Përdhoset xhamia shqiptare

Grenchen (Zvicër)- Ditët e fundit, persona të panjohur për të demonstruar kundërshtimin e tyre, kanë sulmuar xhaminë e cila është në ndërtim e sipër në Grenchen. Siç raportohet nga Grenchen Tagblatt, muret dhe dyshemeja janë spërkatur me gjak derri, ndërsa fjala “Shit Islam” është shkruar në pjesën e përparme të ndërtesës.

Këto veprime ekstremistësh nuk janë të vetmet akte të vandalizmit kundër xhamisë e cila është në ndërtim e sipër. Gjashtë vjet më parë në të njejtin vend që u zgjodh për tu ndërtuar xhamia, një derr i ngordhur si dhe katër koka të prera derri u gjendën të groposura në tokë. Veprimi u njoftua me anë të disa letrave anonime, në të cilat thuhej se në atë tokë ishte derdhur 120 litra gjak derri. Autorët pretendonin se ishin duke luftuar islamizimin e mëtejshëm të Zvicrës.

Bashkësia Islame Shqiptare (AIG) i dënoi këto veprime dhe tha: “Sulmet janë tepër shqetësues. Kryesorja është se çfarë do të ndodhë kur xhamia të përfundojë së ndërtuari?. A do të përkeqësohen me tej gjërat? ”

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame Shqiptare, Isa Ismaili dyshon se përgjegjësit e këtyre akteve janë njerëz të cilët nuk kanë kontakte të drejtpërdrejta me muslimanët, por që idetë e tyre i kanë formuar në bazë të paragjykimeve të ndryshme”. Përkundër kësaj, AIG ende nuk ka ofruar shërbim sigurie apo kamera survejimi.

Policia komunale e Grenchenit nuk ka konfirmuar akoma se bëhet fjalë për të njëjtët autorë të ngjarjeve të ndodhura para gjashtë vitësh. Nje gjë është e qartë: “Hedhja e gjakut të derrit në xhami ka të njëjtin qëllim,” tha oficeri i policisë Christian Ambühl. Ai shtoi: “Shumë njerëz kanë frikë se prej xhamisë mund të vijë radikalizmi”. Për këtë arsye do të ishte mirë që AIG të sqaronte dhe ndërgjegjesonte popullsinë më konkretisht. /tio.ch/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne