Përgjegjësia për rrëzimin e avionit rus Il-20 në Siri më datë 17 shtator është tërësisht e Forcave Ajrore të Izraelit

Përgjegjësia për rrëzimin e avionit rus Il-20 në Siri më datë 17 shtator është tërësisht e Forcave Ajrore të Izraelit dhe e atyre që morën vendimin të fshihen pas avionit të Federatës Ruse.

Këtë deklaroi të dielën, më 23 shtator, në një konferencë për shtyp përfaqësuesi zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov.

Sipas tij, të dhënat objektive tregojnë që veprimet e pilotëve të avionëve luftarakë izraelitë ose flasin për joprofesionalizëm, ose, të paktën, për neglizhencë kriminale. “Prandaj mendojmë që përgjegjësia për këtë tragjedi të ndodhur me avionin rus Il-20 është tërësisht e Forcave Ajrore të Izraelit dhe atyre që morën vendimin për këtë lloj veprimi”, tha Konashenkov.

Konashenkovi nënvizoi, në mënyrë të veçantë, se veprimet e avionëve të Forcave Ajrore izraelite po kryheshin në zonën e trasës hyrëse të aerodromit Hmeimim, ku zbresin avionë jo vetëm ushtarakë, por edhe ata civilë. Ai vuri në dukje se kështu avionët luftarakë izraelitë krijuan një kërcënim të drejtpërdrejtë për çdo avion transportues dhe pasagjerësh që mund të ktheheshin në “viktima të aventurizmit” të ushtrisë së Izraelit.

Konashenkovi vuri në dukje se Forcat Ajrore të Izraelit kishin mashtruar ushtrinë ruse për zonën, të cilën avionët e tyre F-16 do të godisnin, gjë e cila nuk lejoi nxjerrjen e avionit Il-20 në një zonë të sigurt. Përveç kësaj, vendndodhja e avionëve izraelitë nuk ishte specifikuar. Gjithashtu, Konashenkovi bëri me dije se Izraeli paralajmëroi Rusinë për sulmin e avionëve të tij F-16 në territorin e Sirisë vetëm në momentin e fillimit të këtij sulmi, duke i shkelur drejtpërdrejt marrëveshjet ekzistuese.

Gjenerali saktësoi se në orën 21:39 një përfaqësues i komandës së Forcave Ajrore të Izraelit njoftoi komandën e trupave të Federatës Ruse në Siri për sulmin e ardhshëm ndaj objekteve dhe tashmë në orën 21:40, katër avionë izraelitë F-16 goditën me bomba të kontrolluara GBU-39 nëpër objektivat industrialë në Latakia. Si u shpjegua nga përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes, këto veprime shkelin marrëveshjet ruso-izraelite të vitit 2015 për parandalimin e incidenteve midis forcave të armatosura të palëve në Siri.

Gjithashtu, ai tha se komandanti i avionit Il-20 kishte arritur të raportonte në bazë për goditjen e avionit nga një raketë kundërajrore. “Në orën 22:03 raketa kundërajrore siriane goditi një objektiv më të madh dhe më të afërt, pra avionin Il-20”, tha Konashenkovi. Komandanti i ekuipazhit raportoi për fillimin e rënies së shpejtë të avionit dhe të zjarrit në bord. Në orën 22:07, “shenja e avionit rus të zbulimit IL-20 u zhduk nga ekranet e radarëve”.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes të Federatës Ruse, piloti i avionit F-16 të Forcave Ajrore të Izraelit e dinte se Il-20 do të ishte një objektiv prioritar për Mbrojtjen Kundërajrore të Sirisë në ditën e tragjedisë së 17 shtatorit. Ai vuri në dukje se izraelitët, gjithashtu, e dinin se “në forcat e armatosura të Rusisë dhe Sirisë përdoren sisteme të ndryshme të identifikimit “friend or foe”, në këtë mënyrë stacionet radare siriane mund të identifikojnë avionin Il-20 si një objektiv të grupit të avionëve luftëtarakë izraelitë. Ai nënvizoi se avionët luftarakë izraelitë u fshehën pas avionit Il-20 nga raketat kundërajrore.

Si vërejti Konashenkovi, sjellja e pilotëve izraelitë në Siri është krejtësisht e ndryshme nga veprimet e aviacionit amerikan në rajon: ka një kanal komunikimi midis Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara për të parandaluar incidentet në ajër, nëpëmjet të cilit palët njoftojnë paraprakisht njëra-tjetrën për planet e përdorimit të aviacionit në zona të ndryshme të Sirisë. Kjo na lejon marrjen në kohë të masave për të përjashtuar çdo situatë që kërcënon ushtarakët rusë dhe ata amerikanë si në ajër ashtu edhe në tokë.

Përveç kësaj, ai vuri, gjithashtu, në dukje se në kuadër të një bashkëpunimi konstruktiv ruso-izraelit në Siri, “ne e kemi të vështirë të kuptojmë, çfarë u bë shkak… i veprimeve të Tel Avivit, pasi kjo është një përgjigje tejet mosmirënjohëse për gjithçka që Federata Ruse ka bërë për Shtetin e Izraelit dhe izraelitët kohët e fundit”. Në veçanti, po flasim për operacionin, i cili është kryer në verë në zonën jug-perëndimore të deeskalimit të Sirisë nga forcat qeveritare me mbështetjen e Forcave Ajroro-Kozmike të Federatës Ruse. Si rezultat i këtij operacioni u krijuan kushte për rimëkëmbjen e aktiviteteve të forcave paqeruajtëse të OKB-së të vendosura në Lartësitë Golan në rajonin ndarës midis Sirisë dhe Izraelit. Falë kësaj, bombardimet e territorit të Izraelit nga Lartësitë Golan u përjashtuan plotësisht.

Burimi: Ambasada ruse ne Shqiperi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne