Përplasja mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë: Regjimi komunist rrinte me frikën se vendi mund të sulmohej nga forcat armike

Amerikanët kanë zbardhur detaje sa i takon marrëdhënieve të tensionuar mes Shqipërisë së drejtuar nga Enver Hoxha dhe Jugosllavisë. Në disa dokumente të CIA tregohen se si përplaseshin palët, ku madje në disa raste mobilizohej dhe ushtria. CIA tregon frikën e regjimit të Enver Hoxhës, i cili sipas amerikanëve, propagandonte se vendi do të sulmohej nga forcat armike.

Maj 1951

Trupat jugosllave në kufirin shqiptar

Dy divizione të ushtrisë jugosllave janë transferuar kohët e fundit në zonën e kufirit të Shqipërisë, njëri i vendosur pranë Podgoricës, një divizion i motorizuar është vendosur në Shkup dhe një tjetër mes Dibrës dhe Ohrit. Autoritetet shqiptare thuhet se janë të alarmuara dhe si rezultat kanë arrestuar më shumë se 150 persona të konsideruar të rrezikshëm apo të dyshimtë, në zonat kufitare me Jugosllavinë. Zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes janë të përfshirë nga paniku dhe i kanë ofruar ndihmë apo favore familjeve të refugjatëve politikë, të ashtuquajtur “reaksionarë”, në formë sigurie nga frika e luftës dhe përmbysjes së pushtetit. Propaganda qeveritare, e frymëzuar nga Bashkimi Sovjetik, po përpiqet të bëjë popullin shqiptar të besojë se anglo-amerikanët po përgatisin pushtimin e Shqipërisë dhe ndarjen e tij më as në tre zona që do të pushtohen nga Jugosllavia, Greqia e Italia.

15 mars 1959

Marrëdhëniet e Jugosllavisë me bllokun

Veprimet e fundit të Beogradit tregojnë se në kontrast me qasjet e mëparshme, ai tashmë është i gatshëm të reagojë kundër bllokut sovjetik dhe sulmeve antijugosllave. Marrëdhëniet e zakonshme armiqësore me Shqipërinë kohët e fundit janë përkeqësuar edhe më shumë me shkëmbime protestash dhe akuzash. Kohët e fundit Beogradi ka vendosur papritur të publikojë gjyqet e shqiptarëve të akuzuar për spiunazh ndaj Jugosllavisë. Ky është një ndryshim i konsiderueshëm që prej janarit të shkuar kur Beogradi anuloi gjyqet publike të 25 jugosllavëve pro-sovjetikë, pasi i trembej pasojave në marrëdhëniet me bllokun. Në fjalimin e Titos në Shkup më 6 mars ai quajti liderin shqiptar Enver Hoxha “luftënxitës … Goebel-i i ri i Ballkanit”, ndërsa një ditë më parë kërcënoi se do të denonconte sulmet “irredentiste” të Shqipërisë dhe Bullgarisë para Kombeve të Bashkuara. Tito ka shprehur gjithashtu vendosmërinë e tij për t’iu kundërpërgjigjur të gjithë akuzave të bllokut në të ardhmen, duke bërë të qartë se nuk do të ketë marrëveshje me Bllokun për sa kohë që Moska lejonte veprime të tilla. Më 14 mars Beogradi njoftoi thirrjen e ambasadorit të tij në Shqipëri dhe kalimin e tij në detyra të tjera. Edhe Shqipëria pritet të bëjë reagimet e saj të ngjashme por asnjë nga vendet nuk pritet të nisë një ndërprerje të plotë të marrëdhënieve. Edhe një ngrirje e ngjashme në lidhjet me Kinën, nuk rezultoi në prishjen e plotë të marrëdhënieve. Veprimet e Beogradit parashikojnë një përkeqësim të mëtejshëm të lidhjeve me bllokun sovjetik, veçanërisht me Shqipërinë dhe Bullgarinë. Krisjet ideologjike të Jugosllavisë me bllokun sovjetik nuk duket se kanë perspektivë zbutjeje. Jugosllavët dolën nga kampi komunist në 1958 por ngulin ende këmbë se marksizëm-leninizmi po interpretohet korrektësisht në Jugosllavi. Shkakun e prishjes Beogradi nuk e konsideron si ideologjik, por si rezultat i refuzimit të dominimit sovjetik prej tij dhe thotë se edhe vende të tjera të bllokut po ndjekin shembullin e Jugosllavisë për praktikat e brendshme. Tito tha më 7 mars se debati nuk është teorik, por rezultat i “ndryshimeve të opinionit në disa çështje që janë ngritur nga praktika e zhvillimit socialist, si në bllok ashtu dhe në Jugosllavi. Me gjithë pretendimet sovjetike të shtypjes së revizionizmit, në kongresin e 21-të të partisë, Moska duket se është e shqetësuar për influencën ndarëse të Jugosllavisë në bllok, pas simpatisë që ka marrë nga vende të Afrikës dhe Azisë. Me qëllim të diskreditojë teorinë jugosllave në bllok, sovjetikët refuzojnë arritjet e brendshme të Jugosllavisë. Tito ka vizituar kohët e fundit vende si Indonezia, Burma, Cejloni e Sudani për të akumuluar mbështetje, por Kremlini i ka quajtur jugosllavët “agjentë imperialistë”. Kjo binte në kundërshtim me deklaratën e Hrushov në fjalimin e hapjes në Kongres, ku tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me jugosllavët në përpjekjet kundër imperialistëve, aty ku përputhen interesat e dy vendeve. Që prej nisjes së konfliktit, diferencat partiake kanë dhënë rezultate dhe në marrëdhëniet shtetërore, siç ilustrohet aktualisht nga tensionet shqiptaro-jugosllave. Marrëdhëniet me Pekinin janë thuajse pezulluar që prej verës së shkuar dhe i vetmi vend me të cilin Beogradi ka lidhje është Polonia, me të cilën vazhdojnë këmbimet ekonomike, kulturore dhe shkencore. Megjithëse kreditë ekonomike të BRSS për Jugosllavinë janë ndërprerë , Moska dhe satelitët e saj i tremben një bllokade të gjerë ekonomike ndaj Jugosllavisë, pasi herën e fundit rezultoi e paefektshme dhe mund të zgjojë simpatinë e vendeve afrikane dhe aziatike. Të gjithë vendet komuniste përveç Kinës dhe Rumanisë, kishin bërë marrëveshje tregtare me Jugosllavinë në 1959. Nëse këto marrëveshje zbatohen pozita tregtare e Jugosllavisë me bllokun lindor nuk dëmtohet shumë, por për këtë Jugosllavia nuk ka siguri. Gjithsesi nga frika e kërcënimit për humbjen e tregjeve të bllokut lindor, jugosllavët kanë nisur kërkimin e alternativave të tjera. Ndërkohë ndihma e Shteteve të Bashkuara për Jugosllavinë vazhdonte në nivel të lartë për vitin 1959: 22.5 milionë dollarë për impiantin e fertilizuesve në Pancevo, 5 milionë dollarë për motorët e benzinës, 14.2 milionë dollarë për shëndetsinë, arsimin e bujqësinë, 62,2 milionë dollarë për zhvillim të përgjithshëm ekonomik. Britania ka dhënë 3 milionë paund për bujqësinë dhe pajisje të tjera dhe Franca gjithashtu ka treguar interes për asistencë. Ndërkohë Beogradi po punon zhvillimin dhe arritjen e tregjeve të tjera të materialeve bazë në Azi e Afrikë. Gjatë turneut diplomatik të Titos në Indonezi, Burma, Cejlon, Indi, Etiopi e Sudan, vendet pranuan në parim përmirësimin e lidhjeve ekonomike, dhe premtimet mund të jenë mjaft të frytshme për jugosllavët, në një kohë kompeticioni nga vendet e bllokut. Por me gjithë tensionet me vendet e bllokut lindor, Beogradi po tregohet i vendosur të mos ndërthuret shumë me vendet e Perëndimit, duke dashur të ruajë politikën e tij të paanësisë. Pas kthimit të Titos në Jugosllavi, ai dënoi fuqimisht akuzat e bllokut se po përpiqej të krijonte një “bllok të tretë” apo të ringjallte paktin e Ballkanit me Greqinë, që sipas Hrushovit e afronte Jugosllavinë me NATO. Pakti i Ballkanit thuajse nuk u prek fare gjatë bisedimeve me Karamanlis. Një zëdhënës jugosllav sulmoi gjithashtu më 13 mars shtypin e Turqisë për “shtrembërime” mbi Jugosllavinë, me shumë gjasa për të theksuar faktin se Jugosllavia nuk kërkonte rihapje të Paktit të Ballkanit.

3 dhjetor 1948

Maqedonia dhe debati Tito-BRSS

Konflikti mes Titos dhe vendeve të Kominform po bëhet gjithnjë e më i mprehtë. Sovjetikët, duke pasur të domosdoshëm një korridor mes Bullgarisë dhe Shqipërisë, por bëjnë përgatitje për realizimin e tij, prandaj Maqedonia është pika kryesore e fokusit ndaj së cilës të dyja palët po marrin masa dhe përgatitje. Sovjetikët nga ana e tyre, kanë përfituar nga diferencat e vjetra mes serbëve dhe bullgarëve dhe në propagandën e tyre po mbështesin tezën bullgare për ndarjen e Maqedonisë nga Jugosllavia, për të krijuar një republikë të pavarur të Maqedonisë, ose për bashkimin e saj me Bullgarinë. Sido që të jetë Maqedonia do të ndjekë politikat e vendeve të Kominform dhe BRSS do të sigurojë kontaktin me Shqipërinë dhe me ushtrinë e rebelëve komunistë grekë. Në Bullgari, sovjetikët kanë kryer lëvizje të gjera të trupave ushtarake bullgare përgjatë kufirit me Jugosllavinë. Njësi të mëdha artilerie janë dalluar rreth 15 km larg Gornja Dzumaja, ndërsa një regjiment artilerie është transferuar nga Dupnica drejt Jugut. Pranë Krusa (rreth 12 në verilindje të Dragomani) janë vërejtur trupa të reja, dhe dy batalione tankesh kanë ardhur në Strumica. Ndërsa përgatitjet e Titos në krahun tjetër kanë përfshirë kundërmasa të ruajtjes së prestigjit dhe forcës jugosllave në Maqedoni. Në qeverinë e Maqedonisë janë bërë spastrime në degët ekzekutive të administratës, ndaj personave pro-bullgarë ose pro-sovjetikë. Në ushtri gjithashtu shumë kuadro janë zëvendësuar me oficerë serbë ose sllovenë. Ka gjithashtu zhurma se Tito ka rinisur kontaktet me gjeneralin Markos, dhe se njësi të motorizuara jugosllave janë vendosur pranë kufirit grek, për t’i dhënë mbështeje forcave guerile të Markos. Me këtë ndihmë Tito shpreson që të influencojë Markos nga vetja, në rast vështirësish me çështjen e Maqedonisë.

Korrik 1961

Aktivitetet sovjetike në ushtrinë e Shqipërisë

Shqipëria e ashpër malore po kthehet nga sovjetikët në një “Gjibraltar të kuq” në mes të Mesdheut. Që prej përjashtimit të Jugosllavisë nga bashkësia komuniste e Kominform, Shqipërisë po i kushtohet rëndësi e madhe nga BRSS. Ata po pajisin ushtrinë shqiptare me mjete moderne dhe kanë ngritur baza detare dhe raketore në Shqipëri. Inxhinierët dhe teknikët sovjetikë kanë punuar prej vitesh në vend dhe kanë modernizuar bazat. Ata kontrollojnë tashmë shtatë baza ajrore dhe pesë baza nëndetësesh. Baza ajrore e Rinasit pranë Tiranës, Devolli dhe Diranova pranë Beratit, Ergiri në Gjirokastër, Delvina e Aulona pranë Vlorës, dhe Ishmi, një fshat pranë Tiranës. Katër baza detare janë vendosur rreth Vlorës. Një prej tyre është në kepin Linguetta, në veriperëndim të gjirit të Vlorës, dy baza gjenden në Gjirin e Vlorës dhe një në ishullin e Sazanit. Nëndetëset sovjetike besohet se janë shpërndarë në këto baza. Shqipëria rimori ishullin e Sazanit pas Luftës së Dytë Botërore. Sovjetikët kuptuan rëndësinë e tij strategjike dhe nisën ndërtimin e stabilimenteve për vendosjen e nëndetëseve. Besohet se janë ndërtuar rreth dymbëdhjetë vendqëndrime nënujore për nëndetëset në ishullin e Sazanit, teksa pas krizës së kanalit të Suezit u vendos të ndërtohen edhe pesë të tjera. Katër depozita nëntokësore për karburante janë ndërtuar, teksa rreth 12 nëndetëse janë stacionuar aktualisht në ishull. Tre nëndetëset e fundit, erdhën këtu gjatë vizitës së flotës sovjetike. Ishulli i Sazanit është fortifikuar gjithashtu me artileri të rëndë të vendosur në shina. Civilët nuk lejohen aty dhe anijet nuk lejohet të kalojnë pranë ishullit, pasi zona kontrollohet ashpër nga sovjetikët. Nafta e prodhuar në Kuçovë vjen në Vlorë me anë të rrjetit të tubacioneve. Sovjetikët kanë nisur ndërtimin e një rafinerie nafte, në kuadër të ndërtimit të infrastrukturës së plotë mbështetëse për bazën detare të Sazanit. Flota detare ruse në Sazan ka si shënjestër Flotën e Gjashtë të SHBA dhe anijet e saj mbështetëse. Gjashtë nga nëndetëset ruse të dislokuara në Sazan janë vërejtur të ndjekin Flotën e Gjashtë dhe anijet e saj të furnizimit. Ato janë nëndetëse të kategorisë “Ë” me aftësi lundrimi deri në 5000 milje pa nevoja rifurnizimi, që do të thotë se mund të lundrojnë nga Egjeu në Mesdhe dhe brigjet afrikane me lehtësi. Sovjetikët janë gjithashtu të aftë të dërgojnë nëndetëset e tyre në Vlorë në formë të çmontuar, për t’i montuar më pas aty. Më shumë se 400 punonjës shqiptarë dhe ekspertë rusë punojnë në montimin e nëndetëseve sovjetike. Vitet e fundit është vërejtur se disa nga nëndetëset po ndërtohen nën masa fshehtësie në bazën e Vlorës. Raportime të tjera thonë se nëpër tunelet e bazës besohet se janë depozituar një numër i madh pjesësh nëndetësesh të gatshme për t’u montuar.

Bazat ajrore

Sovjetikët kanë të paktën gjashtë baza ajrore në Shqipëri dhe të paktën shtatëdhjetë e pesë avionë gjuajtës MIG 21. Baza e shtatë ajrore sovjetike po ndërtohet në Ishmi pranë Tiranës. Personeli sovjetik prej rreth 4000 ushtarakësh e teknikësh furnizohen me dërgesa të rregullta ajrore dhe detare nga portet e Burgas dhe Konstanta. Avionët MIG 21 raportohet se bëjnë patrullime të rregullta, dhe dy avionë nga skuadronet janë gjithnjë në ajër. Sovjetikët kërkojnë siguri ajrore 24-orëshe. Patrullat e tyre përqendrohen në brigjet e Shqipërisë dhe kundër objektivave të njohur detarë dhe ajrorë. Sovjetikët kanë përfunduar instilacionet e dy njësive raketore dhe kanë nisur ndërtimin e një pike të tretë raketash balistike. Lëshueset kanë kapacitet të mesëm prej 2500 km. Pikat e lëshimit janë të vendosura pranë Tiranës dhe ekzistenca e tyre është sekret i ruajtur ngushtë. Kohët e fundit numri i avionëve rusë MIG 19 të dislokuar në Shqipëri është shtuar shumë.

Forcat detare

Marina e Shqipëri është përforcuar me shtimin e dy luftanijeve nga Rusia. Për momentin personali sovjetik i tyre nuk është zëvendësuar ende. Sovjetikët kanë premtuar se do të sjellin edhe tre luftanije të tjera për Shqipërinë. Anije sovjetike peshkimi të pajisura me radarë dhe antena elektronike po kryejnë survejime hidrografike në disa pika të detit Mesdhe. Në të njëjtën kohë këto anije patrullojnë detin Mesdhe dhe mbajnë nën mbikëqyrje Flotën e Gjashtë të SHBA. Anijet ruse të peshkimit po tregojnë shumë vëmendje në ndjekjen dhe survejimin e Flotës së Gjashtë dhe po kryejnë shumë veprime të tjera sekrete përveç përpilimit të hartave. Sovjetikët kanë përforcuar ushtrinë shqiptare me armë të rënda dhe pajisje të fundit elektronike ushtarake. Aktivitet i konsiderueshëm është dalluar mes misionit ushtarak dhe teknikëve sovjetikë në Shqipëri. Qëllimi i shpenzimeve dhe përpjekjeve të BRSS në Shqipëri është aftësimi për të kontrolluar forcat evropiane ushtarake në brigjet e Afrikës veriore, në zonën e Atlantikut verior dhe në Evropën Perëndimore.

Situate e brendshme ne tremujorin e parë të 1953

Numri i qytetarëve sovjetikë është rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit. të ardhurit përfshijnë punonjës bura dhe gra, shoferë e teknikë. Teknikët punësohen në aktivitete të ndryshme të vendit, përfshi dhe inspektimet sanitare. Inspektorët sanitarë kanë fuqinë të mbyllin vendet që nuk zbatojnë urdhrat e tyre. Shumë nga sovjetikët kanë sjellë me vete familjet e tyre. Mes tyre nuk u dallua reagim i veçantë pas vdekjes së Stalinit, dhe as nuk kishte largime të papritura. Pas vdekjes së Stalinit qeveria shqiptare mori masa shtesë për ruajtjen e rendit, sigurisë dhe kufijve. Urat dhe rrugët kryesore u fortifikuan me armë anti-tank dhe mitralozë të rëndë. Mes popullatës civile nuk u vërejtën shenja trazirash. Në pjesën e parë të vitit shtyp shqiptar njoftoi me jehonë për publikimin e një artikulli të Enver Hoxhës në të përditshmen ruse Pravda. Udhëheqja gjithashtu bëri përpjekje të mëdha për të siguruar popullin për miqësinë e fortë mes Shqipërisë dhe BRSS. Por në disa raste dallohej njëfarë varësie dhe dukej që këto dhënie sigurie ishin kërkuar. Në këtë vit u nënshkruan disa marrëveshje tregtare dhe kulturore me vende të tjera komuniste. Në to përfshihej marrëveshja me Rumaninë, Poloninë, Çekosllovakinë, Gjermaninë Lindore dhe Hungarinë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne