Pesë gra akuzojnë kandidatin për senator Roy Moore

Kandidati për senatin amerikan Roy Moore ka hedhur poshtë pretendimet e akuzueses së tij më të fundit, sipas së cilës ai e ka sulmuar seksualisht kur ajo ishte 16 vjeç dhe punonte si kameriere. Në atë kohë zoti Moore mbante detyrën e prokurorit të qarkut në shtetin jugor të Alabamës.

Roy Moore mohoi të njihte Beverly Young Nelsonin si dhe e cilësoi akuzën thjesht një sulm politik.

“Shihni situatën dhe do të kuptoni që kjo është vetëm një manovër politike dhe nuk ka të bëjë me realitetin. Unë jam dhjetë apo njëmbëdhjetë pikë përpara, gara është vetëm 28 ditë larg fundit. Gjithçka lidhet me politikën”, tha ai.

Zoti Moore nuk pranoi t’i përgjigjet pyetjeve. Në mbrotje të tij dha një deklaratë edhe bashkëshortja e tij.

Në një artikull të botuar javën e kaluar nga gazeta “Washington Post”, katër gra të tjera akuzuan zotin Moore për sjellje të papranueshme seksuale gjatë kohës kur ato ishin adoleshente.

Pavarësisht akuzave sekretari i shtetit i Alabamës thotë se zoti Moore nuk do të tërhiqet nga gara e 12 dhjetorit.

Ndërkohë republikanët e Senatit diskutuan hapur mbi dëbimin e Roy Moorit nëse ai i fiton zgjedhjet speciale të muajit të ardhshëm që zhvillohen për shkak të vakancës së krijuar nga largimi i Jeff Sessions për të marrë detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.

Të hënën udhëheqësi i shumicës republikane në Senat Mitch McConnell tha se zoti Moore duhet të tërhiqet nga gara.

Sot Dhoma e Përfaqësuesve pritet të mbajë një seancë dëgjimore për parandalimin e ngacmime seksuale në vendin e punës në Kongres.

 

 

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne