Piedestalet bosh të tradhtarëve

Shaqir Vukaj

Kohët e fundit, veçanërisht mbas lajthitjes së kryeministrit për të rehabilituar Mit’hat Frashrin, shihen tentativa për të rehabilituar disa prej kolaboracionistëve e tradhtarëve të Atdheut, të njohur botërisht për veprimtarinë e tyre në dëm të Shqipërisë, ndërmjet të cilëve Patër Anton Harapi. Vërehet një lloj tendence se kush shkruan më shumë e kush i thur lavde më mirë e më bukur disa prej kolaboracionistëve e tradhtarëve të deklaruar të Atdheut.

Ndër gazetat më të lexuara bëjnë përshtypje “Tema” dhe “Panorama” që kohët e fundit kanë botuar disa shkrime kushtuar Patër Anton Harapit, Gjelosh Lulit, Gjergj Vatës, Nikoll Dedës, Sali Myftisë etj., të gjithë kolaboracionistë të pushtuesve italianë e gjermanë, ndonjëri prej tyre i njohur në të gjithë Shqipërinë e madje edhe jashtë saj, e të tjerët, më pak të njohur, por kolaboracionistë të njohur mirë në qarkun e Shkodrës.

Në të gjitha këto shkrime tërheq vëmendjen mungesa e dokumenteve, fakteve e argumenteve. Por ajo që është kryesorja, pothuajse në të gjitha këto shkrime autorët tentojnë që veprimtarinë e tyre tradhtare ta lidhin e ta justifikojnë me gjoja anti-komunizmin e tyre… madje nuk merren fare me veprimtarinë e tyre kolaboracioniste, kur dihet që në arkivat tona ka me qindra dokumente për ta. Madje kohët e fundit janë përkthyer e botuar edhe shumë dokumente nga arkivat italiane e gjermane ku flitet me emra për veprimtarinë e “heronjve” e këtyre shkrimeve.

Pa dashur të hyj në polemika të kota me autorët e këtyre shkrimeve, do të përpiqem me fakte e dokumente të jap shkurtimisht një pasqyrë të veprimtarisë së tyre, duke filluar me Patër Anton Harapit, si më i njohuri e ndër kolaboracionistët më të zellshëm. Kjo edhe për faktin se për të është shkruar e folur shumë herë nga lloj-lloj shkruesish, politikanësh e të ashtuquajturish historianë.

Mbas kthimit të eshtrave të Mit’hat Frashrit, diku lexova se përgatitej vendosja një busti apo përmendoreje e Patër Anton Harapit në Tiranë, madje sipas një pjesëmarrësi në një mbledhje në Bashkinë e Tiranës, ishte propozuar zyrtarisht një veprim të tillë. M’u duk e pabesueshme, por mbas pak ditësh, një emigrant shprehej hapur nga ShBA, madje kërcënonte se së shpejti do ta shihni monumentin e tij në Tiranë…

Do ta filloj me Anton Harapin, si personaliteti më i njohur, për të cilin më nxiti edhe një shkrim me autor Ilir Demalinë me titull “At Anton Harapi, si u dënua nga Misto Treska dhe mori 24 plumba”, botuar në gazetën “Panorama” më datë 22 shkurt. Nuk ia vlen të merresh me këtë shkrim, por bëjnë përshtypje disa probleme që ngre autori. Kështu ai kritikon Kishën Katolike Shqiptare dhe françeskanët që “nuk mbajtën një meshë, nuk ra një kambanë për birin e saj që vdiq me fjalët “Për Krisht e Atdhe”. Më poshtë ai shkruan “Është akuzuar si fashist, por ky fakt bie në kundërshtim nga arkivat dhe dokumentet e Romës, nga del qartësisht se Patër Anton Harapi, Fishta dhe të tjerë klerikë ishin kundër pushtimit dhe organizuan protestat e para në Shkodër…”. Autori kritikon ashpër Vatikanin kur shkruan “Për turpin e Vatikanit, Patër Harapi jo vetëm nuk u fut në listën e kanonizimit nga Papa, por as nuk u përmend nga ana e tyre prej heshtjes së Kishës Katolike Shqiptare …”.

Në arkivin e Shtetit Shqiptar, në arkivat italiane dhe gjermane (disa prej dokumenteve të këtyre arkivave janë përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe) gjenden dokumente pa fund që vërtetojnë veprimtarinë e Patër Anton Harapit si bashkëpunëtor i zellshëm i pushtuesve italianë e më vonë, gjatë pushtimi nazist, duke e thelluar edhe më shumë tradhtinë, deri anëtar i Regjencës…

Së pari, Patër Anton Harapi, jo vetëm që nuk ka qenë kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste (për njerëz normalë është e pabesueshme se si mund të gënjehet pa pikë turpi, siç bën autori në këtë shkrim e të arrihet deri aty sa të shkruhet pa asnjë dokument e referencë se ai paska organizuar protesta në Shkodër kundër pushtimit…) por përkundrazi, ai ka qenë tepër aktiv për të penguar çdo lloj rezistence e kundërshtimi ndaj pushtuesve.

Siç dëshmojnë shumë dokumente, disa nga përfaqësuesit kryesorë të Klerit Katolik Shqiptar, në prag dhe gjatë pushtimit italian dhe gjerman e kanë komprometuar veten rëndë duke i lënë vetes një njollë të pashlyeshme, jo vetëm si adhurues të fashizmit por si mbështetës, përkrahës e mjaft aktivë në bashkëpunimin me pushtuesit. (Nuk është objekt i këtij shkrimi, por po të jetë nevoja mund të nxjerr qindra dokumente të tyre e të pushtuesve ku del shumë qartë veprimtaria e tyre).

Por le të vazhdojmë me Patër Anton Harapin, si një ndër përfaqësuesit më aktivë të kësaj kategorie klerikësh të lartë.

Shumë shkodranë të vjetër e dinë dhe kanë dëgjuar një ngjarje sa të rëndë, aq të turpshme për parinë e Shkodrës, ku Patër Anton Harapi ka luajtur rolin kryesor. Kur Italia fashiste po bënte përgatitjet e fundit për të pushtuar Shqipërinë, në Shkodër, komandant i trupave artilerio-xhenjero-tokësore ishte një rus i bardhë, Kucuk Ullagai (ish oficer i Ushtrisë Cariste, që mbas Luftës Civile në Rusi, u strehua në Jugosllavi dhe u inkuadrua në repartin e rusëve të bardhë që organizoi Beogradi për të sjellë Ahmet Zogun në pushtet… Ai ishte ndër ata rusë që qëndroi në Shqipëri, u inkuadrua në shërbimin ushtarak, mori nënshtetësinë shqiptare dhe arriti në përfshihej në komandën e lartë të ushtrisë).

Në prag të pushtimit, ai si ushtarak filloi të organizonte forcat ushtarake për të mbrojtur Shkodrën, e në këtë kuadër bënte plane për hapjen e llogoreve, ndante detyrat për secilin repart etj. (Njësitë ushtarake të Shkodrës po viheshin në gatishmëri të plotë, madje edhe artileria u vendos në gjendje luftimi dhe më vonë u pa se ishte ndër rastet e rralla në Shqipëri që topave nuk i ishin hequr gjilpërat …)

Për turpin e parisë së Shkodrës që, jo vetëm që nuk bëri asnjë përpjekje për rezistencë por nuk donte të lejonte askënd, as trupat ushtarake për të zbrazur qoftë edhe një pushkë kundër pushtuesve fashistë.

Për këtë arsye, një përfaqësi e parisë së Shkodrës, me në krye patër Anton Harapin shkoi tek kolonel Ullagai për ta bindur që të hiqte dorë nga rezistenca dhe ta dorëzonte Shkodrën pa kushte. Kanë mbetur lapidare fjalët e tij drejtuar Patër Anton Harapit e të gjithë dërgatës shkodrane “Paçi faqen e zezë, pjellë e keqe e këtij vendi. Unë që kam ardhur nga stepat e Rusisë, jam gati me derdhë gjak për këtë vend që më ka mbajtur me bukë tash pesëmbëdhjetë vjet dhe ju, që keni lindë e jeni rritë këtu, silleni kështu. Turpi ju mbuloftë për jetë të jetëve”.

Këto ishin fjalët e fundit dhe, që nga ai moment, ai iku nga Shkodra dhe nuk u pa më në Shqipëri… ( Ullagai ishte antikomunist i tërbuar që kishte luftuar me armë kundër Ushtrisë së Kuqe… por si ushtarak, që ishte betuar sipas ligjeve ushtarake ishte gati të luftonte kundër pushtuesve fashistë e të jepte edhe jetën për Shqipërinë).

Le ta marrë vesh Demalia e të gjithë ata që mendojnë si ai, se kur kjo pari e Shkodrës me Patër Anton Harapin në krye, prisnin me lule pushtuesit në hyrje të Shkodrës, disa nga klerikët e lartë katolikë i uronin mirëseardhjen fashistëve italianë duke tundur kambanat e kishave… Kjo është e vërteta e atyre ditëve në Shkodër, çka dëshmohet nga shumë dokumente, pa përmendur qindra fotografi ku duken shumë qartë këta “patriotë”, me në krye Patër Anton Harapin që me përulje të neveritshme u rreshtuan tek Ura e Bahçallëkut, dhe prisnin kush t’i uronte i pari mirëseardhjen e t’i jepte dorën komandantit të trupave pushtuese, kolonelit fashist Skatini. Është tepër kuptimplotë fakti se dreka e parë zyrtare për “miqtë e nderuar italianë” u shtrua në Arqipeshkvinë e Shkodrës, prandaj çdo koment do të ishte i tepërt.

***

Faktet janë tepër kokëforta, prandaj do përmend disa të tilla, që besoj se janë të mjaftueshëm për të bindur këdo prej këtyre shkruesve e ithtarëve të kolaboracionistëve e tradhtarëve të Atdheut.

Ja çfarë i shkruante me ketë rast, në emër të Provincialatit Françeskan, Patër Ciprian Nika, Ministrit Françeskan në Romë, At Leonardo M. Zellos:

“Shumë i nderuemi Atë. Më datën e 7 prillit, trupat italiane zbarkuen në katër portet e Shqipnisë… Për fat nuk pati gjakderdhje, me përjashtim në Durrës, ku disa vullnetarë kishin vendosë të luftonin. Popullsia, në mënyrë të veçantë ajo katolike, ishte e lajmërueme të mos bante asnjë qindresë. Më datën 8 rreth orës 17, trupat e motorizueme hynë në qytetin e Shkodrës. Për të bisedue mbi dorëzimin e qytetit, unë dërgova në komision Patër Anton Harapin, i cilli, në emën të popullsisë shkodrane e bindi Komandën Ushtarake Shqiptare që të mos bante qindresë të kotë….” (Fondi Françeskan)

Jo vetëm kaq. Ishte po ky Patër Anton Harapi që organizoi grupin që u quajt  Asamblistët e Shkodrës, për të përfaqësuar Shkodrën në Asamblenë Kushtetuese. Kështu më 10 prill, u organizua një mbledhje me parinë e Shkodrës, ku kishte ardhur Maliq Bushati, i dërguar nga Jakomoni për të zgjedhur (caktuar) përfaqësuesit e Shkodrës në Asamblenë Kushtetuese që do të mblidhej më 12 prill në Tiranë për “Shpalljen e bashkimit personal të Shqipërisë me Italinë dhe dhënien e kunorës mbretnore Vitore Emanuelit”, pra për të shitur Shqipërinë edhe “ligjërisht”. Duke qenë se disa pjesëmarrës, që ishin zgjedhur për në Asamble, për arsye fetare etj. nuk pranuan të shkonin në Tiranë si asamblistë dhe u larguan nga mbledhja, ishte pikërisht patër Anton Harapi që bashkë me Melonin (konsullin italian në Shkodër) dhe Gjon Marka Gjonin që caktuan asamblistë të tjerë në vend të tyre. Po ashtu nuk është rastësi që para mbledhjes së Asamblesë Kushtetuese, Patër Anton Harapi u takua me Ministrin e Jashtëm italian, Kontin Ciano për të marrë porositë e fundit për qëndrimin e asamblistëve të Shkodrës në mbështetje të “bashkimit personal të Shqipërisë me Italinë fashiste…”

Në letrën e sipërpërmendur, që Patër Ciprian Nika i shkruante Ministrit të Përgjithshëm të Fretënve, ndërmjet të tjerave theksonte se “Data 12 prill për ne françeskanët qe një ditë me preokupime shumë të mëdha… duhej apo jo të dërgohej në Tiranë një atë i yni, për t’i dhanë Kunorën e Shqypninsë mbretit të Italisë. U vendos të dërgohej ati i kërkuem, dhe u dërgue pikërisht Patër Anton Harapi, njeriu ma i cilësuem në kët punë….”

Është tepër kuptimplotë e bindës telegrami i Ipeshkvijve të Shqipërisë, drejtuar Viktor Emanuelit, më dt. 29 prill, ku shprehnin kënaqësinë e tyre për “bashkimin personal të dy mbretërive”, dhe që e mbyllnin me fjalët “Bashkojmë në fronin august falënderimet dhe homazhet e një besnikërie të pafund”. Nënshkruar nga ipeshkvit shqiptarë, G. Thaci, P. Gjura, B. Shllaku, L. Bumci, V. Prendushi dhe F. M. Gjini.

Pa u zgjatur me shumë shembuj të tjerë, për të vërtetuar se sa aktivë e të angazhuar kanë qenë disa nga klerikët e lartë katolikë “kundër” pushtimit fashist po sjell vetëm një paragraf nga artikulli i revistës “Hylli i Dritës” (korrik 1940, Nr.7-9) botuar me rastin e një vjetorit të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste:

“Një epokë e re qi hapet në vorrimin e nje tjetre, e cilla mbas njëqind e sa vjetëve lëvizjesh shqetësuese mbi kontinentin evropian sod fiket, meket, mbaron. Të himtë e Italisë në Luftë, të himtë e ushtrive gjermane në Paris u dhanë shtjellen demokracive, idetë e revolucionit francez u zhgulen, hine në të kaluemen, hine në shtillin e pamasë të historisë që kje. Një botë e re shifet kah ngrihet. Njerzimi pret tanë kureshtje rendin e ri qi vjen mbas kësaj shtergate të fuqishme, pret pagjen, drejtësinë e nji rendim shoqnuer të qindrueshëm. Sjell sytë kah dy persona-zhenij, qi kanë sot fatin e popujve në dorë: kah Musolini e Hitleri… Në pak kohë Shqypnija po bahet nji lulishte. Në kët lulishte, shqyptarë e italianë, të vllaznuem nen mbretin e vet peranduer e t’udhhjekun prej Duces së madh të Fashizmit, i ven themelet me vangë e shpatë, nji epoke të re, nji qytetnimi të ri….”

Ky ishte qëndrimi i Patër Anton Harapit e shokëve të tij ndaj pushtimit fashist, e që besoj se nuk ka nevojë për komente.

Por tradhtia e kolaboracionizmi i Patër Anton Harapit, u duk edhe më qartë gjatë pushtimit nazist.

Është tepër kuptimplotë qëndrimi i tij ndaj pushtuesve të rinj, nazistëve gjermanë. Ja si shkruan Markus W.E.Peters në librin e tij “Përballjet e Kishës katolike në Shqipëri 1919-1996 “Disa ditë më vonë Vermachti Gjerman instaloi në Shkodër administratën e vet ushtarake. Arqipeshkvi, Imz. Thaçi dhe Anton Harapi, kontaktuan menjëherë me Gjeneralin SS Hausding, për të diskutuar për gjendjen dhe për mënyrën si do të procedohej”.

Janë të rralla rastet në Europën e pushtuar nga nazi-fashizmi kur një prift katolik bëhet anëtar i regjencës së krijuar nga pushtuesit, siç ndodhi me Patër Anton Harapin, megjithëse “ligji i shenjtë” ia ndalonte një veprim të tillë. Është tepër interesant qëndrimi i Vatikanit, konkretisht i Papës, që duke e kuptuar hilen e Kishës Katolike Shqiptare, që iu drejtua atyre për të aprovuar përfshirjen e Patër Antonit në Regjencë, ja la në kompetencë Arqipeshkvit të Shkodrës, Gaspër Thaçi, i cili e aprovoi pa asnjë mëdyshje…

 

***

Shkruesi i artikullit kërkon të pastrojë edhe poetin e madh Atë Gjergj Fishta e ta bëjë antifashist, që gjoja paska kundërshtuar pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, por do t’i bënte nder shumë më tepër po të mos e përmendte, sepse prekja e plagëve gjithmonë shkakton dhimbje…

Po, është e vërtetë se Gjergj Fishta nuk ishte si Anton Harapi e disa të tjerë që u vunë me të gjitha forcat morale, shpirtërore e fizike në shërbim të pushtuesit italian e më vonë atij gjerman, por kurrsesi nuk mund të falsifikohet historia dhe të arrihet deri aty sa të thuhet se ai organizoi protesta kundër pushtimit italian e broçkulla të tilla që nuk i beson askush.

Vetëm për ilustrim, po sjell një fragment nga telegrami që Atë Gjergj Fishta i ka dërguar Mbretit të Italisë, botuar në atë kohë në “Hylli i Dritës”

“Madhërisë së Tij Vitorio Emanueli, Romë.

Me rastin e katerdhjetë vjetorit të mbretënimit të lavdishëm të madhënisë Suej, i bashkuem me mendje dhe zemër me popujt e Mbretënisë, i parashtroj Mbretit të Plotëfuqishëm bekime për drejtimin e amëshuem të Mbretënisë Suej, për triumfin final të armëve fitimtare…”.

Besoj kaq mjafton.

Por duhet theksuar se jo të gjithë priftërinjtë katolikë bashkëpunuan me pushtuesin, sepse kishte disa prej tyre që nuk iu nënshtruan as joshjeve e as presionit të drejtuesve kryesorë të Kishës Katolike. Madje disa kanë qenë jo vetëm simpatizantë të Lëvizjes Nacional Çlirimtare, por ndihmuan ata që kishin dalë malit e luftonin kundër pushtuesve me armë në dorë. Kështu mund të përmend priftin e Reçit (Malësi të Madhe) që ishte zgjedhur Nen/Kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar për Qarkun e Shkodrës, priftin e fshatit Gziq, Dom Lec Sahatçia që ka ndihmuar me të gjitha mënyrat partizanët, priftin e fshatit Perlat (Mirditë), Dom Ndoc Ndoja, Dom Nikoll Lulin e Ungrejajve etj.

Në shkrimin e tij, I. Demalia akuzon rëndë Vatikanin, madje e quan “të turpshëm” veprimin e tij që nuk e përfshiu në listën e kanonizimit Patër Anton Harapin.

Po si qëndron e vërteta dhe përse Vatikani nuk e përfshiu atë në procesin e kanonizimit Patër Anton Harapin dhe jo vetëm atë, por edhe disa priftërinj të tjerë. Sipas disa autorëve që janë marrë me persekutimin e klerit në Shqipëri, veçanërisht të atij katolik, numri i priftërinjve të persekutuar gjatë sistemit komunist është rreth 160 vetë, pa përmendur 35 priftërinj të arratisur jashtë vendit si kundërshtarë të komunizmit./ dita

Vijon….

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne