Përtej ngjyrimeve negative të letërsisë së bejtexhinjve (letërsia myslimane e shekullit XVIII)

Letërsia e bejtexhinjve” – një term i përdorur gjerësisht për të shënjuar letërsinë shqipe me alfabet arab, është trajtuar në mënyrë paragjykuese në literaturën shkencore përgjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri. Për pasojë, ky konotacion negativ vijon ta shoqërojë këtë letërsi, ndonëse është një nga elementet më pak të njohura të historisë së letërsisë shqipe.

Shkruan: Jolanda LILA, Tiranë

Në ditët e sotme, togfjalëshi “letërsia e bejtexhinjve” asociohet me vjershëtarët popullorë, që krijonin lehtësisht vargje me rimë, pa ndonjë vlerë estetike. Ky ngjyrim negativ, i ngjashëm me konceptet “kalemxhi” ose “ahengxhi”, ka ardhur gjatë periudhës së komunizmit, duke ua ngulitur kështu shqiptarëve imazhin e shpërfytyruar të kësaj letërsie, shumë larg pamjes së vet reale.

Ky anatemim dhe evoluim negativ i termit ka ardhur kryesisht nga mungesa e një koncepti të qartë rreth kësaj letërsie, gjë që ka sjellë edhe një terminologji të papërcaktuar, e cila ka lënë vend edhe për derivime të tilla konceptuale. Letërsia e bejtexhinjve, njihet me disa togfjalësha terminologjik, si: letërsia myslimane e shekullit XVIII (meqenëse u shkrua nga autorë që i përkisnin besimit islam); letërsia shqipe me alfabet arab (meqenëse u shkrua me alfabetin arab dhe pati një leksik dominues me orientalizma); alhamijado (termi spanjisht, që nënkupton letërsinë joarabe, por që është ndikuar nga kjo kulturë dhe përdor alfabetin arab), për të mbërritur tek togfjalëshi letërsi e bejtexhinjve (referuar rrënjës “bejte”, që do të thotë distik). Studiuesja Genciana Abazi e shpjegon ardhjen e fjalës bejtexhi në shqipe si rezultat i bashkimit të dy trajtave të huazuara nga turqishtja: fjalës “bejt” dhe prapashtesës së turqishtes “-xhi”.

Përveçse në formën bejtexhi, në Fjalorin e parë të gjuhës shqipe, të vitit 1954, e ndeshim edhe me termin bejtar, si një trajtë më pranë sistemit gjuhësor të shqipes.

Gjithashtu, duhet theksuar se fjala “bejte”, ndonëse në origjinal shënjon distikun ose dyvargëshin, në gjuhën shqipe ka ardhur me një kuptim më të zgjeruar, pasi emërton një vjershë të plotë, pavarësisht numrit të vargjeve. Madje, shumica e këtyre vjershave në gjuhën shqipe janë katërvargëshe dhe jo dyvargëshe, siç janë në kulturën burimore.

Modifikimi kuptimor i termit “bejtexhi” ka ardhur pas botimit të tekstit Historia e Letërsisë Shqipe (1959), ku kuptimi i kësaj fjale është kufizuar tek vjershëtari popullor, që thur vargje lirike e satirike, zakonisht në trajtë improvizuese. Më tej, në vitin 1980, me botimin e Fjalorit të Gjuhës Shqipe, i është shtuar edhe një kuptim me ngjyresë negative, duke personifikuar “vjershëtarin e keq, që shkruan vargje pa vlera artistike”.

Sot është ngulitur aq thellë koncepti me ngjyrim negativ, saqë përgjigjet e përgjithshme të të rinjve kanalizohen në dy fjalë-tema: “vjershëtarë të këqij” dhe “vjershëtarë muslimanë”. Gjithashtu, shqetësues në këtë kategorizim të përgjithshëm, që padyshim vjen nga mosnjohja, është edhe përfshirja në të njëjtën hulli e të gjithë autorëve shqiptarë, që kanë krijuar me alfabet arab, si dhe njësimi i disa shekujve në të cilët është lëvruar kjo letërsi nën të njëjtën ombrellë, pavarësisht specifikave e dallimeve thelbësore që gjenden nga njëra periudhë në tjetrën.

Historisë së letërsisë shqipe dhe studiuesve bashkëkohorë, që merren me letërsinë me alfabet arab, do t’u duhet kohë për ta zhbërë atë që ka zënë rrënjë thellë në vetëdijen kombëtare, mbi rolin e vërtetë që letërsia e bejtexhinjve ka pasur në zhvillimin e kulturës shqiptare. Kjo sipërmarrje, përveçse përngjan e vështirë, ka gjasa të ndërtohet edhe mbi një metodologji që është në disavantazh të studiuesit, të cilit i duhet më shumë kohë që “të mbrohet”, duke treguar se kjo letërsi nuk është ashtu siç njihet, sesa të fokusohet në atë që përfaqëson në të vërtetë ky segment i kulturës sonë.

Një nga gjërat kryesore që duhet të kuptohet për ta dritësuar vlerën e kësaj letërsie është karakteristika e saj thelbësore: të shkruarit e vargjeve si praktikë mnemonike. Kjo ishte një letërsi e shkruar për deklamim dhe jo për t’u përcjellë me anë të shkrimit. Duke qenë se shumica e popullsisë nuk dinin shkrim e këndim, ajo është krijuar me synimin për t’u transmetuar gojë më gojë nëpër mjedise publike e çajhane, si një formë e transmetimit të artit në mënyrë kolektive. Si e tillë, ajo përbëhet nga një gjuhë e thjeshtë dhe e perceptueshme prej nivele të ndryshme shoqërore. Sipas studiuesit Ardian Vehbiu, bejtexhinjtë nuk kishin synim për të botuar dhe këtë e tregon edhe fakti se nuk i shtypën krijimet e tyre në Shtypshkronjën e Voskopojës, ndonëse lehtësisht mund ta kishin realizuar diçka të tillë. Prandaj, duke marrë në konsideratë kontekstin socio-kulturor dhe pa u ndalur në specifika të autorëve përfaqësues ose veçanësive të poetikës së tyre, është e rëndësishme që, në vija të përgjithshme, t’i rendisim disa risi që ia sollën ata letërsisë shqipe.

Së pari, me krijimet e autorëve bejtexhinj zë fill letërsia laike shqipe, por edhe ballkanike, pasi deri në atë kohë mbizotëronte letërsia me karakter fetar, kryesisht liturgjik. Pas teksteve të Buzukut, Budit, Bogdanit, Bardhit etj. vjen një trajtë tjetër letrare, që i kishte në fokus problemet shoqërore, më tepër sesa ato fetare.

Së dyti, me krijimet e bejtexhinjve pati zhvillim jo vetëm letërsia, por edhe vetë gjuha e kultura shqiptare, sepse sollën një mendësi të re dhe një stil tjetër të të shkruarit. Njëherësh, shumë fjalë të fjalorit aktiv të shoqërisë shqiptare të atëhershme u bënë pjesë e këtyre vjershave, gjë që ka shërbyer dhe vijon të jetë në dispozicion të orientalistëve e gjuhëtarëve për ta studiuar pasurinë e huazimeve prej turqishtes, arabishtes e persishtes. Nga ana tjetër, kjo poezi është dëshmi edhe e trajtave dialektore dhe karakteristikave gjuhësore të trevave të ndryshme shqiptare, përgjatë gati pesë shekujsh.

Së treti, me larminë e trajtave të vargëzimit, poetët bejtexhinj kontribuuan në konturimin e plotë të metrikës klasike, e cila u bë shkolla e vjershëtarëve shqiptarë të mëvonshëm, të cilët – në formë të drejtpërdrejtë a të tërthortë – u ndikuan nga tradita e pasur e vargëzimit me alfabet arab.

Vetë autorët bejtexhinj nuk ishin njerëz të rëndomtë, siç denigrohen sot, por ishin intelektualë të formuar dhe njohës të letërsisë arabe, perse e turke, të cilët i njihnin shumë mirë teknikat e këtyre poezive. Ata nuk i bartën në formë shabllone këto teknika, por formësuan një shëmbëlltyrë origjinale të poezisë shqipe. Shumë prej autorëve, si: Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Muhamet Kyçyku, Hasan Zyko Kamberi, Zenel Bastari etj., shquhen për stilin elegant, për gjuhën figurative dhe imagjinatën e pasur në poezitë e tyre. Duke marrë më të mirën e poezisë orientale, ata sollën në letërsinë shqipe një stil të shprehuri të thjeshtë dhe të rrjedhshëm. Pikërisht me këta autorë, për herë të parë, mori hov edhe tradita satirike e të shkruarit të vargjeve.

Për të gjitha këto arsye, mbledhja e dorëshkrimeve me alfabet arab, veçanërisht transkriptimi e botimi i letërsisë artistike, do të ndikonte jo vetëm në rivlerësimin e një periudhe të ndritur të letërsisë shqipe, që është lënë në errësirë, por do ta kuptonim edhe më mirë historinë e kulturën tonë kombëtare, përtej mbllaçitjeve stereotipizuese të shtrembërimeve shkencore./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne