Përse ky tubim i udhëheqësve të 17 shteteve islame e arabe për t’i shtrirë tapetin e kuq presidentit Trump në tokën e 2 Xhamive të Shenjta?

Cilat janë arritjet që u ka ofruar arabëve dhe myslimanëve përveç urrejtjes dhe racizmit përderisa meritoka këtë nder, të cilin nuk e meritokan udhëheqës të tjerë amerikanë e botërorë? Cilët janë përbërësit e “çorbës” që po gatuhet mbi zjarr të nxehtë?

Abdul Bari Atuan

Mbreti saudit Selman bin Abdul Aziz u ofroi ftesë udhëheqësve të 17 vendeve arabe e myslimane për të marrë pjesë në një takim samit me presidentin amerikan Donald Trump, gjatë vizitës së tij në Riad më datë 20 të këtij muaji. Nuk ka ndonjë lajm në lidhje me agjendën e këtij samiti dhe me çështjet që mund të diskutohen në të, ashtu siç bëhet zakonisht në takime të tilla, qofshin ato evropiane, arabe, afrikane apo aziatike. A do të ketë për qëllim ky takim kurorëzimin e Trumpit si lider të një aleance që do të përfshijë këto vende “sunite”, apo shfajësimin e qëndrimeve të tij dhe pastrimin e reputacionit të tij si një president amerikan racist, i cili ka urrejtje ndaj Islamit dhe myslimanëve – urrejtje të cilën jo vetëm që nuk e fshehu gjatë fushatës së tij, por edhe e shprehu atë paturpësisht në ditët e para të presidencës së tij kur miratoi legjislacionin për ndalimin e qytetarëve të gjashtë vendeve arabe për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Gjithashtu, ai (pra, Trumpi) nuk ka treguar ndonjë dashamirësi ndaj shteteve të Gjirit, madje edhe ndaj vetë Arabisë Saudite, kur ushtroi llojet më të shëmtuara të shantazhit financiar ndaj saj dhe tha se ajo duhet t’i paguajë Amerikës çmimin për mbrojtjen që i ofron, përndryshe do të kishte zhdukur nga ekzistenca.

***

Mënyra e ofrimit të ftesës së mbartur nga ministri i jashtëm saudit drejt disa kryeqyteteve të përzgjedhura arabe dhe islame, të tilla si Maroku, Jordania, Egjipti dhe Pakistani, të krijojnë përshtypjen se ajo i ngjan më shumë një “fletë-thirrjeje” apo një “mandati” për t’u paraqitur, të ngjashme me ato që lëshohen nga komisariatet policore në vendet arabe, apo në vendet e botës së tretë.

Pra, përse gjithë kjo “dasmë” për presidentin Trump që e urren populli i tij, përse kjo festë për të, dhe përse ky ri-marketing i tij, kur ai shfaq armiqësi ndaj nesh – arabë dhe myslimanë – nisur nga premisa të pastra raciste? A mos bëhet fjalë për dëshirën e tij, apo zbatimin e planeve të tij për të provokuar luftë sektare në rajon dhe për t’i shërbyer armikut izraelit?

Një pyetje tjetër, të cilën e ndiejmë të nevojshme ta shtrojmë; cila është arsyeja që shteti organizator saudit organizon dy samite për presidentin Trump, një me liderët e shteteve të Gjirit (Persik) dhe të dytin me “të tjerët”?! A nuk janë udhëheqësit e vendeve arabe të Gjirit (Persik) prej arabëve dhe myslimanëve gjithashtu?! Përse gjithë kjo ndasi, apo më mirë, ky dallim?

Shtrojmë edhe një pyetje të tretë, apo të katërt, apo të pestë… Përse Mbretëria e Arabisë Saudite e veçon presidentin Trump me këtë pritje të ngrohtë dhe nuk bën të njëjtën gjë me presidentin rus Vladimir Putin apo me atë kinez Xi Jinping, për shembull?! A nuk përfaqësojnë këta dy liderë dy superfuqi gjithashtu?! Përse arabët dhe myslimanët portretizohen sikur të ishin pasues të Amerikës?!

***

Është edhe një nën-pyetje tjetër rreth mosushtrimit të këtij precedenti me presidentë të tjerë amerikanë, si Barack Obama, apo Bill Klinton, apo edhe George W. Bush. Çfarë u ka ofruar Trump – i cili e ka marrë detyrën vetëm njëqind ditë më parë – bashkësive arabe dhe islame që ta meritojë këtë nderim, madje edhe nga shteti në të cilin ndodhen vendet e shenjta islame dhe që pret dy milionë haxhinj dhe dhjetë milionë vizitorë myslimanë në vit?! A mos ka çliruar Trumpi Xhaminë Al-Aksa, vallë?!

Vëmë duart në zemër për këtë vizitë dhe për këtë pritje të ngrohtë dhe tani për tani mjaftohemi duke ngritur pyetje dhe duke shtuar pikëpyetje. Por do të kthehemi pasi të jetë qetësuar pluhuri dhe të jenë qartësuar tiparet e çorbës së vërtetë, e cila ndoshta është duke u gatuar në prapaskenat e këtyre samiteve.

⃰ Opinion i kreut të redaksisë së gazetës elektronike “Ra’jul Jeum”, i datës 10 maj 2017./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne