Përvjetori i pestë i ribashkimit të Krimesë me Rusinë

Nga Aleksandër Karpushin*

Plot 5 vite më parë, më 18 mars 2014, pas një referendumi ku shumica dërrmuese e banorëve të Krimesë votuan për ribashkimin e gadishullit me Rusinë, u nënshkrua Traktati për Pranimin e Republikës së Krimesë në Federatën Ruse. Pjesëmarrja në referendum arriti në 83% të popullsisë, nga të cilët 95% u shprehën në favor të këtij vendimi. Përmes një votimi të lirë, paqësor e sipas standardeve demokratike, krimeasit realizuan të drejtën e tyre për vetëvendosje në përputhje të plotë me Kartën e OKB-së.

Gjatë viteve të fundit nga Federata Ruse janë ndërmarrë shumë përpjekje të mëdha për rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve të Krimesë, veçanërisht për ndërtimin e një infrastrukture të re më të zhvilluar. Republika e Krimesë dhe qyteti i Sevastopolit sot janë të integruar në mënyrë të plotë e të qëndrueshme në hapësirën e vetme socio-ekonomike dhe ligjore të Federatës Ruse. Një shembull konkret i sukseseve të arritura në këtë drejtim është nisja në maj 2018 e lëvizjes së automjeteve në Urën e Krimesë. Ndërtimi i infrastrukturës automobilistike mbi Ngushticën e Kerçit ka pasur edhe aspekte humanitare. Në kushtet e bllokadës së vazhdueshme të transportit dhe energjisë në Krime prej autoriteteve të Kievit me qëllim shkatërrimin e ekonomisë së këtij rajoni, ura ka luajtur një rol kryesor në furnizimin e pandërprerë të banorëve të Krimesë me mallra të domosdoshme dhe në përmirësimin e standardit të jetesës.

Në kundërshtim me spekulimet keqdashëse të përsëritura në mënyrë sistematike, në Krime është krijuar një atmosferë e harmonisë ndëretnike, e karakterizuar nga respektimi i interesave të të gjitha pakicave kombëtare. Shteti siguron respektim të pakushtëzuar të detyrimeve ndërkombëtare në sferën e të drejtave të njeriut. Popullsia e Krimesë realizon plotësisht të drejtat e saj për lirinë e fjalës dhe të mbledhjes, arsimimin në gjuhët amtare, përfshirë edhe ato që kanë statusin e gjuhës zyrtare, si ajo tartare apo ukrainase.

Për shembull, pakica më e madhe kombëtare që janë tartarët e Krimesë, përfaqëson më shumë se 30 OJQ të rëndësishme, të cilat bashkojnë rreth 30 mijë persona. Tartarët e Krimesë janë përfaqësuar në të gjitha strukturat shtetërore të gadishullit duke përfshirë ato ushtarake dhe ligjzbatuese, në proporcion të drejtë me përqindjen që zënë në popullsinë e Krimesë. Gjatë viteve të fundit janë realizuar gjëra, të cilat autoritetet ukrainase nuk kanë mundur t’i përmbushin në të gjitha vitet e mëparshme. Ndër të tjera, është mundësuar mësimi i gjuhës tartare në të gjitha shkollat e gadishullit, ndërkohë që me mbështetje nga buxheti shtetëror janë ndërtuar 5 xhami të reja.

Jashtë Rusisë, gjithnjë e më të dukshme po bëhen kërkesa për një pikëpamje objektive ndaj Krimesë, si edhe interesi në rritje nga ana e biznesit apo përfaqësuesve të huaj politikë dhe të shoqërisë civile. Pasqyrim i kësaj tendence janë rritja e vazhdueshme e numrit të delegacioneve të huaja që vizitojnë gadishullin, si edhe zhvillimi i suksesshëm i një sërë aktivitetesh ndërkombëtare. Në prill 2018 dy gazetarë shqiptarë vizituan qytetin e Jaltës në Krime ku morën pjesë në Forumin e IV-të Ndërkombëtar të Gazetarisë nën drejtimin e Grupit “Rusia – Bota Islame”. Përveç kësaj, Forumi Ndërkombëtar Ekonomik i Jaltës, i cili u mbajt vjet për herë të katërt, u shndërrua në një platformë të dobishme për diskutimin e problematikës së Krimesë dhe promovimin e mundësive të investimit në ekonominë e kësaj zone. Në datat 18-20 prill 2019 do të zhvillohet edicioni i pestë i Forumit të Jaltës, dhe pala ruse, si përherë, ka kënaqësinë të ftojë të gjithë që të vizitojnë Krimenë për të parë me sytë e vetë gjendjen aktuale shumë të mirë të gadishullit.

*Ambasador i Rusisë në Shqipëri

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne