Përfiton 4.8 milionë € nga buxheti i shtetit pa bërë asnjë investim!

Nga 11 nëntori i vitit të kaluar deri në shtator të këtij viti, kompania Integrated Technology Waste Treatment Fier, që ka të drejtën e koncesionit për trajtimin e mbetjeve në Qarkun e Fierit, ka përfituar 4.8 milionë euro pagesa nga buxheti i shtetit, edhe pse problemi i tokës ku do të zhvillohet investimi ende nuk është zgjidhur e për pasojë, investimi nuk ka nisur.

Kompania kaloi një kalvar konfliktesh me komunitetin në Qarkun e Fierit, të cilët me protesta agresive nuk lejuan ndërtimin e impiantit në vendin që ishte planifikuar fillimisht në Mbrostar.

Avancimi i punimeve në lidhje me impiantin që do të përpunojë mbetjet nëpërmjet metodës së djegies me incinerator u pengua edhe për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti. Për kreditë elektorale, funksionarët lokalë të Fierit premtuan se projekti për mbetjet mund të pezullohej, ndërkohë kompania është në kërkim të një vendi ku mund të zhvillojë investimin.

Por nga ana tjetër, qeveria e ka nënshkruar një kontratë me kompaninë Integrated Technology Waste Treatment,  e cila ka 70 për qind të aksioneve, ndërsa pjesën tjetër prej 30%  e ka Ndërtim Montimi Patos. Kontrata nuk është publike.

Integrated Technology Waste Treatment në 10 muajt e fundit mori 663 milionë lekë financime ose 4.8 milionë euro. Gjithsej janë bërë 11 pagesa dhe e fundit është alokuar më 7 shtator 2017, sipas të dhënave nga sistemi online i pagesave të Buxhetit të Shtetit.

Gjatë vitit që vjen, qeveria ka programuar të financojë Integrated Technology Waste Treatment Fier edhe me 660 milionë lekë të tjera, teksa problemi i tokës ku do të bëhet investimi ende nuk është zgjidhur.

Ekspertët e mjedisit janë duke hedhur alarmin se po krijohen mbiinvestime në ndërtimin e impianteve të përpunimit të mbetjeve me incinerator. Ndërkohë funksionimi i tyre është me kosto të larta në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve.

Së pari, këto impiante emetojnë CO2 në mjedis më nivel më të lartë se aktiviteteve të tjera. Por përpunimi nëpërmjet djegies me incineritim krijon mbetje të rrezikshme që nuk kalojnë për trajtim të mëtejshëm dhe depozitimi i tyre është rrezik.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne