Përplasja Prokurori-Polici për incidentin e Elbasanit

Incidenti i para disa ditëve në Elbasan kur një makinë tip ‘Audi’ e blinduar goditi makinën e nëndrejtorit të policisë së këtij qarku, Gjergji Oshani, vazhdon të jetë i rrethuar me shumë të pathëna.

Përveç absurditetit se institucionet shtetëtore nuk guxojnë të zënë në gojë emrin e personit të dyshuar për këtë ngjarje, sot raportohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur moskompetencë për hetimin e kësaj çështjeje.

Organi i akuzës vlerëson se nga këqyrja e videos së incidentit, efektivëve të policisë nuk u është rrezikuar jeta, pasi ata ndodheshin në distance nga vendi i ngjarjes dhe një pjesë e tyre ishin brenda në furgonin e forcave speciale “Shqiponja”. Ndërkohë krejt e kundërta thuhet në raportin e brendshëm të hartuar nga policia për ngjarjen, raport i cili u publikua ekskluzivisht nga Lapsi.al javën e kaluar.

“Nga goditja që autovetura ‘Audi’ i bëri makinës së policisë me targë MB002AA, kjo e fundit është zhvendosur nga vendodhja fillestare (vendodhja fillestaree saj kishte qenë paralel me derën e objektit, me drejtim lëvizjeje nga qyteti Elbasan). Nga ky manovrim i drejtuesit të autoveturës ‘Audi’, u rrezikua dukshëm jeta e oficerëve të policisë që ishin brenda kësaj makine në këtë moment, dhe e policëve të tjerë, që ndërkohë po përgatiteshin të hipnin në makinat përkatëse për të shkuar në Komisariat”, thuhet në raportin e policisë.

Duke u nisur nga qëndrimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila e ka kaluar çështjen për hetim te Prokuroria e Elbasanit, por edhe nga qëndrimi i Policisë, është e qartë se ka një tentativë për ta fashitur këtë histori apo për ta shmangur përgjegjësinë.

Kjo të bën të besosh se personi që shkaktoi incidentin ka mbështetje politike, në nivele të atilla sa që as Prokuroria dhe as Policia nuk guxojnë të avancojnë hetimet për ta vënë përpara përgjegjësisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne