Për realizëm në historiografi e kundër glorifikimeve për nevoja të çastit

Pas rënies së komunizmit u bënë ca revidime të vogla faktuale, por qasja mbeti njësoj. Madje, kjo nuk ndodhi as në dritën e zbulimit të shumë fakteve të fshehura, që dolën në dritë me botimin e memoareve dhe librave të tjerë të shumë autorëve, siç ishin ato të Syrja bej Vlorës, Dom Ndoc Nikajt, Ismail-Qemal bej Vlorës, Eqrem bej Vlorës, Sejfi Vllamasit, Mehdi Frashërit, Mit’hat Frashërit, Mustafa Krujës, Hasan Prishtinës, Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës, Ago Agajt, At Zef Pllumit, etj

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Çdo popull e ka historinë e vet. Por, nëse një popull nuk e njeh historinë e vet, është e barabartë me atë sikur mos ta ketë fare atë. Më keq se një popull pa histori, i ka punët vetëm ai popull që brezave ua mëson historinë e rrejshme. Fatkeqësisht, shqiptarët bëjnë pjesë në këtë kategori. Nxënësit e studentët tanë vazhdojnë të mësojnë histori të rrejshme. Kjo është një fatkeqësi e madhe.

Kur shkova për herë të parë në Tiranë më 1991, më mori në shtëpinë e tij deputeteti i atëhershëm i Partisë Demokratike, Ridvan Peshkëpia. Biseda me babanë e tij, Nexhatin, më është ngulitur thellë në mendje. E pyeta Nexhatin për numrin e shqiptarëve që ka vrarë komunizmi në Shqipëri. Më tha: “Afër 10.000, po thellësia e tragjedisë nuk qëndron tek ky numër, sepse mund të ndodhte një termet a vullkan ose luftë dhe t’i përpinte kaq viktima. Tragjedia qëndron në atë se këta 10.000 veta nuk kanë qenë të rastësishëm, por pjesa më elitare e kombit. Po as këtu nuk përfundon e keqja, sepse këta elitarë, në mos të vdisnin atëherë kur u ekzekutuan, do të vdisnin pas 10, 20, 30, 50 a 70 viteve. E keqja e madhe është se u vranë idetë e tyre. Vrasja e ideve më të larta patriotike ishte vrasje e kombit. Dhe këtu, i dashur mik, është vrarë kombi shqiptar përfundoi”, Nexhat Peshkëpia. “Po sikur t’i ringjallim idetë, e ringjallim kombin”, iu përgjigja. “Po, por kjo është punë e vështirë dhe kërkon sakrificë e heroizëm”, – tha Nexhati. “Është një lindje e kombit për së dyti.”

Që nga ajo natë unë iu rreka kësaj pune. Duke zbuluar heronjtë që iu ishin vrarë idetë, unë zbulova madhështinë e kombit shqiptar, por betejën nuk e fitova përfundimisht akoma përgjatë këtyre 27 viteve. Ajo çfarë ndodhi gjatë këtyre viteve ishte se ranë mitet e partizanëve dhe disa prej figurave meritore iu hoq pluhuri i harresës. Por, edhe më tej figurat nga tradita që i ka glorifikuar Enver Hoxha dhe shërbëtorët e tij ngelën akoma në piedestal karshi figurave edhe më të mëdha, por që i luftoi Enver Hoxha. Ta zëmë, Gjergj Fishta tashmë është në librat e leximit, ndonjë rrugë tek e tuk e mbanë emrin e tij, por ai mësohet vetëm në dimensionin e poetit e jo edhe të një mendimtari të madh, drejtuesit të një shkolle të mendimit shqiptar. Mirëpo, edhe më tej, shkrimtarë minorë karshi Gjergj Fishtës zënë hapësirë më të madhe në librat e leximit sesa Gjergj Fishta. Shkrimtarë të vonshëm të përkëdhelur nga Enver Hoxha ose Fadil Hoxha zënë akoma vend në librat e leximit, ndërsa mungon autori i romanit të parë në Kosovë, Adem Demaçi.

Kazerma ushtarake në Mitrovicë e mban emrin e Isa Boletinit dhe kjo është meritore, por është teprim i madh që edhe universiteti publik i Mitrovicës e mban emrin Isa Boletini. Më e arsyeshme e më meritore do të ishte që Universiteti i Mitrovicës ta mbante emrin e ministrit të parë të Arsimit Shqiptar, Rexhep Mitrovicës, ose doktorit të parë të matematikës të të gjitha trevave shqiptare Prof. Dr. Ejup Hamitit.

Tani librat e Branko Merxhanit, Vangjel Koçës, Nebil Çikës, Mehdi Frashërit, Xhafer Devës, Ago Agajt, Krist Malokut, Syrja Vlorës, Eqrem Vlorës etj. mund t’i gjesh nëpër biblioteka e librari, por vështirë se gjen ndonjë emër rruge, sheshi a bulevardi.

Emrin e kryeministrit të parë të Shqipërisë e gjen në çdo qytet të Kosovës e Shqipërisë, por pothuaj askund nuk e gjen ashtu siç në fakt quhej IsmailQemal Vlora. Pothuaj se çdo kund, që nga rruga buzë Kryeministrisë në Tiranë e deri te rruga e shkolla fillore në Mitrovicë, figuron Ismail Qemali ashtu si e quante Enver Hoxha kryeministrin e parë shqiptar, duke ia përdorur njërën pjesë të emrit për mbiemër.

Në fakt, kur ra komunizmi të gjitha vendet ish-komuniste hoqën dorë nga historiografia komuniste dhe vazhduan aty ku e kishin lënë historiografinë para Luftës së Dytë Botërore. Vetëm shqiptarët nuk e bënë këtë. Përse? Arsyeja qëndron në atë se askund më shumë se tek shqiptarët nuk ishin çrrënjosur vlerat e mirëfillta kombëtare e njerëzore. Çdo parti komuniste në botë proklamonte ateizmin, por askujt tjetër, pos komunistëve shqiptarë, nuk u kishte shkuar në mendje të mbyllnin kisha e xhamia. Pra, vlerat njerëzore e kombëtare u çrrënjosën më shumë se kudo tjetër në botë.

Gjenerata të tëra u brymosën me histori, ku disa figura të mëdha u madhëruan edhe më shumë, disa të tjera u injoruan tërësisht e disa pozitive u mësuan si negative dhe anasjelltas. Kështu, për shembull, është e lehtë ta bindësh Ramush Haradinjan që të ndajë gjysmë milioni euro për 550 e vdekjes së Skënderbeut, por është zor që ta bindësh që t’i japë qoftë edhe 5 mijë euro për kthimin e eshtrave në Kosovë të Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës ose Ymer Prizrenit.

Disa falsifikime të tmerrshme

 Lëvizja komuniste në Drenicë?!!! Lëvizja balliste në Drenicë?!!!

Falsifikimi u bë aq i paskrupullt sa ta zëmë ka njeri që ka doktoruar në Universitetin e Prishtinës me temën “Lëvizja komuniste në Drenicë 1941-1945”. Emrin nuk po ia përmendi për të mos krijuar idenë se po sulmoj individin dhe jo dukurinë. Krejt Drenica e di që në atë kohë s’kishte asnjë komunist në Drenicë dhe, rrjedhimisht, as lëvizje komuniste. Po i njëjti person, pas rënies së komunizmit shkroi librin “Ballit Kombëtar në Drenicë”, duke i konsideruar si ballistë të gjithë nacionalistët shqiptarë të kohës së Luftës së Dytë Botërore. Në gjithë Kosovën në atë kohë kishte vetëm dy anëtarë të Ballit Kombëtar. Ata ishin dy profesorë të gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, kurse në Drenicë s’kishte as edhe një ballist të vetëm. Nacionalistët e Drenicës, si edhe ata të gjithë Kosovës, ishin përkrahës të qeverisë kuislinge me seli në Tiranë deri më 1943 dhe më 1943/44 ishin përkrahës të Lidhjes së Dytë të Prizrenit në krye me Rexhep Mitrovicën (1887-1967) e Xhafer Devën (1904-1978), ndërsa më 1945/46 përkrahës të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare dhe përkrahës të kryengritjes së Shaban Polluzhës në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht këtu nuk po i llogarisë për nacionalistë një grup komunistësh të mbledhur rreth Fadil Hoxhës (1916-2000), të cilët edhe ashtu kishin rol minor derisa u krye Lufta e Dytë Botërore. Ky shembull eklatant tregon se në çfarë mënyrë bizare është shkruar historia e jonë.

Vargu i falsifikimeve me te cilat edhe sot e kësaj dite furnizohen nxënësit e studentët në Kosovë e Shqipëri është tejet i gjatë dhe prekë çdo pore të historisë sonë. Disa nga këto falsifikime janë dalë në shesh pas rënies së komunizmit siç është rasti i shlyerjes së nënshkrimeve të Rexhep Mitrovicës (1887-1967), Mit’hatFrashërit (1880-1949) e të tjerëve nga dokumenti i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por shumica e falsifikimeve ende kanë ngelur.

Falsifikimi prek edhe vet Ismail-Qemail bej Vloren (1844-1919). Meqë Enver Hoxha e kishte shkatërruar gjithë familjen Vlora, si edhe të gjitha familjet tjera patriotike në mbarë Shqipërinë, atëherë kryeministrit të parë të Shqipërisë iu hoq mbiemri Vlora dhe titulli bej. Pjesa e dytë e emrit Ismail-Qemail iu bë mbiemër dhe kështu Ismail-Qemail bej Vlora u tjetërsua në Ismail Qemali. Edhe sot e kësaj dite shkollat, rrugët dhe sheshet në Kosovë e Shqipëri mbajnë tabelat ku shënohet Ismail Qemaili e jo Ismail-Qemail bej Vlora.

Ende sot në Shqipëri rrugë dhe shkolla mbajnë emrin e heroit të popullit VasilShanto (1913-1944) “heroizmi” i të cilit ishte vrasja e djalit të Isa Boletinit (1864-1916), nënkolonel Adem Boletinit (___-1943), komandant i xhandarmërisë në Shkodër.

Dr.Krist Maloki (1900-1973) ishte tronditur kur në muzeun e Shkodrës, gjatë vizitës së tij si profesor austriak viteve të ‘60-ta, iu kishte prezantuar dokumenti i “nënshkruar” nga Bajram Curri (1862-1925), ku gjoja ai i kishte dërguar letër “Hazreti” Leninit (1871-1924). Krist Maloku pohon se e kishte njohur personalisht Bajram Currin dhe se Bajram Curri ishte analfabet dhe kurrë nuk kishte vënë nënshkrim. Natyrisht, ky fakt nuk e zvogëlon rolin e Bajram Currit në dërgimin nëpër shkolla të të rinjve shqiptarë nga Kosova.

Vargu i falsifikimeve është i gjatë, por më të dëmshmin na e provon Jusuf Buxhovi. Ky ka të bëjë me qëndrimin “armiqësor” të Anglisë dhe Gjermanisë ndaj çështjes shqiptare në kongresin e Berlinit më 1878. Edhe pse Jusuf Buxhovi me prova të dorës së parë dëshmon se Anglia e Gjermania në Kongresin e Brerlinit kishin ndaj Shqipërisë qëndrim identik me atë çfarë patën këto vende ndaj Kosovës më 1999, prapëseprapë librat tona të historisë, nga ku mësojnë nxënësit e studentët tanë, vjellin vrer kundër Anglisë e Gjermanisë së asaj kohe. A nuk është dëmtim i shtyllës kurrizore të kombit falsifikimi i raporteve të kombit me miqtë më të mirë të tij: Anglinë e Gjermaninë?

Si të shkruhet historia?

Problemi me historinë tek shqiptarët është shumë i rëndë. Historiografia, pas Luftës së Dytë Botërore, u shkrua nga komunistët sipas modelit sovjetik. Edhe në Kosovë u importua kjo lloj historiografie. Pas rënies së komunizmit u bënë ca revidime të vogla faktuale, por qasja mbeti njësoj. Madje, kjo nuk ndodhi as në dritën e zbulimit të shumë fakteve të fshehura, që dolën në dritë me botimin e memoareve dhe librave të tjerë të shumë autorëve, siç ishin ato të Syrja bej Vlorës, Dom Ndoc Nikajt, Ismail-Qemal bej Vlorës, Eqrem bej Vlorës, Sejfi Vllamasit, Mehdi Frashërit, Mit’hat Frashërit, Mustafa Krujës, Hasan Prishtinës, Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës, Ago Agajt, At Zef Pllumit, etj.

Disa nga faktet e shprehura në këto dokumente, e që konfirmojnë njëra-tjetrën dhe që shkencërisht mund të konsiderohet të sakta, nuk gjetën vend në historiografinë zyrtare që mësohet në shkollat tona. Kjo ndodh për shkak se aparati historiografik i tipit sovjetik nuk mund të kapërdijë fakte, që e ndryshojnë tërësisht konstruktin e tij. Nuk futet elefanti në kotecin e pulave.

Disa nga ata shqiptarë që bënë gradat shkencore për histori në Perëndim, nuk mjaftuan që të krijojnë një qasje të re, përkatësisht një historiografi të re. Arsyeja është se formimi i tyre parësor është bërë në shkollat e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe studimet universitare ose pasuniversitare në Perëndim i kanë bërë për një periudhë specifike të historisë e janë mjaftuar me këtë. Ata kanë problem t’ i promovojnë rezultatet e tyre specifike në atdhe, e lerë më për një qasje më të gjerë. Duke qenë se këta studiues nuk janë të lidhur mes vete, sepse janë pak dhe secili e ka hallin t’i promovojë rezultatet e veta njëherë, ata kanë mbetur në margjina. Situata pritet të ndryshojë kur ndonjëri nga këta të bëhet kryeministër ose ministër arsimi. Kuptohet, këtu nënkuptoj ndonjë nga ata që vërtetë ka marrë shkollë nga Perëndimi e jo vetëm diplomë.

Ç’është e vërteta, Skender Rizaj, me hulumtimin në arkivat osmane, dhe Eqrem Zenelaj e Jusuf Buxhovi, në ato gjermane, kanë bërë prurje të konsiderueshme dokumentuese në historiografinë shqiptare. Këto prurje sikur të merrnin interpretimin meritor, do të mund të bënin përmbysje në këtë historiografi. Por, fatkeqësisht edhe këta historianë nuk kanë dalë nga skema e historiografisë zyrtare e tipit sovjetik. Citimet dhe referencat kryesore të tyre janë nga Historia e Popullit Shqiptar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, çka i zvetënon substancialisht edhe ato pak rezultate të mirëfillta.

Shtrohet pyetja: çfarë historiografie duam me shmangien e historiografisë së tipit sovjetik, që fatkeqësisht akoma e mësojnë nëpër shkolla e universitete në Kosovë e Shqipëri? Duam historiografi me qasje realiste apo me qasje mobilizuese?

Para se komunistët të merrnin pushtetin në Serbi më 1945, historiografinë serbe e kanë përbërë dy qasje: qasja realiste e arkimandritit Ilarijon Ruvarac (1832-1905) dhe qasja mobilizuese e Pantelija Sreçkoviqit (1834-1903), anëtarit të Shoqatës së Serbeve të Mësuar, shoqatë kjo që më vonë do të shndërrohet në Akademinë Serbe të Shkencave e të Arteve. Ilarion Ruvarac dhe pasuesit e tij kanë insistuar që ndërgjegjja kombëtare serbe të krijohet vetëm duke ia treguar popullit të vërtetën shkencore. Sreçkoviqi dhe pasuesit e tij insistonin për një historiografi në shërbim të aspiratave kombëtare serbe, pavarësisht se a përputhet ajo me të vërtetën apo jo. Qasja e Pantelija Sreçkoviqit dhe e pasuesve të tij (historiografia përplot mite e rrena të qëllimshme) ishte dominuese në historiografinë serbe, pasi kjo historiografi ishte ajo çfarë u vendos të mësohet në shkollat dhe universitetet e Serbisë. Por, qasja e Ilarijon Ruvarcit nuk është se u hodh tërësisht. Madje, mund të thuhet se të dyja këto qasje u vunë në përdorim. Derisa historiografia me qasje shkencore ishte në përdorim vetëm për qarqet akademike, ajo me mitologji e rrena ishte e vetmja që u vu në përdorim për masat e gjëra.

Shembulli më tipik është rasti i historianit Vaso Çubrilloviq (1897-1990) në elaboratin e vet “Dëbimi i arnautëve”, që i dedikohej qeverisë së Serbisë. Çubrilloviqi flet se si në kohën e mbretit Millan Obrenoviq, përmes dhunës e terrorit, u morën tokat etnikisht të pastra shqiptare të Toplicës e Kosanicës (1877-1878). Pra, sipas Çubrilloviqit, ato ishin toka shqiptare dhe jo serbe, siç figurojnë në tekstet shkollore të Serbisë në vazhdimësi, qëkur Serbia e fitoi Kushtetutën e parë autonome nën Perandorinë Osmane më 15 shkurt 1835 e deri më sot.

Polemikat mes Ilarijon Ruvarcit dhe Pantelija Sreçkoviqit, si dhe pasuesve të tyre, nuk kishin të bëjnë me atë se si do të zhvillohet historia në qarqe akademike, por si do t’i prezantohet ajo publikut. Sreçkoviqi dhe pasuesit e tij mendonin se kombit i duhen mitet si stimuj dhe frymëzim për progres, kurse Ruvarci mendonte se një komb mund të ndërtohet i shëndoshë vetëm nëse ai ushqehet me të vërtetën historike.

Për cilëndo variant që përcaktohet Kosova dhe/apo Shqipëria, ka nevojë për një historiografi të tipit jo-sovjetik. Historiografia e tipit sovjetik kishte mitet e caktuara, andaj nëse ne përcaktohemi se mitet do të jenë të nevojshme edhe më tutje në komb-ndërtimin tonë, atëherë duhet të heqim disa mite, siç është ai për Luftën Nacional Çlirimtare e shumë të tjerë, dhe duhet të mendojmë se me cilat mite do t’i zëvendësojmë ato që i heqim.

Këtu, për shkak të nivelit të ndryshëm të zhvillimit kombëtar në Kosovë e Shqipëri, lind çështja me cilat mite duhet të ushqehet publiku në Kosovë e me cilat ai në Shqipëri? Ndërkaq, nëse do të vendosim që publikut të brendshëm e të jashtëm t’ia ofrojmë të vërtetën shkencore, atëherë duhet të krijojmë një historiografi pa mite. Kjo nënkupton që të heqim dorë nga miti ilir, nga miti për luftërat e Skënderbeut etj. dhe të gjitha këto t’i reduktojmë në përmasat e të vërtetës historike. A jemi të gatshëm për këtë?/ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne