Piratimi i trurit, ndalja e kohës dhe armatosja e insekteve, përmbushin planet e ushtrisë amerikane

DARPA, krahu hulumtues i ushtrisë amerikane, thotë se ndodhet vetëm një hap larg qëllimit të saj për të prodhuar një proteze të ruajtjes së kujtesës njerëzore, e cila është vetëm një nga shumë prej projekteve të saj të avancuara.

Agjencia e Projekteve të Avancuara të Mbrojtjes (DARPA), e cila është pjesë e Pentagonit, u krijua 60 vjet më parë si përgjigje ndaj hedhjes në hapësirë të satelitit sovjetik Sputnik 1, me qëllimin e deklaruar për të qenë “nismëtari i zhvillimeve dhe jo viktima e surprizave strategjike teknologjike.”

Megjithatë, jo të gjitha zhvillimet e agjencisë kanë qenë të fokusuara tek armët, DARPA ka meritë edhe për kontributin në krijimin e internetit dhe zhvillimin e GPS-it.


Aktualisht shume prej teknologjive te saj te avancuara që përfshijnë militarizimin e mjedisit dhe manipulimin e trupit dhe trurit të njeriut janë në zhvillim e sipër në Departamentin e Mbrojtjes, seksioni “shkenca e çmendur”. RT po shqyrton disa nga mënyrat sesi njësitë e punës po e përdorin inteligjencën artificiale (AI) dhe inxhinierinë gjenetike në emër të sigurisë kombëtare.

Hakimi i trurit

DARPA ka investuar shumë në teknologjitë e trurit që nga viti 2013, kur edhe njoftoi për nismën e saj për trurin (Brain Research through Advancing Innovative Neurotechnologies), që përbëhet nga disa programe të dedikuara për të bërë përparime revolucionare në neuroshkencë.

Këto teknologji janë një thikë me dy presa, që mbajnë potencialin për rehabilitim, por gjithashtu rrezikojnë që të përdoren në menyrë joetike. “Truri është beteja e ardhshme”, tha për Foreign Policy, James Giordano, një neuroethicist nga Georgetown University Medical Center.

Neuroshkencëtarët kanë paralajmëruar për çështjet etike rreth këtyre zhvillimeve. Në vitin 2013, në të njëjtin vit që filloi nisma Brain (truri), një grup shkencëtarësh konfirmuan se kishin futur me sukses kujtime të rreme në trurin e një miu.

Ndër teknologjitë e tjera në zhvillim për hakimin e trurit njerëzor është edhe ‘proteza’ e kujtesës. Kohët e fundit DARPA raportoi se ishte në nivelin e duhur për të arritur prodhimin e këtij impianti chip që do të lehtësonte formimin e kujtimeve të reja dhe rikthimin e atyre ekzistuese tek individët që i kishin humbur këto kapacitete si rezultat i plagosjeve traumatike të trurit ose sëmundjeve neurologjike.

Këta çipa janë duke u shqyrtuar nga hulumtuesit e financuar nga DARPA si një mënyrë për të trajtuar PTSD-në (çrregullimin stresor post traumatik) duke e stimuluar trurin shumë thellë. Ata dërgojnë doza të ulëta të energjisë elektrike thellë në tru për të ndryshuar gjendjen e një personi.

Ndërkohë, DARPA po kërkon gjithashtu të avancojë aftësitë njerëzore duke përshpejtuar përvetësimin e aftësive. Nëse ky projekt do të ketë sukses, rezultati do të jetë ‘të mësuarit me anë të shkarkimit (downloading)’, që i lejon personelit ushtarak të fitojë aftësitë e nevojshme pa përpjekje të mëdha.

Nëse kjo nuk do të mjaftojë, një teknologji potenciale-distopike po përdoret nga programi NESD i DARPA-s (Neural Engineering System Design) për të mundësuar komunikimin e drejtpërdrejtë mes trurit dhe kompjuterave.

Qëllimi është që bashkëpunimi kompjuter-tru të jetë në gjendje që të komunikojë në dy drejtime, marrjen e sinjaleve si dhe transmetimin e tyre duke regjistruar sinjalet e 1 milion neuroneve.

Ndalimi i orës biologjike

Në një tjetër nismë ambicioze, DARPA po studion mënyrën sesi të shpëtojë ushtarët e plagosur duke i vënë një ndalesë të përkohshme kohës biologjike. Projekti Biostasis synon të ngadalësojë reagimet biokimike brenda qelizave, në mënyrë që të zgjatë dritaren kohore nga lëndimi deri tek trajtimi i parë mjekësor, një dritare që mund të përcaktojë nëse një person jeton ose vdes.

Plani është të nxisë biologjinë molekulare për të zhvilluar mënyra të reja për të kontrolluar shpejtësinë në të cilën funksionojnë sistemet jetësore. Ajo po ndjek qasje të ndryshme për të ngadalësuar proceset biokimike në qelizat e gjalla pa i dëmtuar ato.

Militarizimi i natyrës

Mjedisi natyror, nga bimët tek planktonet, ka mundësira të mëdha për një agjenci ushtarake që kërkon të zgjerojë programin e saj të mbikqyrjes.

Programi i avancuar bimor i teknologjive të DARPA-s (APT) shpreson që ti kthejë pemët në spiunë mjedisorë duke i modifikuar ato gjenetikisht në mënyrë që ti monitorojë nga distanca. Modifikimet do të jenë në gjendje të “zbulojnë praninë e kimikateve të caktuara, patogjenet, rrezatimet madje edhe sinjalet elektromagnetike”, dhe si rezultat ushtria amerikane do të ruhet nga rreziqet.

Peshqit e detit janë gjithashtu fokusi i një projekti që shpreson të shfrytëzojë organizmat e oqeanit si sensorë për të ndjekur mjetet nënujore të armikut. DARPA po shqyrton molusqet, krustazat dhe lloje të caktuar peshqish për të parë se cilat janë më të përshtatshme për të mbështetur monitorimet e rrjetit të sensorëve në anijet amerikane. Speciet e rrezikuara dhe gjitarët inteligjentë, si delfinët dhe balenat, përjashtohen nga programi.

Pastaj ekziston edhe Programi i Insekteve, i cili synon të ruajë të korrat e SHBA-së nga kërcënimet e insekteve inxhinierike. Sipas DARPA-s, siguria kombëtare mund të rrezikohet shumë shpejt nga kërcënimet natyrore në sistemin e kulturave bujqësore, duke përfshirë patogjenët, thatësirat, përmbytjet dhe acaret, sidomos nga kërcënimet e paraqitura nga aktorët shtetërorë ose jo shtetërorë”.

Todd Kuiken, një studiues i lartë në Qendrën e Inxhinierisë dhe Shoqërisë Gjenetike në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Veriut ka ngritur shqetësime lidhur me një eksperiment të biologjisë sintetike të këtij lloji që financohet nga Departamenti i Mbrojtjes.

“Për shkak se Shtetet e Bashkuara po i financojnë këto iniciativa përmes Departamentit të Mbrojtjes, dhe jo nëpërmjet organizatave civile, komuniteti ndërkombëtar mund t’i perceptojë ato thjesht si programe potenciale për zhvillimin e armëve biologjike, dhe jo si investimeve thjesht për teknologjinë mbrojtëse.

“Në fund të fundit, nëse SHBA është në gjendje që të projektojë një insekt për të mbartur një virus për qëllime mbrojtëse, nuk do të ishte e vështirë që ta projektojë atë insekt për të mbajtur një virus vdekjeprurës për qëllime sulmi. Është një skenar klasik i teknologjisë me përdorim të dyfishtë,” shkroi ai në faqen slate.


DARPA nuk është se mbahet mend si një agjenci e papërzierë në polemika. Ajo kujtohet veçanërisht për rolin e saj në Luftën e Vietnamit, në të cilën futi në përdorim në fushën e betejës elementin kimik portokall. Herbicidi i fuqishëm u përdor nga forcat ushtarake amerikane për të eliminuar pyjet dhe kulturat e përdorura për mbulimin e trupave vietnameze dhe Viet Conge. Më vonë u provua se shkaktonte probleme serioze shëndetësore, përfshirë kancerin, lindjet me defekte, puçrra dhe problemet të rënda psikologjike dhe neurologjike për vendasit dhe veteranët amerikanë.

Organizata ka një buxhet vjetor prej rreth 3 miliardë dollarësh, ndërsa për vitin 2018 është bërë një kërkesë për 3.17 miliardë dollarë dhe shpresohet që të rritet në 3.44 miliard dollarë në vitin 2019./rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne