Përsëriteni pas meje, protestat në Venezuelë janë të mira, protestat në Francë janë të këqija!

nga Neil Clark.

Protesta të mëdha në rrugët e Francës dhe Venezuelës. Dy presidentë me një vlerësim të ulët. Por vetëm njërit i është mohuar legjitimiteti nga “demokracitë” perëndimore dhe nga vetë presidenti francez.

Pikërisht kur menduat se hipokrizia e globalizmit nuk do të mund të përkeqësohej, ajo fare thjesht ndodhi.

Franca dhe Venezuela kanë përjetuar në javët e fundit protesta të mëdha anti-qeveritare. Ato janë nxitur nga faktorët ekonomikë dhe rritjet e vështirësive financiare për shumicën.

Por vetëm në Venezuelë ka ndodhur që udhëheqësi i zgjedhur në mënyrë demokratike, Nicolas Maduro, të urdhërohet që të japë dorëheqjen dhe kundërshtari i tij politik Juan Guaido të vaftiset si president. ‘Demokracitë e mira e të vjetra’ të SHBA-së dhe të BE-së janë rreshtuar në një krah për të ‘njohur’ Guaidon. Ata thjesht janë çmendur për atë djalë dhe jo për Maduron.

Megjithatë në Francë ekziston një histori shumë e ndryshme. Këtu kemi protestuesit e rrugës, jelekët e verdhë, të cilët kanë tashmë një reputacion të dëmtuar. Ata janë ‘populistë’ dhe ka pasur pretendime se e gjithë kjo është nxitur nga Rusia.

Venezuelasit kanë arsye të ligjshme për të dalë në rrugë dhe për të protestuar kundër presidentit të tyre në kohëra të vështira, megjithatë populli francez nuk e ka këtë. Asnjëherë madje!

Për ti shtuar më shumë dhimbje lëndimeve të plumbave prej gome, Emmanuel Macron, njeriu që ka shkaktuar protestat më të mëdha në Francë për më shumë se gjysmë shekulli, ka fytyrë dhe del në ballë të atyre që mbështesin një udhëheqës të pazgjedhur në Venezuelë, dhe e gjitha në emër të ‘demokracisë’.

Gilbert dhe Sullivan nuk mund të kishin krijuar një botë më të crregullt. Ata që cirren dhe bërtasin më shumë për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, janë shkatërruesit më të mëdhenj të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. Mbrojtësit më të vendosur të ‘rendit dhe ligjit’ në një vend, janë avokatët më të zëshëm të anarkisë dhe shkatërrimit të godinave qeveritare në një vend tjetër. Përsëriteni pas meje, protestat në Venezuelë janë të mira, protestat në Francë janë të këqija! Shumë të këqija!

Kur është fjala për masat e njerëzve që Macron dhe Maduro kanë me vete, sipas sondazheve duket se popullariteti i tyre është i barabartë. Vlerësimi për Macronin ra me 18% në fillim të dhjetorit, megjithëse që nga ajo kohë e tejkaloi shifrën 30%. Rreth 73 për qind mendojnë se ai është autoritar. Në Venezuelë në nëntor, 63% e njerëzve thanë se mbështesnin një ‘zgjidhje të negociuar’ për të larguar Maduron nga posti.

Mund të themi se ndoshta është e vërtetë se shumica e njerëzve sot në Francë dhe Venezuelë duan që udhëheqësit e tyre të pranishëm të largohen.

Por arsyeja pse ka kaq shumë presion ndërkombëtar mbi Maduron për t’u larguar dhe jo mbi Macronin nuk është për shkak të shtrirjes së vështirësive ekonomike, shkallës së ‘abuzimeve të të drejtave të njeriut’ apo numrit të njerëzve që kanë dalë në rrugë, por për shkak se dikush po e bën këtë i nxitur nga interesat, ashtu sikurse filozofi grek i politikës dhe i ekonomisë Takis Fotopoulos e ka quajtur ‘Elita Transnacionale’.

Macron është një ish-bankier, misioni i të cilit është të “reformojë” ekonominë franceze në linjat neoliberale. Për politikën e jashtme ai mbështet “ndërhyrjen liberale” dhe dislokimin e trupave franceze (ilegalisht) në Siri. Franca është anëtare e NATO-s dhe që nga fundi i Gaullizmit është dhe një aleat i qëndrueshëm i SHBA-së.

Maduro në të kundërt është një ish-shofer autobusi, vendi i të cilit operon një ekonomi kryesisht socialiste. Politika e tij e jashtme është fuqimisht anti-imperialiste. Venezuela është aleat i Rusisë dhe jo i SHBA-së. Ajo e kundërshtoi ‘ndryshimin e regjimit’ në Siri.

Nuk duhet të jesh Albert Ajnshtajni që të kuptosh se pse elitat transnacionale të ekonomisë, politikës, propagandës, botës akademike dhe kulturore që janë klasifikuar në librin e Fotopoulos, ‘Rendi i Ri Botëror në Veprim’, po luftojnë fort kundër Maduros dhe jo kundër Macronit.

Macron mund të përçmohet dhe përbuzet nga miliona bashkatdhetarë të tij, megjithatë ai nuk përbuzet nga njerëzit që sot kanë pushtetin më të madh në Perëndim. E kundërta është me Maduron. Për të pasur dorën e saj tek pasuritë e Francës, elitës transnacionale i duhet që Macroni të qëndrojë. Për të kapur pasuritë e Venezuelës dhe në veçanti naftën e vendit, ata kanë nevojë që Maduro të largohet.

Kjo mund të shpjegojë atë pse protestat e mbuluara mediatikisht të Venezuelës kane fituar aq shumë simpati, megjithëse aktet e tmerrshme të dhunës të kryera nga protestuesit antiqeveritarë si rasti i djegies për së gjalli i një personi me ngjyrë në Caracas në vitin 2017 kanë qënë mjaft të dukshme, ndërsa në anën tjeter protestat në Francë të shfaqura nëpër media kanë qenë për tu pasur zili.

Më herët këtë javë në Britani, ne ishim dëshmitarë të një veprimi spektakolar grotesk nga ana e deputetit laburist kundër luftës Chris Williamson, i cili kundërshton ndërhyrjen perëndimore në Venezuelë. Ai u sulmua ashpër gjatë një debati me prezantuesin Jon Snow të televizionit Channel 4 News. Deputeti laburist e kundërshtoi fort mbështetjen dhe njohjen që po i bëhej nga Perëndimi një udhëheqësi opozitar të vetëshpallur në mënyrë të jashtëligjshme.

A mund të imagjinoni që dikush të sulmohet në një mënyrë të tillë për mos mbështetje të Jean-Luc Melenchonit nëse ky i fundit do të shpallej president i Francës?

Sigurisht që kjo nuk ka për të ndodhur.

“Elita transnacionale” nuk dëshiron të shohë Jean Luc-un në pushtet dhe as Marine Le Penin. Macron është presidenti i “zgjedhur në mënyrë demokratike” dhe kjo i jep fund, pa marrë parasysh se sa shumë njerëz dalin në rrugë për të protestuar. Megjithatë, pavarësisht fitoreve të tij zgjedhore në Venezuelë, Maduro për ata është më i lehtë për tu sulmuar dhe goditur.

Këtë gjendje e kemi parë edhe më parë, madje shumë herë.

Mund ta themi fare qartë se rregulli është ky: nëse një udhëheqës i një vendi të pasur me burime të rëndësishme strategjike bëhet pengesë e aspiratave hegjemoniste të elitës transnacionale, ai do të bëhet shenjestër e një fushate demonizuese dhe delegjimituese.

Në vitin 2009, na u tha se zgjedhjet presidenciale në Iran të cilat rezultuan me fitore për Mahmud Ahmadinexhatin e “vijës së ashpër”, ishin pa pikë dyshimi ‘të vjedhura’. U desh që versionin dominues ta sfidonte një sh-punojësi i CIA-s, Robert Baer. “Sondazhet e vetme të besueshme të zhvilluara në prag të votimit, i dhanë fitoren e zgjedhjeve Ahmadinexhadit, ku përqindja e kalonte shifrën 63% që në fakt ai arriti të marrë,” shkroi ai në atë kohë.

Nëse ideja se Nicolas Maduro nuk mund të konsiderohet president legjitim i Venezuelës për arsyen se një numër i madh njerëzish e kundërshtojnë atë, atëherë i bie që pothuajse cdo udhëheqës aktual në botë nuk është ‘i ligjshëm’.

Thjesht, nëse Maduro duhet që të largohet nga pushteti, atëherë me të njëjtën logjikë duhet të largohet edhe Macroni me Donald Trumpin, i cili për të mos harruar, nuk e fitoi as votën popullore në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 dhe sot drejton një vend thellësisht të ndarë.

Për më tepër, nëse merren parasysh shkeljet e të drejtave të njeriut, çfarë mund të themi për “të drejtat e njeriut” të protestuesve në rrugët e Francës, të cilët i janë nënshtruar një trajtimi brutal prej autoriteteve? Më herët këtë vit, francezi 28-vjeçar Hedi Martin u dënua me gjashtë muaj burg pasi bëri thirrje për një protestë të lejekëve të verdhë. Që atëherë janë arrestuar qindra të tjerë.

Por kjo nuk ndodh në Venezuelë, kështu që nuk ja vlen që t’i kushtojmë shumë vëmendje. Mos harroni, revolucioni i vërtetë – ai që e sfidon dhe nuk e ndihmon kauzën e elitës transnacionale – nuk ka për tu transmetuar mediatikisht. Dhe me siguri që Macroni nuk ka për të brohoritur për këtë./rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne