Ndryshimi kryesor që pritet të ndodhë në 30 vitet e ardhshme e që efektet e para kanë filluar të shihen, është ndërrimi i qendrës kryesore të zhvillimit botërorë apo polarizimi i botës në dy qendra të fuqishme ekonomike, Perëndim dhe Lindje. Me një fjalë bota unipolare, me qendër zhvillimi ekonomik, politik, tekniko-teknologjik, në Perëndim (Evropë plus Amerika) gradualisht por me siguri shndërrohet në multipolare, apo më saktë në bipolare, Lindje-Perëndim.

Rizvan Sulejmani

Që kur ka filluar formimi im intelektual dhe i gjeneratës sime, gjithmonë jemi udhëhequr nga një devizë e rilindësve tanë, “o engjëll i bukur që lind nga perëndon, atë anë e ke ndriçuar e ne pse na harron”, (kuptohet nëse mirë e kam mbajtur mend). Këto rreshta flasin gjithçka. Flasin për  orientimin tonë politik, ekonomik, filozofik por edhe kulturorë e identitarë, bile edhe për atë religjioz. Të edukuar në këtë frymë dhe me këtë filozofi, ku e mira, e bukura, progresi, arti e filozofia janë në Perëndim, kurse prapambetunia dekadenca, injoranca, dhuna, varfëria e barbarizmi janë në Lindje, na ka bërë sot që ndryshimet e mëdha të mos i shohim, të mos i respektojmë, bile as t’i përfillim e analizojmë, e ku më t’i trajtojmë si alternativë që në perspektivë t’i kalkulojmë. Ky shikim bardhë e zi, një formë dogmatike e interpretimit të vlerës morale, filozofike e religjioze, ka bërë që lindjen ta urrejmë me çdo kusht, ta shmangim e të ikim sa më larg prej saj. Andaj, nuk është çudi që sot me këdo që trajton një problem politik, ekonomik, filozofik e religjioz, e veçanërisht nëse do të mundoheni ta veni në korrelacion me pritjet për të ardhmen që vinë nga Lindja, hasni në rezistencë, mospërfillje, bile edhe përbuzje e injorim. Kjo shihet në diskursin politik, intelektual e religjioz që sot paraqitet ndër shqiptarë, bile edhe në kohën kur ikja jonë nga Lindja për në Perëndim ka hasë në rezistencë, stagnim në mos është ndalë tërësisht. Përderisa ne presim Perëndimin, kjo e fundit, Lindja, çdo ditë e më tepër na vjen. Ajo arrin, ne nuk e kuptojmë, nuk jemi të përgatitur dhe si rezultat kemi frustracione, fërkime politike, intelektuale e religjioze. Që sado pak ta shtjelloj konfuzionin tonë, pse jo frustracionin, për atë që ndodhë në ambientin shqiptarë, do të përpiqem që çështjen ta shtroj në një rrafsh gjeopolitik ku për bazë do të marrim disa parametra makroekonomik, në përmasa globale që mendoj se kanë pasoja në këtë që ndodhë apo që na presin të ballafaqohemi.

Një nga kompanitë më të njohura revizore në botë me seli në  Londër, “PwC”,  ka bërë një studim me titull, ”The world in 2050 – Will the shift in global economic power continue?”,  ku ndër të tjera radhitë shtetet me Bruto Prodhim Vendorë (BPV) më të madh në botë, nga viti 2014, pritjet për vitin 2030 deri në vitin 2050. Kuptohet këto janë vetëm parashikime se në ç´drejtim do të lëviz ekonomia botërore, por që në rastin tonë mund të na ndihmojë të kuptojmë se çfarë pasoja mund të ketë për ne shqiptarët dhe për regjionin. Pa u ndalë në analizë më detaje do të japim vetëm disa të dhëna si është dukur bota në vitin 2014 shikuar nga radhitja e 25 vendeve me BPV më të madh në botë, dhe si parashihet të duket në vitin 2050.

Ndryshimi kryesorë që pritet të ndodhë në 30 vitet e ardhshme e që efektet e para kanë filluar të shihen, është ndërrimi i qendrës kryesore të zhvillimit botërorë apo polarizimi i botës në dy qendra të fuqishme ekonomike, Perëndim dhe Lindje. Me një fjalë bota unipolare, me qendër zhvillimi ekonomik, politik, tekniko-teknologjik, në Perëndim (Evropë plus Amerika) gradualisht por me siguri shndërrohet në multipolare, apo më saktë në bipolare, Lindje-Perëndim. Në këtë rast më tepër flasim për Lindjen e largët, por nuk është pa ndikim as kjo e afërmja dhe e mesmja, që ndoshta tek neve edhe më së shumti do të hetohen. Nëse në vitin 2014 në këtë grup kanë bërë pjesë 6 shtete evropiane dhe 7 aziatike, në vitin 2050 pritet në këtë grup të shteteve me BPV më të madhe në botë, të ketë vetëm 4 shtete evropiane kurse ato të Azisë të rriten në 11. Kontinentet tjera si Amerika Veriore dhe Afrika do të kenë të njëjtin numër shtetesh në këtë shoqëri e para 3, kurse e dyta 1. Australia nuk do të ketë përfaqësues të vet dhe Amerika e Jugut nga 2 shtetet do të mbetet me një. Numri i shteteve të Lindjes së Afërme dhe të Mesme mbetet i njëjtë, bashkë me një të Gadishullit Arabik do të jenë gjithsej në 4. Një element tjetër me rëndësi që duhet pasur parasysh kur bëhen strategji afatgjate për pozicionim strategjik të shtetit, në rastin tonë të regjionit, është kultura, tradita, filozofia por mbi gjitha religjioni. Nëse në vitin 2014 shtetet që janë në këtë grup kanë një balancë më të përafërt sa i përket përkatësisë fetare të popullatës që jetojnë nëpër këto vende me një asimetri në favor të popullatës me përkatësi religjioze krishtere, tredhjet vite më vonë, parashikimet janë krejt ndryshe. Kështu katër religjionet, apo filozofitë dominuese, në vitin 2014 në këtë grup shtetesh janë përafërsisht në këtë përbërje: popullatë e krishterë; 1,195,404,653, myslimane; 1,046,974,238, budiste; 797,368,790 dhe hinduse; 1,050,842,175.  Dallimi ndërmjet dy grupimeve  më të mëdha, të asaj krishtere me atë myslimane është diku  148,430,415 në favor të së parës. Por në vitin 2050 bazuar në radhitjen e shteteve që bën PwC-ja, duke marrë parasysh parashikimet e disa instituteve relevante për rritjen e popullatës, ku pritjet janë që për 73% të rritet numri i myslimanëve, me 35% i të krishterëve, kurse me 34% i hindusëve, dhe rënie prej diku -3% të budistëve, do të kemi një asimetri serioze, por tani në favor të myslimanëve. Nëse i kemi parasysh parashikime e PwC-së, me një matematikë elementare, rezulton se përbërja religjioze e popullatës në këto 25 shtete me BPV më të madh në botë në vitin 2050 duhet të duket me sa vijon: Të krishterë;1,577,993, myslimanë; 2,099,033,661, budistë; 773,447,726 dhe hindusë; 1,408,128,515. Përmbysja duket të jetë serioze pasi tanimë dallimi në mes të myslimanëve dhe të krishterëve si dy grupime kryesore religjioze që do të përbëjnë pjesën më të madhe duhet të jetë diku, 521,039,691 në favor të myslimanëve. Cilët do të jenë pasojat për botën por edhe për ne, vetëm mund të imagjinohet por një çështje me siguri mund të parashihet. Për 30 vitet e ardhshme dy tregjet më atraktive që do të kërkojnë bashkëpunim janë ai evropian që do të mbetet edhe më tutje më i pasuri dhe me teknologji më të avancuar dhe ai në zhvillim, me fuqi punëtore të re dhe me konsum në rritje, aziatik apo myslimanë. Vendtakimi i këtyre dy tregjeve s´do mend se do të jetë Deti Mesdhe, dhe mu në këtë regjion ku jetojmë ne. Të bashkosh dy tregje, apo të jesh në mes gjigantëve ekonomik është përparësi. Por duket se në rastin tonë kjo kthehet në handikap. Për këtë sipas meje ekzistojnë së paku dy arsye. Njëra objektive, jashtë mundësive tona për ta ndryshuar, dhe tjetra subjektive, që varet prej vendimit  tonë, çfarë pozicioni do t’i caktojmë vetës në këtë lëvizje të madhe globale. Arsyeja e parë neve nuk mund të ndikojmë është deficiti demografik i kontinentit evropian karshi pjesëve tjera të botës, veçanërisht atij afrikan dhe atij aziatik. Këtë mangësi, Zbigniew Brzezinski që moti e ka notifikuar në librin e tij; “The choice – global domination or global leadership”. Sipas autorit, nëse gjithë kontinentet tjera do të kenë rritje demografike ose së paku do ta ruajnë përfaqësimin e njëjtë në përmasa botërore, në Evropë ndodhë e kundërta. Ai bën krahasimin: Nëse Evropa në vitin 1900 merrte pjesë me 25% të popullatës në nivel botërorë, në vitin 2000 ajo bie në 12%, kurse parashikimet a autorit janë që në vitin 2020 kjo do të zbres në vetëm 9% të popullatës botërore. Një Evropë me një zhvillim të madh ekonomik por që ka mungesë popullate paraqitet të jetë magnet që tërheq çdonjërin për t’u futur në atë treg pune me shumë mundësi. Për këtë arsye, të gjitha shtetet e regjionit, në aspektin strategjik, u deklaruan për orientim pro Perëndimit. Një orientim të tillë asnjë njeri racional nuk do të mund ta kundërshtonte përderisa nuk do t’i shohë pasojat. Të edukuar që të bëjmë çmos që të ikim nga lindja për të arritur sa më shpejtë perëndimin, nuk mbajtëm llogari sa duhet ose patëm parashikime të gabuara, se sa kohë na duhet për të arritur në Perëndim, apo sa e gjatë është ajo rrugë për ne. Ne arritëm që gjeneratave të tëra t’u bëjmë, “washing brain” (larje truri) prej Lindjes, por për shkak të llogarive jo të sakta, në fund fituam, “brain drain” (ikjen e trurit). Duke u munduar të pastrojmë trurin nga e vjetra, prapambetura, Lindja, mbetëm pa tru, (mendohet për të rinjtë e shkolluar mirë) saqë si të tillë të mos na dojë Perëndimi. Një regjion, popull, pa tru, nuk mund të integrohet në një treg të fuqishëm dhe me teknologji të lartë përveç se të getoizohet. Kjo sot na ndodhë neve. Si arritëm tek kjo? Strategët tonë politik u përcaktuan, ose pranuan rolin e të qenurit qosh, fundi i Perëndimit, apo fillimi i Lindjes, në vend që të përcaktohen për qendrën, që do t’i bashkojë e lidhë, Lindjen dhe Perëndimin. Duke vazhduar me “washing brain” për Lindjen, rrezikojmë kjo geto tanimë e krijuar të transferohet në “front line” ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Vihemi në rolin e “mburojës” së parë të Perëndimit nga Lindja. Zaten, për ne shqiptarët ky rol nuk është i huaj. Gjithë identiteti ynë kombëtarë bazohet në mitin e Skënderbeut që e “mbrojti“ Perëndimin nga Lindja. Por siç ai nuk e mbrojti Perëndimin nga Lindja, për më tepër ajo u vendos dhe qëndroi më së gjati tek ne. Kam frikë se historia po na përsëritet. Ardhmëria nuk mund të parashihet asnjëherë me saktësi, por disa gjëra mund të nuhaten. Nëse 15 vite më parë nuk mund të paramendonim, që Kina e Turqia të jenë gjithandej rreth nesh me investime, shkolla e prodhime të tyre, sot shohim qendrën e Shkupit të vërshohet me turistë nga Turqia e Kina. Nëse realizohen parashikimet e PwC, nuk do të më habit që pas jo më shumë se 10 vjet të shohim grupe turistësh nga Indonezia, India, Irani e Pakistani. Pyetja është, cili do të jetë roli ynë, dhe sa jemi të përgatitur për një realitet të tillë. Për një gjë pothuajse jam i sigurt, me këtë “brain drain” që na ndodhë, nuk do të jemi në Perëndim, por çështja është, me “washing brain”,  me këtë “tru të larë” a do të jemi të gatshëm edhe për Lindjen. Nëse do të mbetemi në parashikimet e PwC-së, është e qartë se Perëndimi orientohet ka Lindja, së paku në aspektin ekonomik, por ku shkojnë shqiptarët? A e kanë gabuar rrugën? Apo, ata nuk duhet të kërkojnë rrugë për të shkuar askund, por të rrinë aty ku janë, në qendër, dhe të bëjnë që rrugët të takohen tek ata!/ shenja

62