Partitë politike dhe koalicionet që marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë sot përfundojnë fushatën zgjedhore me prezantimin e programit të tyre zgjedhor para qytetarëve të cilën e filluan që nga 31 maji. Ndërsa prej sonte në mesnatë fillon heshtja zgjedhore, ku nuk lejohet asnjë aktivitet i fushatës zgjedhore, raporton Anadolu Agency (AA).

Partitë politike dhe koalicionet parazgjedhore gjatë fushatave të zhvilluara dhanë premtime të ndryshme duke filluar nga zhvillimi i ekonomisë së vendit dhe uljes së papunësisë, rritjes së buxhetit, të pagave e të pensioneve, e deri në zhvillimin e fushave të rëndësishme si arsimi e shëndetësia. Përveç premtimeve, në fushata zgjedhore nuk kanë munguar edhe akuzat ndaj njëri tjetrit.

Koalicioni i përbërë nga partitë PDK-AAK-NISMA (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën) së bashku me dhjetë parti të tjera zhvilloi fushatën me moton “Fillimi i ri”. Ky koalicion, nën udhëheqjen e kryetarit në largim të Kuvendit të Kosovës dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, kandidat për kryeministër të ardhshëm të Kosovës ka zgjedhur kryetarin e AAK-së dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Gjatë fushatave ky koalicion premtoi se do të sjellë zhvillim të shpejtë e të qëndrueshëm në ekonomi dhe prodhimtari, investime për të rinjtë dhe gratë, investime nga diaspora dhe vendet mike, rritje të pagave për të gjithë punëtorët e sektorit publik dhe të pensioneve deri në 30 për qind si dhe dyfishim të granteve buxhetore për investime kapitale. Ky koalicion premtoi që Kosovës do t’i sjellë liberalizimin e vizave pa vonesa dhe se Kosova do ta ketë ushtrinë e saj si dhe do ta largojë ndikimin e Beogradit nga ky vend.

Koalicioni PAN po ashtu premton reforma në fushën e arsimit e të shëndetësisë si dhe themelimin e Byrosë Nacionale të Hetimeve –BNH, e cila do të jetë përgjegjëse për luftimin e krimit të organizuar dhe transnacional, korrupsionit politik, ekonomik dhe administrativ.

Ndërkaq, sipas Ramush Haradinajt votat për LDK-në dhe për Lëvizjen Vetëvendosje janë “vota të shpenzuara kot”.

Në anën tjetër, LDK-ja (Lidhja Demokratike e Kosovës), e cila në mandatin e kaluar ishte në koalicionin qeverisës, ka krijuar koalicion me moton “Bashkë të vendosur” së bashku me partitë AKR (Aleanca Kosova e Re), “Alternativa” dhe Lëvizja për Drejtësi, ndërsa kandidati për kryeministër i këtij koalicioni është Avdullah Hoti.

Ky koalicion ka premtuar rritje ekonomike deri në 7 për qind, punësim të mbi 25 mijë personave në vit, rritje të pensioneve deri në 40 për qind, buxhet deri më 3 miliardë euro, financim të të rinjve në biznese, punësim të çdo të riu që kryen studimet, pushim të lehonisë së nënave të punësuara dhe pagesë të qind për qindtë për ta, kurse 100 euro për nënat e papunësuar deri në 12 muaj si dhe dyfishim në bxhetin e shëndetësisë.

Edhe ky koalicion premton sjelljen e liberalizimit të vizave dhe një qeveri properëndimore, formimin e ushtrisë së Kosovës dhe luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, reforma në arsim e shëndetësi. Po ashtu, koalicioni në fjalë thekson se dialogu me Serbinë do të vazhdojë, “ku në fund të dialogut Kosova do të njihet nga Serbia”.

Gjatë fushatave, kandidati për kryeministër i këtij koalicioni, Avdullah Hoti ka vlerësuar Partinë Demokratike të Kosovës si “parti që shkelë marrëveshjet dhe e pabesë”.

Ndërsa, Lëvizja “Vetëvendosje” e cila në mandatin e kaluar ishte në opozitë, do të garojë e vetme në këto zgjedhje dhe kandidat për kryeministër ka zgjedhur Albin Kurtin. Motoja e “Vetëvendosjes” është “vija e vetme e kuqe” ku simbolizohet pjesëmarrja e vetme, jashtë koalicioneve në garat zgjedhore.

VV gjatë fushatave zgjedhore ka premtuar se të papunët dhe ish-luftëtarët, mësuesit, arsimtarët, studentët, mjekët, profesorët, pensionistët, minatorët, bujqit e zejtarët “do të dalin nga kriza e mjerimi”. Kjo parti thekson se në qeverisjen e saj qytetari nuk do t’i frikësohet pushtetit, por pushteti qytetarit, se Prokuroria do të veprojë kundër të kriminalizuarve dhe të korruptuarve deri në konfiskimin e pasurisë së tyre të paligjshme. Sipas VV-së me këtë parti Kosova do të bëhet shtet i punës, i drejtësisë dhe i kulturës, “shtet ku njerëzit duan të rrinë e të punojnë, e jo të ikin dhe të harrojnë”.

Gjatë fushatës kandidati për kryeministër i kësaj partie, Kurti tha se Ramush Haradinaj dhe Avdullah Hoti premtojnë pa mbulesë.

Në zgjedhjet e gjashta parlamentare në Kosovë pas luftës së vitit 1999, të cilat do të mbahen më 11 qershor 2017 në Kosovë, do të garojnë 19 parti politike, 5 koalicione dhe dy nisma të qytetarëve. Lista përfundimtare e votuesve përmban 1 milion e 872 mijë e 941 emra të votuesve, kurse numri i qendrave të votimit në këto zgjedhje është 889 me gjithsej 2.490 vendvotime në mbarë Kosovën.

Qytetarët e Kosovës të dielën do të votojnë nga ora 7:00 deri në ora 19:00, kur qendrat e votimit mbyllen dhe fillon numërimi. Secili qytetar ka të drejtë të votojë një subjekt politik dhe 5 kandidatë të saj.

Ndryshe, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara më 11 qershor është si rezultat i votimit për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë ku me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenime ra qeveria e formuar nga koalicioni PDK-LDK dhe Lista Serbe. Mosratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, shihet si një nga arsyet kryesore për shpërbërjen e koalicionit qeverisës.

12