Pilotët dhe mirëmbajtësit turq fillojnë së shpejti trajnimin në SHBA për avionin F-35

Pentagoni ka njoftuar se pilotët turq dhe personeli i mirëmbajtjes, të cilët do të trajnohen për avionin luftarak F-35 në shtetin e Arizonës, së shpejti do të fillojnë akademinë e fluturimit.

“Pilotët dhe mirëmbajtësit turq të avionit F-35 tashmë kanë arritur në Bazën e Forcave Ajrore Luke”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Pentagonit, Koloneli Rob Manning.

Ai deklaroi se pas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajnë kujdestarinë e avionëve derisa të transferohen në vendet partnere dhe se normalisht kjo do të realizohet pasi të përfundojë trajnimi, i cili mund të zgjasë 1-2 vjet.

Megjithatë Senati i SHBA-së miratoi me shumicë votash Aktin Vjetor të Autorizimit Kombëtar të Mbrojtjes, i cili përfshin një amendament që ndalon shitjet në Turqi të avionëve F-35, duke theksuar si arsye blerjen e sistemit të mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia dhe arrestimin e shtetasve amerikanë.

Projektligji tani duhet të harmonizohet me atë që tashmë është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në maj dhe më pas duhet të miratohet një masë kompromisi nga të dyja dhomat, si dhe të nënshkruhet nga Presidenti Donald Trump.

“Administrata amerikane nuk ka marrë ndonjë vendim për pjesëmarrjen e ardhshme të Turqisë në Programin e Avionit Luftarak të Përbashkët (JSF), F-35”, tha Manning në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me qëndrimin e Pentagonit nëse vendimi i Senatit është miratuar si legjislacion.

“Turqia është një aleate e ngushtë dhe kryesore e NATO-s dhe ka qenë pjesëmarrëse ndërkombëtare në programin F-35 që nga viti 2002,” shtoi ai.

Përveç kësaj, Mike Andrews, një tjetër zëdhënës, tha se Pentagoni “nuk komenton legjislacionin e propozuar” dhe se pilotët turq do të vazhdojnë trajnimet për sa kohë që “diçka” nuk ka ndryshuar.

“Senati votoi për të penguar. Tani Kongresi ka një votë dhe presidenti një votë”, tha Andrews në përgjigje të një pyetjeje rreth planit të ardhshëm të Pentagonit.

“Ajo që më kërkoni është të spekuloj. Prandaj gjithçka që mund të them është se ata do të vazhdojnë të fluturojnë sipas programit”, shtoi Andrews.

Turqia mori dërgesën e saj të parë të avionëve luftarakë F-35 në një ceremoni në Forth Worth, Teksas, më 21 qershor.

Avioni pritet të përforcojë ushtrinë turke me aftësitë e tij superiore, siç janë sensorët e fundit dhe sistemi i avancuar i radarëve./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne