Për 90 minuta në Presidencë, përfundon takimi Rama-Meta

Ka përfunduar takimi i kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta në Presidencë. Takimi i tyre ka zgjatur për rreth 90 minuta.

Nuk dihet ende se çfarë është diskutuar mes të dyve dhe si do të zgjidhet ngërçi për t’i dhënë vendit një ministër të ri të Brendshëm.

Takimi u zhvillua me kërkesë të vetë kreut të qeverisë. Takimi dypalësh vjen pas vendimit të kreut të Shtetit për të mos dekretuar propozimin e Ramës, Sandër Lleshi si zëvendësues i Fatmir Xhafajt

Ditën e djeshme kryeministri Rama iu është drejtuar me një mesazh edhe deputetëve, të cilëve iu kërkon të mos lëshojnë asnjë koment për vullnetin e treguar nga kreu i shtetit.

Mes tjerash, Rama shkruajti se shumica e ka për detyrë t’i dalë për zot  kushtetutës dhe qytetarëve, ndërsa politikën e cilëson si një lojë shahu, e cila nuk duhet harruar sipas Ramës.

“Lutem asnje lloj komenti askush per vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyren t’i dalim Zot njerezve, vendit, Kushtetutes me maturi dhe vendosmeri. Politika eshte shah, mos e harroni”, thuhej në mesazhin e Kryeministrit drejtuar deputetëve.

Refuzimi i dekretimit

Zyra e shtypit njoftoi dje se presidenti Meta nuk e ka krijuar bindjen per te dekretuar Lleshin si minister te ri.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”, thuhej ne njoftimin e shkurtër të Presidencës.

Një javë më parë, pikërisht të shtunën më 27 tetor, Rama njoftoi se kishte emëruar pas dorëheqjes së Fatmir Xhafaj, gjeneral Sandër Lleshin në postin e ministrit të brendshëm. Pak orë pas dorëheqjes, Meta dekretoi shkarkimin e Xhafajt, por jo edhe emërimin e Sandër Lleshit.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne