Për kapitalizmin dhe luftën pambarim. NATO si një “qeveri botërore”?

nga Christopher Black.

Më 14 shtator, gjatë një fjalimi të adresuar për organizatën amerikane The Heritage Foundation të ekstremit të djathtë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e përshkroi NATO-n si një qeveri botërore e përgatitur për një luftë pambarim. Ai deklaroi se NATO që nga viti 1949 është “garantuese e paqes dhe është stabilitet për Evropën”, ku në të vërtetë ajo vetëm se ka arritur të sjellë luftëra dhe katastrofa, për kunder të vetmit garantues të vërtetë të paqes dhe stabilitetit në Evropë që deri në vitin 1991 ishte Ushtria e Kuqe, tërheqja e së cilës lejoi që makineria luftarake e NATO-s të lëvizte drejt kufijve të Rusisë.

Për Stoltenbergun, pakti i Varshavës nuk ka ekzistuar. Sidoqoftë ajo ishte e nevojshme kundër kërcënimeve të vazhdueshme të NATO-s kundër Evropës Lindore dhe Bashkimit Sovjetik. Pa Paktin e Varshavës, pa Ushtrinë e Kuqe, amerikanët me ushtritë e tyre do të ishin shtrirë në të gjithë Evropën kohë më parë, duke sjelle të njëjtën gjendje mjeruese që sollen për vendet e tjera. Në botën e z. Stoltenberg madje edhe Kombet e Bashkuara nuk figurojnë. Për atë mund të mos ekzistojë as Levizja e vendeve të paangazhuara (The Non-Aligned Movement) e cila gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm në përpjekjen për të vendosur parimet e mos-ndërhyrjes, të sovranitetit kombëtar, respektimin për sistemet e ndryshme sociale, ekonomike dhe respektimin e parimeve ligjore ndërkombëtare.

Mbështetja për lëvizjet çlirimtare kombëtare nga Bashkimi Sovjetik që arriti me sukses të çlirojë popujt e botës së tretë nga kolonializmi ishte një nga përparimet më të rëndësishme të demokracisë në historinë botërore. Megjithatë, sipas z. Stoltenberg ky çlirim i popujve nga kolonializmi ishte “agresion i Bashkimit Sovjetik”, ndërsa NATO është “një aleancë që kërkon një klimë ndërkombëtare të qëndrueshme me bazë rregullash ku të gjitha kombet mund të përparojnë”, kur në fakt nënkuptohet që vetëm vendet e NATO-s të përparojnë në prosperitet.

Ai e pranoi këtë, kur deklaroi se NATO ka ndihmuar në “përhapjen e vlerave demokratike, përhapjen e lirisë dhe stabilitetit” për miliona njerëz në pjesën lindore të Europës, ku në në fakt NATO ka zëvendësuar demokracinë socialiste me demokracinë kapitaliste, demokracinë e njerëzve që punojnë me demokracinë e kapitalit. Ndërsa në vende të tilla si Ukraina, Iraku, Afganistani, Siria, Irani, Venezuela, Nikaragua dhe vende të shumta në Afrikë ajo ka vepruar për të shtypur demokracitë vendase që kundërshtojnë interesat e NATO-s.

Për të çuar përpara “sipërmarrjen e lirë”, që siguron lirinë e plotë të lëvizjes së kapitalit të shteteve të NATO-s kundër dëshirave të popujve të botës, ai u mburr me krenari për armët bërthamore dhe gatishmërinë për t’i përdorur ato dhe pranoi se njëzetë e tetë bazat amerikane në Evropë janë “jo vetëm për Evropën, por ato i mundësojnë SHBA-së të projektojë fuqinë ushtarake në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikë”. Me gëzim ai e vuri theksin tek Komanda Amerikane e Afrikës, të cilën dikush e etiketon me termin nazist të Wehrmachtit gjerman si Korpuset Afrikanë. Qendra e saj nuk ndodhet në Afrikë por në Shtutgart, Gjermani. Flota e 6-të e SHBA-së që patrullon nga deti Barents deri në Antarktidë e ka qendrën në Napoli, ndërsa trupat e saj të plagosur gjatë shkaktimit të masakrave në Irak, Siri dhe Afganistan trajtohen në Ramstein të Gjermanisë.

Ai pastaj përsëriti pretendimin e SHBA-së dhe NATO-s se pushtimi i Afganistanit ishte një veprim për mbrojtjen kolektive sipas nenit 5 të Traktatit të NATO-s në një kohë që Afganistani nuk kishte të bënte fare me incidentin në Nju Jork. Veprimi i NATO-s ishte në shkelje të nenit 1 që kërkonte që kompetencat e NATO-s t’i përmbaheshin Kartës së OKB-së, e cila ndalonte veprimet ushtarake kundër një kombi, nëse nuk miratohej nga Këshilli i Sigurimit.

Ai pohoi se NATO-ja ka rënë dakord që të rrisë shpenzimet ushtarake dhe se po “lëviz në drejtimin e duhur” si dhe përgëzoi Donald Trumpin për udhëheqjen e tij. Në përgjigje të një pyetje ai deklaroi se SHBA dhe aleatët e saj synojnë qe ta mbajne te pushtuar Afganistanin përgjithmonë. Ai deklaroi: “Ne duhet të kujtojmë se arsyeja që ne jemi sot në Afganistan është të parandalojmë Afganistanin që të mos bëhet përsëri një strehë e sigurt për terroristët ndërkombëtarë”.

Kjo sigurisht që është një gënjeshtër e dyfishtë pasi Afganistani kurrë nuk ka qenë bazë për sulmet e terroristëve ndaj ndonjë vendi të NATO-s. Përkundër kësaj ai u përdorur nga SHBA-ja për të nisur sulme terroriste ndaj forcave sovjetike dhe qeverisë afgane në vitet 80, gjë që çoi në ngritjen e talebanëve. Eshtë forca e NATO-s ajo që ka terrorizuar popullin afgan për 17 vjet e cila vazhdon ende ta mbajë të pushtuar vendin me synim kontrrollin e Azisë qendrore, një goditje pas shpine për trupat e Rusisë, Iranit dhe Kinës.

Shteteve të botës iu drejtua me kërcënim në Asamblenë e Përgjithshme shefi i NATO-s, Presidenti Trump, duke mbajtur refrenin e George Bushit “ju jeni me ne ose kundër nesh”. Mund ta imagjinojmë atë duke u kthyer serish në zyrën e tij i kënaqur me veten duke imituar Charli Chaplinin si tek roli i Hitlerit që rrotullonte globin e botës sikur me qenë një lodër.

Në mbështetje të pretendimit amerikan për të sunduar botën, buxheti i mbrojtjes së SHBA-së i vitit 2019 u rrit në lartësi të reja veçanërisht për armët bërthamore, në të njëjtën kohë kur vazhdon të kryejë krime kundër njerëzimit duke dërrmuar ekonominë e Koresë së Veriut për ta detyruar atë komb të vogël por krenar që ta lërë veten të pambrojtur ndaj sulmeve amerikane duke braktisur armët e tij bërthamore, duke mos thënë asgjë për armët bërthamore izraelite ose për okupimin Izraelit të Palestinës apo sulmet e saj të vazhdueshme ndaj Sirisë në emër të përkrahësit të vet, SHBA-së.

Buxheti i Mbrojtjes i SHBA-së prej 1.3 trilion dollarë të trondit me sasinë e parave që harxhohen pasi që mund të shpenzohen për gjëra më të mira për qytetarët e SHBA-së. Në pasqyrimin që i bëhet situatës thuhet: “Sot, Shtetet e Bashkuara po dalin nga një periudhë strategjike e dëmtuar në të cilën përparësia ushtarake konkurruese e Departamentit ka qenë duke rënë. Shtetet e Bashkuara po përballen me një çrregullim global të shtuar, të karakterizuar nga rënia e rendit botëror bazuar në rregulla, duke krijuar një mjedis të sigurisë me komplekse dhe me paqëndrueshmëri, gjendje të cilën Shtetet e Bashkuara e kanë përjetuar në kujtesën e fundit. Konkurrenca kryesore e pushtetit dhe jo terrorizmi, është tani shqetësimi kryesor për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

“Kostot e moszbatimit të kësaj strategjie janë të qarta. Mos përmbushja e objektivave të Departamentit Amerikan te Mbrojtjes do të rezultojë në zvogëlimin e ndikimit global të SHBA-së, duke ulur kohezionin mes aleatëve dhe partnerëve si dhe uljen e aksesit në tregje që kontribuon në një rënie në prosperitetin e SHBA-së dhe standardin e jetesës”.

Gënjeshtra e parë në këtë deklaratë është se përparësia ushtarake amerikane po ulet. Ndoshta mund të thuhet se në aspektin e përparimeve teknike ajo mund ta lerë prapa Rusinë dhe ndoshta edhe Kinën, ndërsa në aspektin e numrit të ushtareve, materialeve, bazave, anijeve luftarake, avionëve, nëndetëseve dhe armëve bërthamore, ajo ka qenë vetëm se një kërcënim për paqen botërore.

Gënjeshtra e dytë është se SHBA përballet me një çrregullim global të shtuar, sikur ajo nuk ka të bëjë fare me të, duke e ditur fare mire se çrregullimi global me të cilin përballemi sot është plotësisht për shkak të pushtimeve të saj të Afganistanit, Irakut, Sirisë, përmbysjes së qeverisë së Ukrainës dhe mbështetjes së nazistëve atje, përpjekjet e saj për të përmbysur qeveritë e Venezuelës, Nikaraguas, Hondurasit, Jemenit, mbështetjes së pushtimit gjeorgjian të Osetisë, mbështetjes së çeçenëve që sulmonin forcat e sigurisë të Rusisë, mbështetjen e të ashtuquajturve “revolucione” të ngjyrave në Afrikën veriore, shkatërrimin e Libisë, Jugosllavisë, agresionin e vazhdueshëm kundër Rusisë, Koresë së Veriut dhe Kinës duke përdorur mjete ushtarake, ekonomike dhe propagandistike, mbështetja e saj ndaj grushtit të shtetit kundër qeverisë së Turqisë dhe madje edhe marrëdhënia shqetësuese e saj me aleatin e saj besnik, Kanadanë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s e trajtojnë me mospërfillje të drejtën ndërkombëtare, përdorin propagandë intensive duke u bërë lavazh truri popujve të vet për të mbështetur kriminalitetin e tyre duke i trembur ata me “luftën kundër terrorizmit”, ndërkohë që venë në pikëpyetje liritë njerëzore. Ligji nuk do të thotë asgjë për psikopatët që qeverisin këto vende pasi slogani i tyre është “paqe me anë të forcës” ose e thënë me një term tjetër më të sjellshëm, “paqe me anë të luftës”.

Por ata po zbulojnë qëllimin e tyre të vërtetë të linjës që ata i frikësohen, “rënies së aksesit në tregje që do të kontribuonte në një rënie të prosperitetit në SHBA dhe në standardin e jetesës”. Me fjalë të tjera, kapitalistët amerikanë kanë frikë nga humbjet e fitimimeve dhe rënies së standardit të tyre të jetesës. Ata nuk mund të kujdesen më shumë për rënien e vazhdueshme të standardeve të jetesës si pasojë e masave të shkaktuara nga shpenzimet e tyre ushtarake për të mbështetur standardet e jetesës së të pasurve.

Por, ashtu sikurse SHBA-ja provokoi luftë me Japoninë në vitin 1941 me bllokadën e saj të naftës që e pengonte Japoninë nga aksesi i energjisë, SHBA-ja tani po sinjalizon se po mendon një bllokadë detare kundër Rusisë, në këtë rast për ta parandaluar atë nga biznesi i saj energjetik. Ministri i Brendshëm Amerikan, Ryan Zinke, deklaroi më 28 shtator në lidhje me Rusinë se, “Shtetet e Bashkuara e kanë aftësinë që me flotën e saj detare të sigurojë që rrugët detare të jenë të hapura dhe nëse do jetë e nevojshme edhe ti bllokojë … për të siguruar që energjia e tyre të mos dalë në treg”.

Deklarata ka pak sens në kuptimin e saj pasi që shumica e eksporteve energjetike të Rusisë kryhen nëpërmjet tubacioneve në Evropë dhe Kinë dhe jo nga deti dhe kështu një bllokadë detare duket të jetë një kërcënim i zbrazët, madje edhe absurd. Megjithatë, tani Rusia po dergon prej impiantit Yamal LNG në Oqeanin Arktik në Siberi drejt Kinës, Indisë dhe Venezuelës madje edhe drejt verilindjes së SHBA-së, gaz natyror të lëngshëm me shumicë, permes rrugëve detare. SHBA synon të izolojë futjen e mëtejshme të Kinës dhe Indisë drejt tregjeve dhe dëshiron të parandalojë eksportet e gazit në Venezuelë dhe sigurisht që është e pakënaqur që gazi rus të shfaqet në tregun amerikan për të përmbushur kërkesat që prodhuesit amerikanë nuk mund ti kënaqin. Pra, kërcënimi me bllokadë është real, dhe nëse tentohet do të konsiderohej një akt lufte, ashtu sic do të konsideroheshin akt lufte kërcënimet për bllokimin e eksporteve të naftës iraniane.

Pra, edhe njëherë bota është në prag të luftës mbi ndarjen e burimeve dhe tregjeve, një luftë që ka vazhduar prej shekujsh, ndërsa ne populli vuajnë pasojat. Dhe e gjitha është thjesht për përfitim. Fitim për ata dhe mjerim për ne, ndërkohë që përgatiten për veprimin e radhës në atë që duket një luftë e tyre pambarim./globalresearch/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne