“Përparime në mjekësi”, ekipi izraelit mëson mjekët dhe infermierët shqiptarë sesi të bëhen “kllounë”

Mjekët dhe infermierët shqiptarë do të trajnohen nga ekipi profesionist i “doktorëve gazmorë” të Izraelit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ambasada e shtetit të Izraelit në Tiranë kanë firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit për trajnimin e 30 mjekëve dhe infermierëve nga e gjithë Shqipëria, për programin e “Dream Doctors”, pra doktorët gazmorë të Mjekësisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu dhe ambasadori Izraelit SH.T.Z Boaz Rodkin vizituan sot ambientet e spitalit Pediatrik në QSUT, ku ekipi doktorëve gazmorë profesionistë nga Izraeli performuan për pacientët e vegjël.
“Kjo mënyrë e re e trajtimit të fëmijëve në spitale do të mundësojë që ata të mos ndihen si në spital. Sigurisht medikamentet bëjnë pjesën e tyre por edhe sjellja e mirë është një element më shumë për t’u shëruar sa më shpejt”, tha Ministrja Manastirliu.

Duke treguar mbështetjen për trajnimet e ekipeve shqiptare, ambasadori i Izraelit u shpreh se” “Është e provuar që t’i kthesh buzëqeshjen fëmijëve i ndihmon të shërohen më shpejt, ndaj jam shumë i lumtur që konkretizuam përpjekjet disa mujore për realizimin e këtij projekti të Agjencisë së Zhvillimit të shtetit të Izraelit me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë”.

Trajnimi i mjekëve dhe infermierëve zhvillohet nga data 15-20 tetor në Tiranë, ku ekipi profesionist i “doktorëve gazmorë” të Izraelit do të prezantojë teknikat e terapive për pacientët, jo vetëm ata në Pediatri, për t’jua bërë sa më të lehtë qëndrimin në spital. “Dream Doctors” janë animatorë mjekësorë profesionistë, të cilët janë të trajnuar për terapi pacienti gjatë shtrimeve në spital, apo trajtimit ambulator. Kjo praktikë e njohur botërisht, ka të integruar këta profesionistë në stafin mjekësor multidisiplinar, kryesisht (por jo vetëm) në repartet pediatrike.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne