Përmbytja e autostradës Tiranë-Durrës, nga kanalizimet tek trafik-ndarësja, çfarë nuk shkon

Paralajmërimi në avancë i situatës së përmbytjes ka minimizuar pasojat e saj, por sërish sekuencat problematike nuk kanë munguar. Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, tha për “Monitor” se dëmet në Jug të vendit në raport më 2015 do të jenë më të vogla edhe pse uji ishte në nivele më të larta, por situata të tilla duhet të shërbejnë si kambana që secili të marrë përsipër përgjegjësinë që i takon. Ai i referohet këtu rastit të autostradës Tiranë-Durrës ku pavarësisht përgjegjësisë që kanë institucionet, bizneset nuk bëjnë përjashtim në dëmin që kanë shkaktuar duke ndërhyrë vend e pavend.

Zoti Prençi, si paraqitet situata në terren duke qenë se tashmë u bë më shumë se një javë nga përmbytjet dhe si e vlerësoni se u përballua kjo emergjencë?

Situata ka ardhur në përmirësim. Prania e ujit është lehtësuar në masën 70 për qind. Drejtoria e Emergjencave Civile ka filluar njoftimin e bashkive më 26 nëntor, pra faza e paralajmërimit për gjithë strukturat është kryer në kohë. Po kështu kemi mbajtur kontakte të vazhdueshme, duke e përsëritur me e-mail tre herë në ditë për të përforcuar dhe për të nxitur fazën e parapërgatitjes mbi fatkeqësinë e pritshme.

Si i është përgjigjur pushteti vendor dhe institucionet e tjera situatës, a ka pasur koordinim ashtu siç duhet, po problematika?

Normalisht është vlerësuar vënia në gatishmëri e strukturave dhe ngritja e Komisionit të Menaxhimit të Emergjencave në nivel qarku. Kemi pasur raste që ka pasur edhe mungesë gatishmërie në pikëpamje të ujëmbledhësve apo shkarkuesve fundorë dhe katastrofikë në ujëmbledhës, siç ishte në rastin e ujëmbledhësit në Marikaj, Vorë apo në Zëmblak të Korçës. Këto mungesa bënë që ujërat të dalin mbi digën mbrojtëse dhe të përbënin një rrezik për komunitetin për pjesën poshtë. Kjo kërkon rritjen e përgjegjshmërisë së pushtetit vendor në raport me raportimin tek emergjencat civile. Pjesa tjetër ka funksionuar më së miri. Ka pasur një koordinim shumë të mirë të Emergjencave Civile, Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura. Të gjitha masat e dakordësuara kanë funksionuar dhe të gjithë janë dislokuar në vendet e pritshme të emergjencës, duke ndikuar në evakuimin e popullatës në kohën e duhur.

Si paraqitet situata në pjesën e Jugut në raport me vitin 2015 kur patëm edhe atëherë përmbytje masive në zonën e Fierit dhe Vlorës?

Në raport me vitin 2015, niveli i ujërave ka qenë më i madh kurse fatura financiare mendojmë se do të jetë më e vogël, sepse njerëzit kanë pasur kohë për t’i lëvizur pajisjet dhe orenditë e tyre në katet e sipërme ose në ambiente që nuk rrezikonin të prekeshin nga uji, po kështu kanë bërë evakuimin e bagëtive, duke i çuar në zonën e Fierit.
Problem mbetet baza ushqimore e bagëtisë në sanë dhe jonxhë, e cila është dëmtuar, ndaj edhe kërkesa imediate është baza ushqimore për bagëtitë.

Këtë herë, ashtu sikurse vitin e shkuar, pati përsëritje të përmbytjes në autostradën Tiranë-Durrës dhe konkretisht tek pjesa e Qafës së Kasharit. Cilat janë problematikat që keni konstatuar në terren dhe çfarë mund të bëhet për të minimizuar pasojat?

I gjithë biznesi që shihet në autostradë deri në Qafë Kashar dhe pak më tej kanë bërë ndërtime dhe kanë bllokuar kanalizimet. Nga rruga dytësore në rrugën kryesore ka dalje që janë realizuar me tombino të vogla që nuk realizojnë dot përballimin e prurjeve të mëdha të ujit. Përroi i Limuthit është totalisht i bllokuar nga inertet dhe punimet e papërgjegjshme të kompanive të ndërtimit. Kanë shkatërruar tërësisht infrastrukturën e kullimit. Do kërkohej një hetim për të nxjerrë përgjegjësit. Ajo zonë ka një gërshetim të sistemit të kanalizimeve me përroin e Limuthit, kanalet e larta dhe ato të poshtme.

Segmenti në Kashar në afërsi të Mercedez Benz-it ka problematik faktin se ka vetëm një tombino kur duhet të ketë pesë të tillë për të përballuar prurjet dhe niveli i rrugës duhet të jetë mbi 1.5 metra i ngritur. Trafik-ndarësja pa ndërprerje nuk ka krijuar mundësi që uji që vinte nga pjesa perëndimore apo Kodrat në Kashar të kullonte siç duhet në pjesën verilindore. Pra ose duhet të kishte tombino më shumë ose trafik-ndarëset duhet të jenë metalike që të qarkullonte uji dhe nëse kjo do të ndodhte, niveli normal i ujit që do të qarkullonte në autostradë do të ishte 10-15 centimetra, por kurrsesi në nivelin që ndodhi. I konsultuar me specialistë të fushës, këto janë defektet që vihen re. Fakti që emergjenca civile urdhëroi çarjen e trasesë dhe uji u largua për tre orë, tregon që kjo ishte arsyeja. Nga ora 24:00 deri në orën 03:00 pas heqjes së trafik-ndarëses, prania e ujit u minimizua tërësisht.
Pra situata me bizneset tek mbikalimi i Kasharit dhe Citypark është tërësisht përgjegjësi e bizneseve që kanë vënë tumbino të vogla që nuk e përballojnë nivelin e reshjeve.

Po situata në Fushë-Krujë e cila ishte edhe ajo ndër zonat më të prekura?

Fushë-Kruja është vetëm situatë e prurjeve masive, sepse për hir të së vërtetës, aty janë bërë investime dhe gjithçka kësaj here është prej prurjeve që dolën përtej shtratit të lumit.

Ju si Emergjenca Civile nga ajo që vini re në terren, çfarë sugjeroni se mund të bëhet për të minimizuar përmbytjet dhe dëmet?

Zakonisht askush nuk e prek emergjencën civile për të marrë mendim. Pushteti qendror dhe vendor nuk marrin mendime nga ne sepse përgjegjësia jonë është e përcaktuar me ligj, por mendoj se çdo individ dhe kompani private ose institucion shtetëror duhet të konsultohet me Emergjencat Civile dhe Institutin e Gjeoshkencave Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, mbi situatat dhe kapacitetet hidrike me qëllim që projektet e kanaleve kulluese të përrenjve dhe lumenjve të bëhen në bazë të të dhënave të sakta. Nuk besoj që Kastrati për shembull tek Mercedez-i ka bërë një investim në pikën më të ulët të Tiranës pa një studim. Çfarë studimi hidrologjik dhe hidroteknik është bërë për këtë biznes dhe të tjerë aty rrotull që janë të kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme. Ky është shembulli më i keq. E njëjta situatë dhe tek Citypark, ajo zonë duhet të kishte kolektorë të fuqishëm dhe ngitje të katit të parë nga niveli i tokës, duke parë që është një pikë e ulët./Monitor.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne