Për gratë, që dashurojnë dijen

Vetëm duke i edukuar gratë, do shërohen plagët në shoqërinë shqiptare. Qyshkur nënat lanë dijen dhe u mbyllën, mirësia u shtrembërua, kurse bota u bë gri prej dhimbjes. Qytetarët e denjë dalin prej gjoksit të një gruaje që e ka tejkalu botën e vogël për të notuar në detin e naltë, të Dijes dhe dashnisë.

Shkruan: Fjolla SPANCA, Mitrovicë

Sa herë rrekem me kuptu madhninë e gruas, përpiqem mos me e ngatërru atë me imazhin e burrit. Ndoshta fjalët janë vocërrake kur turren me i vizatu dallgët e begatuara, që dalin prej kraharorit të një gruaje. Asaj qenies së brishtë dhe të fortë; të lehtë e të rëndë; të pakursyer në mëshirë dhe të kulluar në dëshirë; asaj që s’mund të këqyret vetëm si lulishte e njerëzimit. Ani që, nëpërmjet kraharorit të saj shpëtohet njeriu nga egërsia. Koha që fluturon dhe merr para gjithë ç’duket në horizont, qyshkur ka nxjerrë në pah shembuj të mrekullueshëm të grave fisnike; grave të forta; të ditura e të urta. Pra, bota është rrethuar prej të Mirës Sublime dhe sfidës së yshtur nga padija e smira.

Sami Frashëri dikur shkruante se po të mos ishte ndikimi natyror i grave, nuk do të zhdukej gjendja barbare dhe e egër e burrave, e ka mundësi, që meshkujt gjithherë do jetonin të prirë për të këqija. Ndërkohë Frashëri nuk e mohonte “togun” e të metave të veçanta të grave, për të cilat thoshte që më tepër rrjedhin nga forca e ndjenjave të tyre, ndaj sipas tij nuk mund të pohohet që nga natyra gratë janë më poshtë se burrat. Pra, ani që historia ka kallzuar se gratë kanë qenë edhe burim ngatërresash e korrupsionesh, prej burrave kundrejt gruas janë bërë sa e sa barbarizma, dhunime e vepra çnjerëzore. Ndaj, Samiu nuk gjykonte e as fajsonte gratë për shkak të disa zonjave të zvetënuara që nuk kanë munguar t’u japin shkas dredhive, bile ai vazhdimisht nënvizonte veçanërisht faktin se gratë kanë mbetur krejt mbrapa burrave në dituri e arsim. Ky shqetësim pak herë e ka shkundur botën, kur dihet se përparimi i shoqërisë njerëzore varet nga edukimi dhe dija e grave.

Shtyllat elektrike, muret e larta dhe lumi pa urë

Gati çdo shtëpi që nuk e përthekon “qendra e qytetit” të paktën një herë në ca kohë është helmuar prej ekonomisë së dobët. Pastaj, mu këto familje përfshi dhe sheherlinjtë, janë bezdisur prej pranisë së ca djemve të paedukatë që hera-herës ndalojnë vajzat teksa shkojnë a kthehen prej shkollës. Rrugët e pandriçuara dhe lumenjtë pa ura e pamundësojnë qarkullimin, duke e kthyer atë, madje, në sfidë serioze për plot qytetarë.

Të lodhura prej halleve e të shtrënguara nga sikletet ekonomike të vazhdueshme, vajzat në të katër anët e vendit e braktisin shkollën për “t’u ngujuar” në shtëpi. Shumë prej tyre presin transferimin në familjen e burrit, ku do të pastrojnë, gatuajnë dhe shërbejnë çaj e kafe, tërë ditën. Për këto gra jeta çel dhe vyshket brenda mureve, fjalëve pa dobi, mërzisë dhe depresionit. Ama, me qenë me pak fat, vajzat martohen “jashtë”. Me e nxjerrë bijën “në Perëndim” është goxha lehtësim për familjet shqiptare. Detajet e tjera nuk kanë rëndësi. Mjafton “mos me hjek keq”.

Por, nuk mbaron me kaq. Mes nesh jetojnë vajza që në peshoren e prindërve dalin pa vlerë kundrejt djemve. Atyre u mohohet e drejta e shkollimit, sepse është vllai ai që mundet dhe di me ja dal ma mirë në jetë. Ose, prindërit besojnë se prej djalit do mbahen në pleqni, kurse vajza ik!

Sidoqoftë, ngado që rrotullohemi, para sysh takojmë sy të pa shpresë që ky vend i ka helmu me trishtim.

Me diplomë, ndezim zjarrin në dimër

Për ditë e lexoj mllefin e grave kundrejt qeverive që e mbysin shpresën për jetë më të lehtë. Mu kjo mërzi e ka rëndu ajrin prej motesh. Vajzat nuk detyrohen më veç me e braktis shkollën ose me u martu. Ato, pasi diplomohen, mbyllen sërish në shtëpi ose punojnë në dyqane lagjesh, sepse vendet e punës janë të rezervuara për shoqet e tyre që kanë mjaftueshëm lidhje me pushtetin lokal/qendror. Vendet e punës janë të zaptuara prej burrave që kërkojnë “shpërblime” për nënshkrimin e tyre. Vendet e lira janë të uzurpuara nga partitë politike, prandaj gratë (dhe burrat) e afta dhe të përgatitura mbeten nën hije.

Gratë që e kanë mohuar botën për ta njohur gruan brenda vetës po ndrydhen prej paaftësisë tonë për t’i vlerësuar, pranuar dhe ndihmuar në përpjekjen e tyre për ta ndërru këtë sistem, që e ka tëhuajsu njeriun normal.

Me u rritë aty ku të nalet rrita’

Ne shpesh harrojmë se gratë lindin e rriten në familje me probleme ekonomike, sociale, kulturore e politike. Ato shtypen herët prej kushtëzimeve. Madje, bashkëjetojnë me kultin e “supremacisë mashkullore”, kult ky i dalun nga ca “norma” që rrjedhin prej zakoneve prapanike. Pra, ndër shqiptarë e më gjerë, vajzat nuk favorizohen sa djemtë, madje shtypen dhe nënvlerësohen, kur bie fjala tek intelekti.

Rrjedhimisht, pa u hapërdarë në habi a çudi duhet me e pranu se këto vajza, vite më vonë, kur gëzojnë statusin e nënës, jo rrallë herë përsërisin gabimet e prindërve të tyre. Ato injektojnë tek djemtë, pushtetin e munguar, egon e fjetur dhe vetëvlerësimin e mohuar. Shpejt, djemtë e nënave të shtypura, të rritur me lavde e fjalë të mëdha, ushtrojnë dhunë ndaj motrave, shoqeve ose bashkëshorteve të tyre.

Atëherë, me ose pa vetëdije, ne po i falim botës fëmijë të padobishëm, të cilët janë të paaftë për t’i kryer shërbimet kulturore, sepse e kanë mohuar dritën e gjysmës së njerëzimit, vlerën dhe bukurinë e punës së një gruaje. Ne i kemi lënë të heshtura gratë që janë dhuntisur me aftësi të jashtëzakonshme. Ato, të mbyllura, dobësohen nga trupi dhe sëmurën prej brengave. Pra, ne, shoqëria e fotografisë dhe internetit; shoqëria e udhëtimeve dhe ahengut, i kemi kyç dyert e shkollave kaherë, për t’i çelë penxheret e paditurisë.

Me i dal’ para të keqes

Për t’u dalë para të këqijave, gratë duhet me u shkollu. Duhet me u eduku dhe duhet të merren me ndonjë profesion ose punë. Gratë nuk duhet të mjaftohen vetëm me dijen për të shkruar a lexuar. Edukimi i tyre është kusht thelbësor për një shoqëri të qytetëruar.

Sot, kur e brendshmja ka humbur, njerëzit ekspozojnë të jashtmen boshe dhe bajate. Përtej debateve shterpe, ne po jetojmë kohën e njeriut që ka nevojë për njeriun e ditur, të butë e zemërgjerë; jo për të paditurin. Në kohë të turbulluara si këto tonat, gratë që zbardhin netët në kërkim të dijes s’janë shumë, por janë! Janë mes nesh! Ato nuk kanë nevojë me ju dëftu se ç’duhet me vesh; si duhet me ecë; ku duhet me shku! Ato e dinë amanetin e dhënë, se e kanë jetu atë momentin që e sjell dashnija për të Mirën! Gratë që marrin për me dhënë, janë shpresa e ditëve të bardha. Ato janë krah i fortë për burrat (si bashkudhëtare në jetë) dhe forcë e madhe për gratë që kanë akoma udhë për të kalu tek dija!/ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne