Prestigjiozja amerikane, “The Washington Post” ka hulumtuar rrënjët fetare të shqiptarëve të Kosovës. Ajo ka intervistuar dy prifterinj katolike ekstremiste Dode Gjergjin dhe Dom Jakun te cilet jane te njohur per idete e tyre ekstreme dhe intolerante kunder Islamit dhe Ortodoksise. Ne vijim ju paraqesim shkrimin e “The Washnington Post”.

Në fshatin Gjonaj të Prizrenit, ekziston një kishë e vjetër, më shumë se njëmijëvjeçare, e cila është njëra nga dëshmitë për rrënjët katolike të shqiptarëve. Çelësat e kësaj kishe i mbajnë serbët, të cilët thonë se u përket atyre, mirëpo banorët atje thonë se kjo kishë u përket shqiptarëve dhe ka qenë e tyre deri në konvertimin e fshatit në Islam.

Një banor i këtij fshati, Don Albert Jakaj, 36 vjeç, i cili njëkohësisht është edhe prift ka thënë se beson që i gjithë Ballkani ka qenë me besim katolik dhe sipas tij, janë pikërisht objekte të tilla fetare, si kjo kishë në Gjonaj që e dëshmojnë përkatësinë fetare të shqiptarëve dhe ballkanasve në kohën e dominimit dymijëvjeçar të Perandorisë Romake.

Pasi Kosova u vendos nën regjimin otoman, nga pjesa e parë e shekullit 15 e deri në vitin 1912, pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës u konvertuan në Islam. Mirëpo, përkundër asaj që pjesa më e madhe e rajonit të Brodit tashmë janë myslimanë, shumica e banorëve të këtij rajoni e përkrahin këtë hulumtim dhe kanë shprehur interesim për zbulimin e rrënjëve të tyre pothuajse të harruara, pretendon prifti.

“Kjo është historia e kombit tonë. Paraardhësit tanë kanë qenë katolikë dhe këta janë hapat tanë të parë për zbulimin e rrënjëve tona”, ka shtuar ai.

Zyrtarisht 90 për qind e popullatës së Kosovës i takon besimit islam, ndërsa vetëm 3 për qind e tyre atij katolik.

Mirëpo, ndryshe nga këto të dhëna, prifti katolik Dodë Gjergji mendon se këto shifra fshehin afinitetin e vërtetë shpirtëror të kosovarëve. Sipas Gjergjit, vetëm 10 për qind e popullatës kosovare e praktikojnë besimin mysliman, ndërsa pjesa tjetër janë sekularë.

“Besimi islam nuk është diçka që shqiptarët e kanë marrë vullnetarisht, por ka qenë diçka që ju është imponuar”, ka thënë Gjergji.

“Historia kristiane është më e fortë se historia otomane”, ka shtuar ai, duke folur për “Washington Post”.

Gjergji ka thënë se është mjaft i kënaqur me rritjen që ka shënuar religjioni katolik në vitet e fundit. “Jemi shumë të kënaqur për shkak se në këtë kohë pasigurie duhet guxim i madh që dikush të deklarohet se dëshiron të kthehet në rrënjët e veta”, ka thënë ai.

Po ashtu, në Kosovë nuk mungojnë as familjet ku bashkëjetojnë dy fetë, ajo myslimane dhe katolike.

Agron Bytyçi, ish-­ushtar i UÇK­së, tani piktor dhe profesor i artit në Universitetin e Prishtinës, tregon se është rritur me babanë katolik dhe nënën myslimane.

“Si fëmijë nuk e kam ditur se çfarë religjioni i përkas, por pasi jam rritur kam pasur lirinë për të zgjedhur njërën nga të dyja fetë”, thotë Agroni, i cili është pagëzuar në vitin 1995. Në anën tjetër, feja katolike njeh edhe “Laramanë”, të cilët e fshehin besimin e tyre të vërtetë. Epiqendra e këtij komuniteti është në lindje të Kosovës. Gjysma e shtëpive të fshatit Zhegër janë laramanë. Ata nuk kanë kishë në fshat, por janë të njohur për ndezjen e qirinjve dhe lutjes në shtëpi sipas traditave katolike. Një qytetar i tillë, “Laraman”, jeton në Zhegër që 38 vite dhe është pronar i një biznesi.

“Ndjehem katolik”, ka thënë ai, duke shtuar se shumë rrallë e diskuton çështjen e besimit jashtë familjes së tij. Ai e viziton kishën në Jakaj fshehurazi gjatë natës ndërsa ditën bëhet mysliman.

“Laramanët frikësohen të deklarohen si katolikë”, ka thënë prifti.

Sipas priftit, kjo ndodh sepse nëse e bën publik që i takon besimit katolik mund të shkaktojë probleme, një ndër të cilat është privimi nga martesa i fëmijëve të tyre. “Laramanët” nuk deklarohen si katolikë për shkak se mendojnë se nuk do të mund të jetonin në stilin e jetës që dëshirojnë. /shekulli/

721