Përmbytje në veri të Iranit, të paktën 8 të vdekur

Të paktën tetë persona humbën jetën nga përmbytjet që shkaktuan reshjet e rrëmbyeshme të shiut në veri të Iranit.

Veriu i Iranit tre ditë me radhë është përfshirë nga shira të rrëmbyeshëm të cilat shkaktuan daljen e lumenjve nga shtrati dhe përmbytje në disa qytete.

Përfaqësuesi i Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit, Murtez Selimi, tha se provinca më e rrezikuar është Mazenderan, ku jetën e kanë humbur të paktën pesë persona. Ai tha se dy persona humbën jetën nga goditja e rrufesë në një automjet.

Selimi tha se shërbimet e shpëtimit punojnë në terren për të evakuuar rreth 2.700 njerëz nga vendet e përmbytura.

Agjencia e lajmeve Mehr raporton se nga vërshimet e ujit është shembur ura historike Mashlek në Mazenderan. Së bashku me urën në lumë, përfunduan edhe dy automjete.

Poashtu edhe në provincën Gilan, përmbytjet morën një automjet me gjashtë persona në të. Tre prej tyre humbën jetën ndërsa dy u shpëtuan dhe një llogaritet i zhdukur.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne