidenciale në Republikën e Maqedonisë Veriore. Kandidatët për president kanë mbledhur nënshkrimet dhe kanë nisur që t`i ndezin motorët për të kërkuar votat e qytetarëve! Brenda kësaj periudhe kanë ndodhur edhe shumë gjëra tjera të rëndësishme të cilat nxisin kërshërinë e opinionit publik, ajo është shqiptimi i dënimit me burg prej tre vjetësh për liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi, si dhe dënimit me shtatë vite burg të Feta Alimi. Ajo që ra në sy të opinionit ishte pjesëmarrja e liderit të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela në emisionin “Oksigjen” të Besim Dinës ku Sela përmend një paqe me Menduh Thaçin ku premton publikisht se nuk do të votoje për heqjen e imunitetit prej deputeti të Menduh Thaçit, ndërsa nuk thotë as edhe dy germa për Feta Alimin, shpëtimtarin e Zijadin Selës. Në emisionin e Besim Dinës ka edhe një rubrikë për t`ia falur dhe kërkuar falje dikujt, të cilën Zijadin Sela nuk e shfrytëzoi për Feta Alimin dhe familjen e tij që gjenden në një situatë tejet të rëndë emocionale dhe shpirtërore.

Kandidatja e VMRO-DPMNE-së për zgjedhjet presidenciale ka nisur që të takohet me qytetarët, po ashtu edhe kandidati i LSDM-së dhe 31 partive që e përkrahin atë është duke marr pjesë nëpër shumë takime publike. Ajo që është e turbullt dhe e panjohur për opinionin, është kampanja e Blerim Rekës e përkrahur nga Zijadin Sela dhe Bilall Kasami. Përveç thirrjes së Besim Dinës në emision për të votuar kandidatin shqiptar, Sela as që ia përmendi emrin atij dhe partnerit të tij Bilall Kasami. Madje i bënë ftesë publike Besim Dinës që të anëtarësohet në Aleancën për Shqiptarët. Në këtë mënyrë i dhanë mesazh indirekt edhe Bilall Kasamit dhe aktivistëve të tij që të shkrihen në Aleancën për Shqiptarët.

Në paraqitjet e tij publike, kandidati i LSDM-së për president, Stevo Pendarovski disa herë e ka përmendur atë se nuk dua që të zgjidhem president i Republikës së Maqedonisë Veriore nëse nuk do të kisha përkrahjen e shqiptarëve. Ai premton se do të jetë president mbipartiak që do t`i përfaqësoje interesat e të gjitha nacionaliteteve duke mos diskriminuar askënd. Gjatë kampanjës së Pendarovskit dhe i pyetur nga mediet në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kryeministri i Republikës së Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev ka deklaruar se vendi do të shkoje në zgjedhje të parakohshme parlamentare vetëm nëse zgjedhjet presidenciale i humb Stevo Pendarovski.

Gordana Siljanovska Davidkova, kandidatja e VMRO-DPMNE-së për presidente shteti si duket u la nën hijen e deklaratave antishqiptare të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. Ai i habiti të gjithë me deklaratën e tij të fundit kur haptas i ftoi të gjithë qytetarët e Maqedonisë, maqedonasit, romët, turqit, boshnjakët, vllahët, serbët, duke mos përmendur askund shqiptarët, për përkrahje. Mickovskit si duket nuk i duhen votat e shqiptarëve dhe ai në këtë mënyrë po e vazhdon politikën e ish kryeministrit të Maqedonisë, tashmë azilantit në Hungari, Nikolla Gruevski.

Përndryshe në korniza të kampanjës presidenciale edhe shumë lojtar të rëndësishëm të VMRO-DPMNE-së iu shqiptuan dënime me burg, si ajo për ish ministrin e punëve të brendshme, Mitko Cavkov, 18 vite burg dhe të tjerët me radhë. Opinioni maqedonas u trondit nga lajmet e këtilla, ndërsa në rrjetet sociale nuk munguan memet të cilat nxjerrën pjesën humoristike të këtyre ngjarjeve. Në disa prej memeve që patëm rastin ti lexojmë, ishte edhe një e tillë ku VMRO-DPMNE-së i propozohej që të hapin edhe një degë në burgun e Shutkës. Një tjetër meme interesante ishte edhe ajo me fotografinë e liderit të VMRO-DPMNE-së ku shkruante se nuk keni burgje të mjaftueshme në Maqedoni sa ne kemi hajna për t`i mbushur ato.

VMRO-DPMNE-ja mori edhe një goditje nga Federata Ruse e cila e pranoi ndryshimin kushtetues të Maqedonisë duke e njohur Maqedoninë si Republika e Maqedonisë Veriore./ Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne