PESË KEQKUPTIMET MË TË MËDHA MBI RAMAZANIN

Ramazani erdhi. Llogaritet se më shumë se një miliard njerëz në botë do të ndjekin të regjim njëmujor ndryshe nga të tjerët. Megjithatë, me miliona të tjerë as nuk e kanë idenë se çfarë ndodh realisht, madje në një terren të zbrazët, ka vend për spekullime, sajesa e hamendësime. Këtu po rendisim 5 thashethemet më të përhapura rreth këtij muaji, që në fakt nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën e Ramazanit. Ju mund të shtoni edhe të tjera…

  1. Rrinë një muaj pa ngrënë! E pabesueshme, por është e vërtetë që ka plot njerëz mendojnë kështu, sidomos të rinjtë, që nuk kanë patur ndonjë kontakt me Islamin. Megjithatë, ne u themi: Jo, të dashur, nuk rri askush një muaj pa ngrënë, se ndryshe do dëgjonim për dhjetëra të vdekur nga uria çdo Ramazan! Në fakt, as një javë nuk rri kush, madje as një ditë të vetme, sepse çdo ditë pasi perëndon dielli je i lirë të hash çfarë të duash e sa të duash, deri para agimit.
  2. Nuk agjërohet kur je në punë! Ndoshta ky është justifikimi më i përhapur për të mos agjëruar, duke nënkuptuar se ata që agjërojnë janë vetëm të papunët! Miku im, janë me milionë muslimanë në botë që agjërojnë e punojnë njëkohësisht. Ramazani nuk është për dembelët!
  3. Në qoftë se agjëron tre ditë, të quhet i gjithë muaji! Edhe ky është një besim mjaft i përhapur. Zakonisht thonë të agjërosh një ditë në fillim, një në mes e një në fund (por mund të ketë edhe skema të tjera!). Jo, dashamirës i fesë, nuk është ashtu! Nëse agjëron tre ditë, të quhen vetëm tre ditë. Në këto raste nuk ecin spekulimet matematikore…
  4. Nëse nuk e nis që nga fillimi, është e kotë të agjërosh pastaj! Këtë e dëgjon zakonisht pasi ka filluar Ramazani. Por edhe kjo nuk ka asnjë të vërtetë. Nëse dëshiron të agjërosh, por për shumë arsye nuk e ke kapur fillimin, i nderuar, fillo menjëherë, kurdo qoftë, në fillim, në mes a në fund të ramazanit. Ditët e humbura mund t’i kompensosh më vonë, pas Bajramit.
  5. Pas 30 ditëve të Ramazanit, pihet raki! Qesharake, por është reale. Thonë se kjo fjalë e ka bazën nga një këngë e vjetër, që këndohet në Shqipërinë e Mesme. Jo, vëlla artist, në festën e Bajramit, pas një muaj devotshmërie, hahet, pihet e gëzohet, por jo alkool! Islami është kundra pijeve alkoolike në çdo stinë!

Ti besimtar i mirë te Zoti, që praktikon agjërimin me vite, mund të kesh dëgjuar shumë e shumë çudira të tjera nga gojët e njerëzve. Atëherë, ndihmo edhe ti për zhdukjen e këtyre keqkuptimeve mbi Ramazanin! Shpërndaje këtë shkrim në rrjetet sociale, madje do të ishte ideale sikur të shtoje edhe nga vetja jote pika të tjera! Faleminderit! U.K

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne