Për një përkthim të gabuar të Facebook, arrestohet palestinezi

Policia izraelite ka arrestuar një palestinez i cili në rrjetin social Facebook postoi fjalën “mirëmëngjesi”, të cilën rrjeti social e ka përkthyer gabimisht si “sulmoi ata”.

Sipas mediave vendase, një palestinez i cili punon në një zonë ndërtimi në vendbanimin ilegal hebre Beitar Ilit në Bregun Perëndimor të okupuar, ka shpërndarë në rrjetin social një fotografi nga vendi i punës. Nën fotografinë e shkrepur para një buldozeri, ai ka shkruar në gjuhën arabe “mirëmëngjesi”.

Policia izraelite ka analizuar postimin, ndërsa për shkak të mosnjohjes së gjuhës arabe, ka përdorur përkthimin automatik të Facebook-ut, i cili shprehjen e postuar e ka përkthyer si “sulmoi ata” në gjuhën angleze dhe “plagosi ata” në gjuhën hebraike.
Pas kësaj, policia ka arrestuar të riun palestinez dhe e ka dërguar në stacion policor, kurse pasi është konstatuar se bëhet fjalë për përkthim të gabuar, palestinezi është liruar.

Nga ana tjetër, veprimi i policisë izraelite duke përdorur përkthimin automatik të Facebook-ut është bërë temë kritikash në shtypin vendas.

Portali “Times of Israel” ka shkruar se një zyrtar në zyrën e zëdhënësit të policisë izraelite e ka konfirmuar rastin, duke thënë se i riu është arrestuar nën dyshimin për “provokim” dhe i njëjti është liruar pasi është kuptuar situata.

Ndryshe, policia izraelite zhvillon fushatë arrestimi për palestinezët për shkak të postimeve të tyre në rrjetet sociale. Policia ka krijuar njësi speciale për ndjekjen e postimeve të palestinezëve në rrjetet sociale, duke arrestuar shumë palestinezë për shkak të postimeve të tyre.

Kryetari i Këshillit të Lartë Islam Palestinez dhe ish-Myftiu i Jerusalemit, Ekrima Sabri, në një hutbe të xhumasë në vitin 2014 në Xhaminë Al Aksa, ka theksuar se policia izraelite burgos palestinezët për shkak të postimeve në Facebook, duke bërë thirrje “të tregohet kujdes që Izraelit të mos i jepet një mundësi e tillë”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne