Për herë të parë që nga viti 2015 një ministër izraelit hyn me forcë në Xhaminë Aksa

Ministri izraelit i Bujqësisë Uri Ariel të dielën hyri me forcë në Xhaminë Aksa në Jeruzalemin Lindor, hera e parë që prej vitit 2015 që një zyrtar izraelit ndërmerr këtë veprim.

Javën e kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu hoqi një ndalim tre-vjeçar ndaj zyrtarëve qeveritarë dhe anëtarëve të Knessetit që të vizitonin vendin e shenjtë.

Sipas dëshmitarëve okularë, Arieli drejtonte një grup kolonësh hebrenj për në oborrin e Xhamisë Aksa nën masa të ashpra sigurie.

Në vizitën e tij Ariel bëri thirrje që vendi i shenjtë të mbahej i hapur për lutjet hebraike gjatë gjithë vitit.

Sipas kanalit izraelit Channel 7, Ariel kishte marrë miratimin paraprak para se të vizitonte kompleksin e Xhamisë Aksa, në përputhje me udhëzimet, ku anëtarët e Knessetit duhet të paraqisnin një kërkesë 24 orë para se të kryenin vizitën.

Sipas mediave izraelite, Netanyahu i kishte lejuar anëtarët e Knessetit të vizitonin kompleksin një herë në tre muaj.

Në tetor të vitit 2015, Netanjahu i ndaloi anëtarët që të hynin në kompleksin e Xhamisë Aksa në një përpjekje për të qetësuar dhunën që shpërtheu në të gjithë Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli, si pasojë e sulmeve të përsëritura të kolonëve hebrenj në vendin e shenjtë.

Për myslimanët, Xhamia Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë në botë. Çifutët, nga ana e tyre, i referohen zonës si “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se në kohët e lashta aty ishte vendi i dy tempujve hebrenj.

Disa grupe ekstremiste hebrenjsh kanë bërë thirrje për shkatërrimin e Xhamisë Aksa, në mënyrë që të dërtohet një tempull hebre.

Në shtator të vitit 2000, një vizitë e politikanit izraelit Ariel Sharon në vendin e shenjtë, shkaktoi atë që më vonë u bë e njohur si “Intifada e dytë”, një kryengritje popullore palestineze në të cilën u vranë mijëra palestinezë.

Izraeli e pushtoi Jeruzalemin Lindor në të cilin gjendet Xhamia Aksa gjatë luftës së vitit 1967. Më vonë, në vitin 1980 e aneksoi të gjithë qytetin, duke e quajtur atë në mënyrë te njëanshme si kryeqytetin e shtetit të vetëshpallur hebre. /yenisafak/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne