Përkthimet nga arabishtja: si e zbuluan europianët botën arabe dhe Islamin

Duke kërkuar të kundërshtojnë Islamin, akademikët mblodhën libra nga Lindja e Mesme dhe ndërsa përkthenin, pavarësisht bindjeve të tyre, fituan një respekt më të madh ndaj këtij civilizimi.

Në botën muslimane, përmbledhjet e gjeografisë apo historisë quheshin dikur “kopshte”. Ashtu si kopshtet e vërtetë, këta libra kishin nevojë për kohën e duhur për t’u rritur. Idetë më të mira duhet të kultivoheshin dhe specjet më të dobëta duhet të largoheshin. Duke zbuluar këto punime në fund të shekullit të 17-të, lexuesit europianë u mrekulluan. Dhe nuk është e habitshme. Perëndimorët kishin gëlltitur gënjeshtra për muslimanët dhe besimin e tyre për shekuj. Por përmes akademizmit dinjitoz, një rreth intelektualësh europianë ndihmuan që kopshtet e largëta të lulëzonin në gjuhë të reja. Puna e tyre do të formësonte pikëpamjet e politikës së jashtme për Lindjen e Mesme në kohët moderne.

Në një studim të menduar thellë, Alexander Bevilacqua e nis narrativën e tij me vetë librat. Duke nisur nga vitet 1600, europianët mblodhën me mijëra dorëshkrime arabe, turke e perse nga tregjet e Lindjes së Mesme. Shumë prej këtyre dorëshkrimeve përfundun në libraritë e mëdha “orientale” në Leiden, Oxford dhe Paris.

“Kopshtet” historike dhe gjeografike u bënë popullore, por po ashtu edhe vëzhgimet e jurisprudencës dhe historisë Islame. Përkthimet në arabisht të teksteve të lashta greke ishin mjaft të lakmuara. Antoine Galland, diplomat francez, u dërgua në Stamboll në vitin 1679 me një “listë pazari” prej gati 20 faqesh të shkruara imët.

Ky oreks u nxit edhe nga bindjet fetare. Pasi Reformacioni ndau krishtërimin europian në dy kampe reciprokisht armiqësore, katolikët dhe protestantët konkurronin jo vetëm me njëri-tjetrin për shpirtërat e europianëve, por përpiqeshin shumë të dëshmonin veten nëpër botë, përfshirë edhe para muslimanëve. Për ta refuzuar Islamin, të krishterët duhet ta kuptonin atë, mendonin në Europë. Ky besim frymëzoi disa nga punimet akademike më të shkëlqyera. Në vitin 1698, Lodovico Marracci iu publikua në Padua përkthimi i tij në latinisht i Kuranit, me shkrimin arabisht të printuar sipër faqeve.

Marracci punoi për mosmiratimin e Islamit, duke përkthyer me kujdes dhe duke kundërshtuar çdo sure. Por duke studiuar një besim të huaj për të me kaq këmbëngulje, Marracci dhe bashkëkohësit e tij i bënë atij një shërbim. Siç vë në dukje studiuesi Bevilacqua, pikëpamjet dembele mesjetare që e shihnin Islamin si një “parodi diabolike” nuk ishin më të besueshme.

Në vitin 1650, Edward Pococke publikoi: “Shembuj të historisë së arabëve”, një panoramim luksoz i jetës dhe kulturës arabe. Kur Simon Ockley nxori “Pushtimi i Sirisë, Persisë dhe Egjiptit nga saraçenët”, në vitin 1708, ai deklaroi se subjektet e tij duhet të merreshin në konsideratë të lartë si nga armatimet ashtu edhe nga njohuritë.

Pococke citonte me dhjetëra punime të reja të arritshme në arabisht në librin e tij, jo vetëm punime fetare Islame por edhe punime të tjera si nga Avicenna, mjekut Persian dhe nga Maimonides, filozof hebre. E gjitha kjo bëri që Lindja e Mesme të dukej më pak e huaj e si nga ndonjë botë tjetër. Ashtu si grekët dheromakët, edhe europianët më në fund kuptuan se kultura Islame “i kishte rrënjët në të njëjtat vlera si ato perëndimore”.

Akademikët, po ashtu, mësuan nga njëri-tjetri. George Sale përdori punën e Marracci-t në përkthimin e tij dinjitoz në anglisht të Kuranit. (publikuar në vitin 1733, përkthimi ishte popullor deri në vitet 1950). Nga ana e tij, Ockley shkroi mbi dorëshkrime nga koleksioni i Pococke. Idhujt e iluminizmit si Volteri apo Edward Gibbon i kanë borxhe të njëjtëve njerëz. Gibbon u bazua tek Pococke dhe Sale për të mbushur me informacion “Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Romake”, edhe pse si ai, si Volteri në përgjithësi shmangnin debatet e reja. Më pas, shkrimtarë të tjerë, më i njohuri Floberi, mbajtën gjallë punën e arabistëve të shekullit të 17-të, deri në vitet 1800. Marrëdhënia pothuajse nuk shteroi asnjëherë. Autori i studimit është përpjekur shumë ta mbajë “të lexueshëm” epopenë e tij ndërsa kapërcen nga arabishtja tek frëngjishtja në të njëjtën faqe.

Bevilacqua e përfundon historinë me një tonalitet më të errët. Ndërsa Europa bëhet gjithnjë e më sekulariste, ekonomitë e saj në prosperim dhe rivalët muslimanë, si Osmanët, tashmë i përkasin historisë, studimi i Islamit në mënyrën e duhur po bëhet më pak urgjent. Pas viteve 1800, shpjegimet e Kuranit që tërhoqën kaq shumë Marracci-in dhe kolegët e tij nuk mendoheshin më të dobishëm. Në vend të tyre, akademikët perëndimorë nisën të sillen si padronë me fqinjët e tyre përtej Mesdheut. Feja “nisi të shihej si një forcë që i mbante prapa muslimanët”, thotë autori Bevilacqua. Por studimi përfundon këtu, për fat të keq, duke pasur parasysh problemet që injoranca perëndimore për Lindjen e Mesme, shkaktoi më pas, që nga marrëveshja Sykes-Picot e deri tek Suezi. Por, gjithsesi, libri “Republika e Letrave Arabe: Islami dhe Iluminizmi Europian” përbën një lexim të vlefshëm./ tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne