Pentagon: Kriza e vizave nuk ndikon në operacionet e ushtrisë amerikane në Turqi

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagon), koloneli Robert Mening (Robert Manning) deklaroi se kriza mes Turqisë dhe ShBA-së pas pezullimit reciprok të vizave nuk ndikon operacionet e ushtrisë amerikane në Turqi.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, koloneli Mening iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve gjatë konferencës për shtyp të organizuar në Pentagon.

Duke e bërë të ditur se Departamenti amerikan i Shtetit ka informacione më të hollësishme në lidhje me çështjen e pezullimit reciprok të vizave mes Turqisë dhe ShBA-së, koloneli Mening tha: “Turqia është një partnere e fortë e koalicionit dhe aleatja jonë e ngushtë në NATO. Mund të konfirmoj se këto zhvillime nuk ndikojnë në operacionet dhe personelin tonë që ndodhet atje”.

Mening fjalën e tij e vijoi kështu: “Elementet e Forcave Ajrore Turke të dislokuara në Inxhirlik (İncirlik) vazhdojnë me kryerjen e rolit të rëndësishëm të tyre në kuadër të NATO-s dhe koalicionit ndërkombëtar. Operacionet tona kundër DAESH-it, që zhvillohen nga Inxhirliku dhe bazat tjera vazhdojnë në koordinim të ngushtë dhe përkrahjen e plotë të aleatëve tanë turq. Operacionet tona të përbashkëta dhe të ndara do të vazhdojnë në koordinim të ngushtë”.

Në kuadër të hetimeve në lidhje me organizatën e armatosur terroriste FETO, është ndaluar dhe arrestuar shtetasi turk, Metin Topuz, punonjës i Konsullatës së Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Stamboll për lidhjen e tij me disa ish-punonjës të policisë dhe gjyqësorit ndaj të cilëve është ngritur padia, ndërsa nga zyra për hetimet të terrorizmit dhe krimit të organizuar të kryeprokurorisë së Stambollit akuzohet për “tentativë për eliminimin e rendit kushtetues”, “spiunazh” dhe “tentativë për eliminimin e Qeverisë së Republikës së Turqisë”.

Pas kësaj Departamenti amerikan i Shtetit reagoi ashpër në lidhje me çështjen. Ndërkaq Ministria e Jashtme e Turqisë ka thënë se “Personi në fjalë, i ndaluar më 25 shtator 2017 për krime në lidhje me terrorin dhe i arrestuar më pas, nuk është i regjistruar në listën e personelit të konsullatës amerikane dhe nuk ka ndonjë imunitet diplomatik apo konsullor”.

Pas deklaratës së ShBA-së e bërë pas këtij zhvillimi se janë pezulluar shërbimet e dhënies së vizave jo-migratore në të gjitha misionet diplomatike amerikane në Turqi edhe ambasada e Turqisë në Uashington deklaroi se “Është pezulluar shërbimi i lëshimit të vizave për qytetarët amerikanë në të gjitha misionet diplomatike turke në ShBA”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne