Përdorimi i terrorizmit sipas John Boltonit

Pasi ia morën përsëri Daesh-it shtetin që i kishin premtuar, disa pjesë të Irakut dhe Sirisë, Shtetet e Bashkuara tani kanë ndërmend që disa prej mercenarëve të tyre ti rikuperojnë për t’i përdorur në një mënyrë tjetër. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Xhon Bolton ka projektuar synime të reja, partnerë të rinj dhe metoda të reja. Megjithëse ky organizim i ri është sekret, ne dimë rreth tij vetëm ato pjesë të planit që tashmë janë zbatuar. Thierry Meyssan e ka studiuar me imtësi këtë botë të dhunës.

nga Thierry Meyssan.

Në vitin 1978, Zbigni Brzezinski, këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Karter, vendosi të përdorte Vëllazërinë Myslimane kundër sovjetikëve dhe dërgoi luftëtarë arabë për të mbështetur opozitën afgane kundër regjimit komunist. Duke iu përgjigjur një thirrjeje për ndihmë të qeverisë afgane, Ushtria e Kuqe u fut në një konflikt të padëshiruar.

Në Afganistan, Vëllazëria Myslimane nuk u armatos nga CIA, e cila nuk ishte në gjendje të merrte autorizimin nga Kongresi për një operacion të kësaj madhësie, por nga Izraeli. Në funksion të suksesit të tyre, arabo-afganët u mobilizuan më vonë në shumë fusha të tjera të operacioneve. Ndër vendet që ndihmuan ne armatosjen e Vëllazërisë, përvec Izraelit dhe Irakut, dorë pati në vitet 1978-82 edhe Republika Arabe e Sirisë. Nga një ngjarje në tjetrën arriti deri aty sa një përfaqësues i Vëllazërisë të përfshihej madje edhe brenda stafit të NATO-s gjatë sulmeve kundër Jugosllavisë në kohën e konfliktit në Kosovë.

Pozita e Vëllazërisë Myslimane si trupë ndihmëse për NATO-n u ndal në fund të presidencës së Klintonit, por bashkëpunimi i Vëllazërisë me CIA-n asnjëherë nuk u ndërpre. Lidhja u rishfaq në mënyrë të qartë me sulmin ndaj Libisë nën presidencën e Obamës, kur u mobilizua pothuajse e gjithë trupa tokësore e Aleancës Atlantike. Një nga përfaqësuesit e tyre u përfshi edhe brenda Këshillit të Sigurimit Kombëtar të SHBA-së. Më vonë, gjatë luftës në Siri, komanda e NATO-s e vendosur në Izmir kryente koordinimet me trupat xhihadiste.

Meqënëse administrata Trump kundërshton në parim përdorimin e grupeve terroriste nga ana e ushtrisë amerikane, në Shtëpinë e Bardhë vjen momenti për të ripërcaktuar rolin e Vëllazërisë Myslimane.

Megjithëse ne akoma nuk e dimë strategjinë e re të hartuar nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton, disa elementë na mundësojnë të mendojmë për formën e saj të përgjithshme.

Daeshi

Në fillim të vitit 2018, Forcat Speciale të Shteteve të Bashkuara të vendosura në mënyrë të paligjshme në Siri shpërndanë jashtë vendit mijëra luftëtarë të Daesh-it. Në Maj 2018, gjenerali Yahya Rahim Safavi, këshilltar ushtarak i Ayatollah Khameneit, akuzoi SHBA-në për organizimin e transferimit të luftëtarëve të Daesh-it në Afganistan.

Aktualisht, rreth 7,000 prej tyre gjenden në tokën afgane. Përkundër pozicionit të tyre të kaluar, ata i kundërshtojnë dhe nuk i mbështesin talebanët, të cilët aktualisht janë kundër të gjitha pranive të huaja.

Sipas Muhammed Youssuf Ahmedit, zëdhënësit të Emirateve Islamike të Afganistanit (me fjalë të tjera Talebanët) thuhet: “Pushtuesit amerikanë dhe shërbëtorët e tyre, mbrëmjen e kaluar kryen një sulm [12 Janar 2019] kundër një kampi muxhahidinësh ku mbaheshin të burgosur anëtarë të Daesh-it, zona e Pani Busit në rajonin Jwand të provincës Badghis. Forcat e përbashkëta martirizuan dy roje dhe u larguan duke marrë me vete 40 të burgosur të lidhur me Daesh-in. Me sa duket pushtuesit amerikanë dhe shërbëtorët e tyre nga administrata e Kabulit e filluan këtë sulm me qëllim që të ndihmonin të burgosurit e Daesh-it. Sa herë që muxhahedinët e Emiratit Islamik [talebanët] kanë luftuar me Daeshin, pushtuesit amerikanë e kanë ndihmuar Daeshin duke bombarduar pozicionet e muxhahedinëve. Saktësisht e njëjta mënyrë kur Daeshi po shkatërrohej dhe po shkulej nga rrënjët prej muxhahedinëve të Darzabit në rajonin Jowzjan [gushtin e kaluar], pushtuesit amerikanë dhe administrata e Kabulit i ndihmuan 200 anëtarët e Daesh-it me helikopterë”.

Ishte kjo kohë kur Qendra e Luftës së Terrorizmit e Akademisë Ushtarake të West Point botoi një studim historik të divergjencave midis muxhahidinëve gjatë luftës kundër sovjetikëve. Ky dokument vinte në dukje se në vitin 1989, gjatë tërheqjes së Ushtrisë së Kuqe dhe kur Osama Ben Laden ishte kthyer në Arabinë Saudite, disa anëtarë të rinj të Vëllazërisë Myslimane vunë në pikëpyetje qëndrimet fetare të oficerëve të tyre të lartë. Ata ngritën «Shkollën e Xhelalabadit». Kjo shkollë ishte shumë më e rreptë dhe filloi ti akuzonte njerëz të ndryshëm për mungesë devotshmërie dhe i konsideronte jobesimtarë (qafirë). Ky konflikt, sic thonë ata, shpërtheu përsëri në vitin 2014, duke provokuar ndarjen mes Al-Kaedës dhe Daesh-it.

Nuk duhet të na habisë fakti që Vëllazëria Myslimane vazhdoi të mirëpriste jo vetëm talebanët, por të gjitha rezistencat afgane deri në vrasjen e Ahmed Shah Mesudit (ish-anëtar i Vëllazërisë Myslimane) më 9 shtator 2001, dy ditë para sulmeve të Nju Jorkut dhe Pentagonit. Për dy dekada Afganistani u bë baza e trajnimeve për xhihadistët nga e gjithë bota, veçanërisht për luftëtarët e Kaukazit Rus. Sot talebanët janë shumë më të kujdesshëm me zgjedhjen e aleatëve dhe miqve të tyre. Është e vërtetë se sot ata kontrollojnë 60% të territorit. Ata nuk bazohen më në baza teologjike, por në kritere nacionaliste.

Gjatë luftës kundër sovjetikëve, Vëllazëria Myslimane u përfaqësua kryesisht nga ish-Kryeministri Gulbedin Hikmetjar, i cili ishte përfaqësuesi i tyre në vend. Më 22 shtator 2016, me mbështetjen e administratës së Obamës, ai u amnistua nga shteti i ri afgan dhe u hoq gjithashtu edhe nga lista terroriste e OKB-së.

Ardhja e Daesh-it në Afganistan ndodhi në kohën kur administrata Trump kishte tentuar që nga korriku 2018 që të negocionte me talebanët. Kontaktet paraprake u zhvilluan në Katar me ambasadorin Alice Wells, ndihmës i Mike Pompeos për Azinë Qendrore. Bisedimet u drejtuan nga ambasadori Zalmay Khalilzad në shtator dhe tetor, pavarësisht shqetësimit të qeverisë afgane e cila dërgoi një përfaqësues por që nuk u pranua. Khalilzad, i cili i përket etnisë pashtune, kishte luftuar së bashku me talebanët kundër sovjetikëve, para se të merrte nënshtetësinë amerikane. Ai u stërvit me neokonservatizëm dhe u bë ambasador në OKB në vitin 2007, kur Senati kundërshtoi propozimin për John Boltonin.

Ndërtuar nga Izraeli mes viteve 2013 dhe 2015, kampi sekret në Manzë afër Tiranës është baza ushtarake për Muxhahedinët e Popullit të Iranit (MEK) në Shqipëri.

Muxhahedinët e Popullit

Javën e kaluar, liderja e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), Maryam Rajavi, udhëtoi nga Tirana, qyteti në të cilin jeton, për në Kabul për një vizitë zyrtare. Ajo u takua në mënyrë specifike me Hamdullah Mohibin, Presidentin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ish-ambasador në Shtetet e Bashkuara. Brenda pak ditëve asaj do ti duhet të udhëtojë për në Herat, në rajonin Shindand, për të ngritur një bazë ushtarake për organizatën e saj. Sipas gazetës pakistaneze Ummat, Pentagoni ka trajnuar atje në tetor 2012 rreth 2,000 muxhahedinë te MEK-ut.

Pavarësisht ngjashmërisë së tyre të dukshme në emër, nuk ka lidhje mes muxhahedinëve të Vëllazërisë Myslimane të cilët janë arabë dhe sunitë dhe muxhahedinëve të MEK-ut të cilët janë iranianë dhe shija. E vetmja lidhje objektive midis dy grupeve është se ata të dy janë përdorur nga Shtetet e Bashkuara dhe të dy ushtrojnë terrorizmin.

Që nga viti 2013, MEK është transferuar nga Iraku në Shqipëri me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Për ata është ndërtuar nga kompanitë izraelite një qytezë e vogël. Megjithatë më 23 qershor 2014, gjatë një fjalimi të gjatë të dhënë para 80.000 anëtarëve të sektit dhe 600 personaliteteve perëndimore, Maryam Radjavi foli me një kënaqësi të vecantë për arsye se Iraku ishte pushtuar nga Daeshi. Duhet të kujtojmë se kjo fitore ishte organizuar me ndihmën e gjeneralit Ezzat Ibrahim al-Douri, ish krahu i djathtë i Presidentit Sadam Husein dhe si i tillë edhe mbrojtës i dikurshëm i Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).

Lidhjet e John Boltonit me MEK-un datojnë që nga administrata Bush. Ato u përforcuan nga prania e tij në disa tubime të MEK-ut në Villepinte, Francë në vitet 2010 dhe 2017, pas një çmimi prej 40,000 dollarësh. Pasi u bë Këshilltar për Sigurinë Kombëtare, ai sot bashkon xhihadistët e Daesh-it dhe pasuesit besnikë të Merjem Rajavit kundër objektivit të tyre të përbashkët.

Objektivi i menjëhershëm i kësaj aleance terroriste duhet të jetë Irani, me të cilin Afganistani ndan një kufi të gjatë, që është i vështirë për t’u mbrojtur./voltairenet/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne