Përse plasi tani kriza Serbi-Maqedoni, luftë spiunazhesh, shqiptarët, apo…

Ka ardhur i papritur për diplomacinë ndërkombëtare, veprimi drastik i Serbisë për të tërhequr të gjithë stafin diplomatik të saj nga Shkupi. Misterin e kësaj mase që zakonisht nga një shtet merret vetëm “në prag lufte” e shtoi edhe më shumë mosdhënia e një shpjegimi zyrtar fillimisht.

Por pa kaluar 24 orë, ka qenë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i cili ka dhënë një motiv për këtë hap ekstrem. Sipas tij tërheqja e gjithë personelit të Ambasadës serbe në Maqedoni erdhi, pasi institucionet përkatëse kanë paraqitur dëshmi për një veprim ofensivë, të inteligjencës maqedonase, kundër institucioneve të Serbisë.

“Organet tona kompetente konfirmuan dhe parashtruan argumente për veprimtari kundërzbulimi, kundër institucioneve të Serbisë”, deklaroi ai para gazetarëve.

Presidenti serb nuk ka dashur të paraqesë detaje të tjera, por ka lëshuar një fjali e cila e ka rritur edhe më shumë konspiracionin për atë që po ndodh mes dy vendeve dikur aleatë të ngushtë, jo vetëm ekonomikë.

“Për shtatë deri dhjetë ditë, gjërat do të jenë më të qarta”, deklaroi në mënyrë të mistershme presidenti i Serbisë.

Nga ana tjetër ministri i Jashtëm Ivica Daçiç ka qenë, edhe më radikal. Ai ju ka deklaruar mediave se, Serbia do t’i ndërmarrë të gjitha masat që t’i mbrojë interesat e shtetit në rrethanat e krijuara së fundmi.

“Tashmë javën e ardhshme, pas takimit që do ta kemi, do të kemi edhe takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe një pjesë e personelit do të kthehet në Shkup. Ndërkaq, ambasadori do të kthehet më vonë, kur të mbarojmë me të gjitha konsultimet, të cilat synojmë t’i kryejmë këtu në Beograd”, theksoi ai duke njoftuar edhe mos mbylljen përfundimtare të ambasadës së tyre në Shkup.

Përpara këtyre qëndrimeve zyrtare të krerëve më të lartë të Beogradit, qeveria e Maqedonisë përmes një komunikate për mediat ditën e djeshme theksonte thatë dhe më një nënkuptim “habie” për aktin, se Republika e Maqedonisë zhvillon marrëdhënie miqësore me të gjitha vendet fqinje, përfshi këtu dhe Serbinë.

“Kur ekzistojnë çështje sensitive të hapura midis dy fqinjëve tanë, Qeveria e Maqedonisë gjithmonë i ndjek interesat e shtetit të bazuara në parimet e fqinjësisë së mirë dhe avancimit të bashkëpunimit rajonal, neutralitetit dhe mos përzierjes në kontestet midis vendeve”, thuhej në njoftimin e Qeverisë në Shkup.

Varianti i parë që u përhap menjëherë pas ngjarjes së papritur që krijoi në media shumë teori konspiracioni ishte, se tërheqja e personelit serb nga ambasada në Shkup ndërlidhej edhe me mundësinë që Maqedonia të kërkonte votimin për pranimin e Kosovës në UNESCO, veprim ky që kundërshtohet ashpër nga Serbia.

Por edhe këtë e ka shpjeguar vetë qeveria Maqedonase, në njoftimin e saj;

“Lidhur me votimin e anëtarësimit të Kosovë në UNESCO, Qeveria e Republikës së Maqedonisë do ta ketë parasysh pozicionin e shumicës së vendeve anëtare të BE-së”, theksohet në njoftimin për mediat.

Njohës të mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë deklaruar për REL, se tërheqja e gjithë stafit të ambasadës serbe në Shkup paraqet një hap serioz në drejtim të tensionimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

“Kjo është një çështje shumë serioze që tregon se Serbia do t’i acarojë raportet me Maqedoninë në funksion të krijimit të një lloj trysnie gjatë votimeve eventuale në organizmat ndërkombëtare, me ç’rast nga Maqedonia pritet që të ndryshojë qëndrimin e saj në raport me Kosovën”, thekson Bllagoja Zashov, ish-ambasador i Maqedonisë në Beograd.

Sipas tij, tërheqja e gjithë stafit diplomatik në konsultime tregon qartë, se raportet mes Maqedonisë dhe Serbisë hyjnë në një fazë serioze të trysnisë diplomatike.

Nga ana tjetër ish-ambasadori tjetër, Alajdin Demiri ka një variant pak më ndryshe se homologu i tij, për të vërtetën e veprimit drastik të Beogradit ndaj fqinjit me shumicë sllave.

Sipas Demirit, ftohja e raporteve të njëanshme nga ana e Serbisë me Maqedonisë synon  që të pengojë zhvillimin e hetimeve nga ana e autoriteteve maqedonase, për një pjesëtar të ambasadës serbe në Shkup që u kap në mes të protestuesve, të cilët u futën me dhunë në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill, ditën e zgjedhjes së kryetarit të këtij institucioni. Në këtë ngjarje pati dhunë ndaj kryeministrit të sotëm Zoran Zajev si dhe u masakrua deputeti shqiptar, Zijadin Zela.

“Në një mënyrë doli qartë në pah se shërbimet serbe ishin të përziera në zhvillimet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë gjatë zgjedhjes së kryetarit të këtij institucioni. Përderisa zhvillohen hetimet për atë se çka saktë ndodhi atë ditë në Kuvend dhe si i punësuari në Ambasadën serbe ishte i pranishëm në mesin e protestuesve, zhvillimet e fundit me tërheqjen e gjithë stafit të Ambasadës serbe mund të jenë një kundërpërgjigje ndaj hetimeve të autoriteteve të Maqedonisë, në mënyrë që mos të shkojnë deri në fund, nën pretekstin e ftohjes së marrëdhënieve mes Serbisë dhe Maqedonisë. Sqarim tjetër nuk ka”, thotë për REL, ish Alajdin Demiri.

Por kryeministri Vuçiç duket se mendon të kundërtën me deklaratat e tij të fundit, ku akuzon për spiunazh kudër vendit të tij pikërisht Maqedoninë, që pretendon se në fakt është ajo viktimë e shërbimeve sekrete serbe.

Në fakt shumica e analistëve dhe diplomatëve mendojnë, se prapa gjithë kësaj fshihet një presion i Serbisë për “çështjen Kosova” dhe anëtarësimin e saj në UNESKO, ku vota e Maqedonisë është shumë e rëndësishme.

Marrëdhëniet diplomatike mes Maqedonisë dhe Serbisë, të vendosura në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, disa herë kanë pësuar luhatje, kryesisht për shkak të qëndrimeve pozitive të Maqedonisë karshi Kosovës.

Maqedonia e ka njohur pavarësinë e Kosovës menjëherë pas shpalljes së saj në vitin 2008. Edhe në atë kohë, Beogradi zyrtar ndërmori hapa ekstrem duke e shpallur ambasadorin e Maqedonisë në Serbi, Aleksandar Vasilevski, person të padëshiruar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne