Pesë broçkullat që s’duhet t’i besoni më për Korenë e Veriut

Koreja e Veriut është një vend, në qendër të vëmendjes së medias botërore për shkak të testeve bërthamore dhe raketave me të cilat diktatori Kim Jong-un kërcënon stabilitetin e zonës.

Regjimi i Penianit është veçanërisht i mbyllur për pjesën tjetër të botës. Është shumë e vështirë për të marrë lajme të besueshme nga brenda dhe, për pasojë, kjo ka inkurajuar përhapjen e broçkullave në lidhje me të. Më poshtë, pesë mitet e rreme më të zakonshme…

Drejtuesit dhe ushtria janë besnike ndaj Kim Jong-un

Koreja e Veriut është një diktaturë e udhëhequr nga Kim Jong-un, në të cilën shkelen të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të individit, siç denoncojnë organizatat e ndryshme humanitare, përfshirë Amnesty International. Por kjo nuk do të thotë që e gjithë ushtria dhe të gjithë drejtuesit e lartë janë besnikë ndaj Kimit dhe familjes së tij.

Hazel Smith, një profesor në Shkollën e Studimeve Orientale dhe Afrikane të Universitetit të Londrës, shpjegoi se menaxhimi i pushtetit në Korenë e Veriut është shumë më fragmentar se sa shkruhet në median perëndimore.

Ka një elitë në vend të formuar edhe nga familje të tjera që dominojnë skenën politike, ekonomike dhe ushtarake të regjimit, të cilat në situata të caktuara mosmarrëveshjesh, mund ta bëjnë qeverinë e Koresë së Veriut më pak të qëndrueshme se sa mund të imagjinohet.

Këto familje dominojnë fusha të ndryshme të jetës së vendit, nga burimet financiare tek sektorët e sigurisë dhe pajisjeve ushtarake. Ka ndodhur gjithashtu që në të kaluarën të shfaqen rivalitete mes tyre.

Kim Jong-un është një person i çmendur

Media perëndimore shpesh e përshkruan Kim Jong-un si një të çmendur që ka për qëllim shkatërrimin e botës. Ky është padyshim një përgjithësim.

Qëndrimi i Kim në politikën e jashtme mund të lidhet me një sjellje racionale, ku një vend kërcënon me veprime të paarsyeshme, duke përfshirë armë atomike, si një mjet frenues për arritjen e një qëllimi specifik.

Në këtë rast, është nevoja për të ruajtur pushtetin, të cilin Kim e ndjek me kërcënime veprimesh të jashtëzakonshme, të cilat kanë vazhduar prej vitesh. Bashkësia ndërkombëtare ka shtrënguar gjithnjë e më shumë sanksionet kundër vendit aziatik, për t’i dhënë fund programit të tij bërthamor, që konsiderohet i paligjshëm.

Nëse nga njëra anë është rënë përgjithësisht dakord, se Kim po ndjek një projekt të caktuar të politikës së jashtme, nga ana tjetër është çështje debati, nëse qëllimi i tij është thjesht mbijetesa e regjimit – i izoluar gjithnjë e më shumë nga komuniteti ndërkombëtar – apo nëse ka të tjera arsye.

Në vitin 2003, diktatori libian Muamar Gadafi bëri të njohur të gjitha detajet e programit bërthamor të vendit të tij, duke kërkuar në këmbim që Libia të integrohej në Perëndim, nga pikëpamja ekonomike dhe tregtare. Por ky diskutim nuk shkoi asnjëherë deri në fund: në vitin 2011, si pjesë e së ashtuquajturës Pranvera Arabe, filloi lufta civile libiane, që çoi në përmbysjen e Gadafit, falë ndërhyrjes ushtarake të disa vendeve perëndimore dhe arabe.

Sipas shumë analistëve, ambicia e Kim është të alarmojë Shtetet e Bashkuara dhe të përdorë një mjet presioni ndaj Uashingtonit, për të tërhequr sanksionet dhe trupat nga Korenë e Jugut.

Në këtë mënyrë, megjithatë, ekziston frika se Peniani do të fillojë një konflikt të ri në gadishullin Korean, që synon ribashkimin e vendit nën veriun. Arsenali bërthamor do të shërbente si një mburojë për të çuar përpara luftën, pa ndërhyrjen e forcave të huaja.

E vetmja zgjidhje është ndërhyrja ushtarake e SHBA

Gjatë gjithë historisë së tyre, Shtetet e Bashkuara kanë luftuar shumë luftëra dhe janë ende të përfshira në shumë konflikte sot. Në zonën e Gadishullit Korean, SHBA ka një prani të fortë ushtarake që nisi me fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës e mëvonshme Koreane. Megjithatë, ndërhyrja kundër Koresë së Veriut nuk do të ishte e njëjta gjë, si ndërhyrjet në rajone të tjera.

Së pari, Koreja e Veriut kufizohet nga Rusia dhe Kina: kjo e fundit ka qenë prej kohësh aleati kryesor i Penianit, në një raport që në kohët e fundit është përkeqësuar, pas përsëritjes së testeve bërthamore dhe lëshimit të raketave nga Kim. Një ndërhyrje ndaj Koresë së Veriut nga ana e Shteteve të Bashkuara, nuk do mund t’i shpërfillte këto fqinjë dhe rolin e tyre në rajon.

Përveç kësaj, Koreja e Veriut po bëhet një fuqi bërthamore. Ndërsa ne nuk e dimë se cili është potenciali i vërtetë i fuqisë atomike të Penianit, edhe një raketë mund të shkaktojë dëme të pallogaritshme.

Një sulm parandalues – si ai që u përmend në mars 2017 nga Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson – nuk jep siguri që do të shkatërrojë të gjithë arsenalin bërthamor të Koresë së Veriut, e cila mund të përgjigjet me armë bërthamore kundër Koresë së Jugut dhe Japonisë.

Shtoji kësaj edhe faktin se ushtria e vendit aziatik përbëhet nga rreth një milion njerëz, të cilëve mund t’u shtohen 600 mijë rezervistë dhe forca paramilitare prej 6 milionë njerëzish, më e madhja në botë. Një luftë e SHBA kundër Koresë së Veriut nuk do të ishte e krahasueshme me ato kundër Afganistanit dhe Irakut.

Dy Koretë duan të shkatërrojnë njëra-tjetrën

Marrëdhënia midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut është më komplekse sesa duket. Koreja ishte një shtet i vetëm deri në vitin 1910, kur u aneksua nga Japonia dhe nën kontrollin e së cilës qëndroi deri në vitin 1945, kur SHBA dhe populli sovjetik morën kontrollin mbi Japoninë.

Ashtu si në Gjermani, edhe në Kore u krijua një shtet filosovjetik (Koreja e Veriut) dhe një filoamerikan (Korea e Jugut) të cilët, ndryshe nga dy shtetet gjermane, shpejt hynë në luftë mes tyre, në vitin 1950. Ky konflikt rrezikoi ta sillte botën në një luftë të re botërore, pasi Bashkimi Sovjetik dhe SHBA u vunë kundër njëri-tjetrit.

Lufta përfundoi në vitin 1953 me një armëpushim që është ende në fuqi. U krijua një zonë e çmilitarizuar, jo shumë larg paralelit 38, që i ndante këto dy zona para konfliktit. Në fakt, Lufta e Koresë nuk arriti të gjejë një marrëveshje të vërtetë paqeje, por një armëpushim i thjeshtë, një lloj pushimi që zgjati mbi 60 vjet pavarësisht se kishte parë disa momente tensioni të lartë.

Në këto vite, dy Koretë kurrë nuk kanë ndjekur një politikë të shkatërrimit të ndërsjellë. Megjithatë, nuk kanë munguar aktet e çtensionimit, si p.sh. pjesëmarrja në Kupën Botërore të Botërorit under-20 të vitit 1991 me një ekip për të dy vendet.

Marrëdhëniet janë përmirësuar shumë midis viteve 1998 dhe 2008, kur Seuli nisi të ashtuquajturën Politikë e Lindjes së Diellit. Kjo politikë e jashtme uljesh tensionesh ndaj Penianit ka çuar në krijimin e parkut industrial Kaesong, i vendosur në Korenë e Veriut, por i hapur për kompanitë në jug, si dhe takimet midis familjeve të ndara gjatë Luftës së Koresë.

Fundi i Politikës në vitin 2008 me zgjedhjen e Lee Ryun-bak si President i Koresë së Jugut dhe kriza koreane e vitit 2013, shkaktoi përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Lajmet që vijnë nga Korea e Veriut nuk janë të verifikueshme

Regjimi i vendit është brutal dhe nuk ka asnjë problem në shtypjen e kundërshtive, duke shkelur të drejtat e njeriut. Verifikimi i fakteve nga Peniani është i vështirë, por nuk është e vërtetë se është e pamundur që gjithmonë të gjendet e vërteta.

Raportime të shumta qarkulluan gjatë viteve që raportonin vrasjen brutale të figurave të regjimit për arsye të kota, si përshembull, sikur kishin rënë në gjumë gjatë një parade apo një bisede me Kim. Për shembull, u tha se xhaxhai i diktatorit ishte shqyer nga dhjetëra qen. Ndonëse nuk është e lehtë të gjesh burime të besueshme, shumë agjenci lajmesh – duke përmendur burimet e Koresë së Jugut – e kanë mohuar këtë lajm.

Jo të gjitha broçkullat, megjithatë, kanë tingëllimë kaq të zymtë. Një tjetër lajm thoshte se Kim Jong-un kishte detyruar studentët të mbanin flokë me model si i tiji. Një lajm i rremë, ndoshta bazuar në faktin se një vend si Koreja e Veriut, në jetën e vet të izoluar nga pjesa tjetër e botës dhe duke patur një diktator të pamëshirshëm, mund të marrë vendime në dukje të pazakonta.

Një çështje tjetër që krijon shumë paqartësi ka të bëjë me të dhënat ekonomike dhe zhvillimin. Sipas CIA-s, Koreja e Veriut është vendi i 95-të në botë për PBB-në, ndërsa Koreja e Jugut është e 15-ta. Për këtë shtohet se midis viteve 1994 dhe 1998 vendi u godit nga një zi e madhe buke, që do të shkaktonte nga 200,000 deri në 3 milionë të vdekur.

Paralelisht me këto karakteristika, tipike të një vendi të varfër, Koreja e Veriut ka zhvilluar një arsenal bërthamor dhe infrastruktura në kryeqytetin Penian janë të krahasueshme me ato të disa qytete perëndimore. / TPI – Bota.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne