Përshkallëzohet revolta, studentët: Do nisim grevën e urisë

Studentët vazhdojnë bojkotin dhe ngujimin në fakultet. Të rinjtë kanë lënë afat deri në fundjavë për plotësimin e pikave, mos reagimi i çon në grevë urie. Pedagogët e fakultetit të Gjeologji-Minierave i lënë afat 15 ditë qeverisë për të rikthyer godinën. Rama pritet me parulla në Elbasan

Enida Vërça

Studentët në mënyrë masive vazhdojnë bojkotin dhe ngujimin në fakultetet e tyre. Ata paralajmërojnë se duke filluar nga dita e hënë do të nisin grevën e urisë. Në Fakultetin e Drejtësisë studentët vazhdojnë të mbajnë të bllokuara dyert e auditorëve, duke mos lejuar zhvillimin e mësimit. Të rinjtë shprehen për “Shekullin”, se kanë qenë anëtarë e FRESHI-t ata të cilët kanë kërkuar zhvillimin e mësimit. Sipas tyre, kjo i ka penalizuar dhe ka bërë që të ketë kontradikta mes studentëve. Vilson Kulemani, është një prej studentëve i cili vazhdon ngujimin që prej ditës së parë, duke rezistuar me një grup të madh të studentëve të tjerë. “Ne do të qëndrojmë deri të dielën në darkë në ngujim dhe nga e hëna do të nisim grevën e urisë. Po ashtu kemi vendosur t’i drejtojmë një kërkesë zyrtare dekanëve, që të bëhen gati, në lidhje me hapin tonë, i cili është vendimtar. Jemi gati 100 studentë nga të gjitha fakultetet, të cilët do hyjmë në grevë. Te Juridiku jemi gati 40 studentë të gatshëm për të filluar këtë hap, i cili do jetë i fundit. Ka studentë nga Juridiku, Arkitektura, Ekonomiku, Shkencat, që janë të gatshëm. Këto ditë do të rikrijojmë edhe disa lista, për ata persona të cilët janë të gatshëm për këtë hap”, thotë studenti për “Shekullin”. Me tej asi shton se protesta e opozitës , mund të kthehet në një problem për studentët. “Kemi problem opozitën tani, e cila pas kaq shumë ditë proteste, kujtohet për të bërë protestën e saj në këto momente, ku ne jemi në kulmin e vendimeve. Sigurisht nuk kanë lidhje fare me ne, por presioni i lartë mund të bëjë që në qoftë se në datë 28 ka protestë opozita, në datë 27 mund të dalë Rama dhe të thotë ua plotësova pikat, duke mashtruar. Për këtë arsye kemi lënën afat deri të dielën për të parë se çfarë do të bëhet dhe ku do të arrihet”, sqaroi më tej ai. I pyetur nëse ka pasur incidente gjatë ngujimit të tyre, studenti thotë se ka pasur vetëm debate mes të rinjve. “ Incidente nuk kemi pasur, thjeshtë debate për hapjen e godinës në kat të parë. Janë disa anëtarë të FRESHI-t të cilët vijnë dhe kërkojnë mësim. Dhe duket sikur këta na kanë sjellë debate të vazhdueshme. Ata kanë kërkuar që të lirohen dy katet e para të Juridikut dhe pjesa tjetër të përdoret për bojkot. Normalisht nuk do të hapet asnjë derë dhe asnjë pedagog nuk do të hyjë brenda, pa një vendim tonin. Ne presim disa përgjigje, pasi është mbledhur Senati Akademik, por nuk e dimë kur do na i kthejnë. P.sh ka disa pedagogë të cilët kanë dalë pro ngujimit dhe bojkotit dhe nuk do të shkojnë në punë pa plotësimin e pikave. Pra një grevë, ashtu siç ishin pedagogët e Histori-Filologjisë. Pra, nuk janë vetëm studentët që nuk do të shkojnë në auditorë, por edhe pedagogët”, përfundon ai.

Ekonomiku: Presim të na bashkohen pedagogët

Ndryshe nga fakulteti i Drejtësisë, në atë të Ekonomikut studentët kanë vazhduar bojkotin, si shenjë proteste. Altin Kola, student i viti të tretë dega financë tha për “Shekullin”, se pritet mbledhja e asamblesë së pedagogëve, për të parë nëse do u rikthehen auditorëve apo do të vazhdoj bojkoti. “Ka një pjesë e cila vazhdon bojkot, por pedagogët po bëjnë punën e tyre, duke zhvilluar mësimin për pjesën e cila ka vendosur t’u rikthehet auditorëve. Disa kërkesa që ne ja kemi adresuar dekanatit, siç janë karriget, interneti dhe nevojat imediate kanë nisur të realizohen. E vetmja gjë që ka mbetur nga kërkesat tona imediate, është rikonstruksionin e godinës, e cila do rreth 6 muaj. Po ashtu kërkesa e studentëve për të marrë vërtetim pa pagesë, po realizohet. Kjo është në nivel fakulteti, ndërsa në nivel universiteti jemi të vetëdijshëm që shumica është në bojkot”, tha ai. Me tej shtoj se vendimi përfundimtar për fatin e protestës do të merret pas mbledhjes së senatit të Universiteti të Tiranës, që pritet të ndodhë ditën e premte. “Në këtë mbledhje do të diskutohet shfuqizimi i disa VKM-ve për Ligjin Arsimit të Larët. Po ashtu një zgjidhje do i jepet nëse vazhdon bojkoti, do të jetë vetëm me studentët apo së bashku me pedagogët”, tha Kola. “Në fakultetin tonë do të krijohet një Asamble e Pedagogëve dhe nëse ata bashkohen me kërkesat tona, protesta do të kalojë në nivel tjetër. Por presim që të ndodhë mbledhja e kësaj asambleje”, sqaroj me tej. Kola tha se studentët janë të vetëdijshëm që asnjë nga kërkesat e tyre nuk është plotësuar dhe kjo mund t’i shtyjë të rinjtë të ringrihen sërish në protesta edhe më të organizuara.

“Mos na zhgënjeni, mos na tradhtoni!”

Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës vazhdon bojkoti masiv i auditorëve. Për këtë të mërkurë pritet që të mbahet Asambleja e Personelit Akademik. Studentët e këtij fakulteti i kanë bërë thirrje pedagogëve për mbështetje,deri në fitoren e kësaj kauze. “Ne, studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, si dhjetëra mijëra studentë anembanë Shqipërisë, kemi mbi një muaj që protestojmë dhe bojkotojmë për të drejta bazike dhe për një universitet më të mirë. Disa asamble pedagogësh kanë dalë hapur pro studentëve dhe të tjera priten të solidarizohen me studentët në këto orë dhe ditë. Kërkojmë nga ju mbështetje maksimale. Do ta lartësonit figurën e pedagogut nëse sot shpreheni qartë dhe me zë të plotë pro kërkesave dhe protestës sonë, si dhe kundër ligjit të arsimit të lartë që po na e pamundëson universitetin. Ne kemi besim të madh te ju. Mos na zhgënjeni! Mos na tradhtoni!”, thuhet në këtë thirrje drejtuar stafit pedagogjik. Bojkoti nuk ka munguar edhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe në atë të Shkencave Sociale. Në këtë të fundit bojkoti dhe zaptimi i fakulteti ka vazhduar me aktivitet të ndryshme.

Rama pritet me parulla në Elbasan

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Elbasanit ditën e djeshme ku ka kryer një inspektim në Spitalin Rajonal të Elbasanit si dhe një takim në prefekturë me drejtues të rëndësishëm të institucioneve. Ndërkohë që gjatë vizitës së sotme Rama ka zhvilluar dhe një takim me disa studentë në ambientet e konvikteve, ku ishte e pranishme dhe ministrja e Arsimit Besa Shahini. Por kryeministri është pritur nga disa studentë me protesta, të cilët kanë shpalosur parulla kundër “Paktit për Universitetin”, i cili është propozuar nga qeveria si zgjidhje për kërkesat e tyre. Sikur ky incident të mos mjaftonte, në sallën ku është prezantuar “Pakti”, një prej studentëve është nxjerr jashtë me pretendimin se nuk ishte në listë. Studenti u shpreh në një dalje për mediat, se ai nuk u lejua brenda, ndonëse emri i tij ishte në listë. “30% ishin studentë të konvikteve dhe 70% ishin të tjerë”, tha studenti ndërsa shtoi se në sallë janë lejuar të hynë vetëm FRESSH-istët.

Gjeologjiku

Pedagogët i vënë kushte qeverisë: 15 ditë kohë për të kthyer godinën

Pas mbledhjes së Asamblesë së Personelit Akademik të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave stafi vendosi të mbështesë protestën e studentëve. Mes të tjerash, pedagogët njëzëri kanë kërkuar edhe anulimin  e VKM-së që fakultetin e lë pa godinë, duke paralajmëruar bojkot pa afat të mësimit, nëse VKM-ja nuk shfuqizohet brenda 15 ditësh. “Kërkojmë abrogimin e Ligjit në Arsimin e Lartë. Solidarizohemi me Asamblenë e Personelit Akademik të fakulteteve të tjera dhe mbështesim idenë e një mbledhjeje të përgjithshme mes përfaqësuesve të fakulteteve. Shumësia e stafeve pedagogjike të fakulteteve po shpreh hapur mbështetjen ndaj bojkotit studentor, duke iu bashkuar atij në disa raste, dhe kupton se anulimi i ligjit është pikënisja e një reforme të thellë dhe demokratike në arsim për rritjen substanciale të cilësisë së jetës universitare. Universitarët – studentë e pedagogë – përbëjnë bllokun e vërtetë opozitar ndaj degjenerimit që e kanë çuar vendin sistemet kleptokratike deri më sot”, thuhet në deklaratën e Asamblesë së Personelit Akademik të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave. Ashtu si çdo ditë, studentët e këtij fakulteti vazhduan bojkotin. Studentët thanë për “Shekullin”, se me shumicë vote dhe me mbështetje të stafit pedagogjik do të vazhdojnë bojkotin. “ Me shumicë vote ne do vazhdojmë në këtë drejtim. Pjesa që nuk ka qenë pjesëmarrës, është automatikisht në bojkot”, tha Klodi Leka. Studenti nuk lë pa përmendur edhe godinën e cila i ka kaluar tashmë Ministrisë së Drejtësisë. Në këto ambiente ka një projekt të firmosur që prej 2014-së, ku pjesa e parë është për Magjistraturën, super luksoze, ndërkohë poshtë saj është godina aktuale e cila është në gjendje të mjerueshme. Vendit tonë nuk i nevojiten aq shumë njerëz me kollare, të cilët vetëm gënjejnë dhe mashtrojnë, por i nevojiten inxhinier dhe njerëz të aftë. Ne i kemi dërguar edhe një kërkesë dekanit, për kthimin në pronësi të kësaj godine të fakulteti të Gjeologji-Minierave. Shpresojmë që të kemi një përgjigje pozitive, pasi kushtet e këtij fakulteti kanë mbetur të pandryshuara që nga ndërtimi tij në 1957-ën. Çdo ditë shikojmë personat e Magjistraturës, që rrinë në zyra luksoze, të ngrohta në këtë godinë, ndërsa studentët nuk kanë kushtet elementare”, u shpreh Leka. Po ashtu nënvizoj faktin se në këtë godinë ka një diferencë të madhe si në aspektin e mirëmbajtës po ashtu edhe sociale. “Kemi student të cilët nuk kanë abone apo kartë studenti dhe detyrohen të vijnë në shi dhe diell, nga ana tjetër po në këtë godinë kemi studentë të cilët vijnë me makina të shtrenjta, super luksoze, që duan tu marrin këtë godinë gjeologëve”, përfundoj ai. Po ashtu studentët thonë se asnjë nga pikat e tyre nuk është plotësuar dhe nuk do të kishte kuptim të rikthehemi në auditorë pa plotësimin e tyre.”Asnjë nga pikat që ne kemi kërkuar, nuk është realizuar. Ka shumë pika të cilat janë premtuar prej kohësh dhe jemi në të njëjtën gjendje. Karta e studentit, p.sh është premtuar që në 2015 dhe vazhdon ende të mos jetë realizuar. Kemi dhe shumë problem të tjera. Kryeministri çdo gjë e bëri qëllimisht edhe me tarifat, duke eliminuar ato të masterit, ku problem ynë është pikërisht ai. Z.Rama mund të thotë mos e vazhdoni masterin, por ne e dimë që askush nuk të merr në punë pa master. Sidomos profilet tona”, tha Eranda Ibrahimi, student në Fakultetin e Gjeologji-Minierave.

Bojkot 100% në fakultetin e Histori-Filologjisë

Studentët e Fakultetit të Histori-Filologjisë vijojnë bojkotimin e mësimit dhe janë të vendosur të mos tërhiqen deri në plotësimin e të gjithave kërkesave. Ata shprehen se ditët e fundit është shtuar ardhja e studentëve në ambientet e universitetit, por kjo është gjë e mirë, sipas tyre, ata tashmë kanë  mundësinë që  të diskutojnë dhe të kuptohen me njëri-tjetrin se çfarë kërkojnë. “Nuk duhet të kenë frikë studentët që protestojnë për studentët që janë rikthyer, por kryeministri dhe qeveria. Në bazë të disa sondazheve që kemi realizuar, pjesa dërrmuese e studentëve janë pro bojkotit. Nëse pedagogët do të na dalin në mbështetje, kjo do të ishte akoma më mirë, por edhe nëse jo, ne do të vijojmë të protestomë” u shprehen ata për mediat. Sipas studentëve, vendimi i rektoratit për shlyerjen e orëve që kanë munguar gjatë protestave është një kërcënim që do të merren mungesa. Sipas tyre, kjo nuk është një problem për ta. Senad Tula, student i vitit të dytë, Master për Marrëdhënie me Publikun në një deklaratë për mediat nga ambientet e fakulteti tha, se bojkoti do të vazhdoj pa afat. “Çdo student e do mësimin, por ne nuk pranojmë të hyjmë në mësim, me këto kushte që kemi. Ne dolëm në dhjetor në një protestë për të përmirësuar arsimin dhe universitetin. Kërkesat nuk janë plotësuar. Argumenti është shumë i thjeshtë dhe logjik, duke qenë se kërkesat tona nuk u plotësuan, ne nuk kemi arsye që të hyjmë në mësim. Sigurisht që mësimin e duam, por nuk hyjmë në mësim pasi kushtet tona nuk janë plotësuar”, tha ai. Më tej kërkoi nga studentët që të ketë një masivizim edhe më të madh dhe të mos kenë frikë nga humbja e vitit akademik. “Si fillim ne nuk e humbasim vitin akademik, kjo nuk ndodhi në 90’ kur ndërroj sistemi, jo më sot. Së dyti, ne kemi koordinatorët e degëve përkatëse, kanë bërë takime me dekanin dhe ky i fundit i ka mbështetur. Ai ka thënë që do të ketë një zgjidhje në favor të studentëve. Pra, i gjithë ky proces mësimor që ka humbur, do të rikuperohet. Nuk do të ketë penalizime për asnjë. Kjo protestë që ne po bëjmë është marrë shembull nga të gjithë. Ne kemi arritur të bëjmë një jetë universitare, me gjithçka që kemi realizuar deri më tani. Të gjithë ne jemi bashkë, të gjithë jemi për bojkot, kjo ka rëndësi”, vazhdoj më tej ai. Tula nuk la pa përmendur edhe shumë probleme të studentëve në fakultet ”Studentët e Gjuhë-Letërsisë janë në pikë të hallit. Studentët e Gjeografisë janë edhe më keq. Këtu studentët bëjnë një master për Gjeografi dhe nuk e dinë cila do të jetë puna e tyre. Kauza është e fituar, nëse ne do bëjmë dhe pak rezistencë ato që kanë në dorë zgjidhjen e problemeve tona do të vendosen me shpatulla pas muri. E kanë treguar tani, që nuk kanë dëshirë të plotësojnë kërkesat tona. Por dhe pa dëshirën e tyre, kërkesat tona do të plotësohen. Ne nuk humbim gjë, nëse vazhdojmë rezistencën”, përfundoj ai. Ervin Muslia student i gazetarisë tha se janë shumë arsye se pse studentët duhet të vazhdojnë rezistencën dhe të mos dorëzohen. “A dini se te Fakulteti i Shkencave Sociale nuk hyn në mësim, nëse nuk blen një libër 70 mijë lekë? Dhe ai libër është i përkthyer nga ‘google translate’. Te ky fakultet nuk kemi pasur raste, që pedagogu të na detyrojë të blejmë një libër në mënyrë të tillë. Por edhe nëse ne si fakultet nuk kemi këto probleme, duhet të solidarizohemi me fakultetet e tjera, ku bëhet terror në orët e mësimit. Protesta do vazhdojë pa afat deri në plotësimin e të gjitha kërkesave tona. deri sa të kemi një sistem arsimor cilësor. Këto janë arsyet se pse po luftojmë. Të gjithë ne duam të mbarojmë sa më shpejt dhe të nisim punën e ëndrrave. Ne kërkojmë të drejta themelore, që duhet të plotësohen. Ne nuk mund të tërhiqemi tani, ku çdo gjë është në favorin tonë dhe pikat do të plotësohen. Nuk ka nga shkon Rama pa i plotësuar dhe ai e di shumë mirë këtë”, përfundoj studenti.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne