Plas në PDIU, Aqif Rakipi: Shpëtim Idrizi të largohet, është dembel!

Deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi, ka analizuar humbjen e PDIU-së në zgjedhje. Sipas Rakipit, përgjegjësia për humbjen e mandatit të kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi në Tiranë është përgjegjësi e vetë Idrizit, i cili sipas tij është dembel. Rakipi në një intervistë për gazetën Panorama, ka thënë se Idrizi duhet të japë dorëheqjen për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhjet e 25 qershorit.

“Për mos’hyrjen e Shpëtim Idrizit në Parlament, nuk bëj përgjegjës njerëzit se sa vetë kryetarin. Kryetari arsyet e humbjes duhet t’i kërkojë te vetja. Në fushatë po nuk dole t’i takosh njerëzit kudo që të jenë, po nuk shkove t’i respektosh në komunitetet e tyre, në shtëpi, në biznese, njerëzit nuk të mbështesin, sepse ata nuk të shohin më si kryetar partie, por të vlerësojnë nga marrëdhënia njerëzore direkte që ti krijon. Nuk ka më bastione, sidomos me partitë e vogla. Pse nuk na ka votuar komuniteti çam në Tiranë? Ne këtë duhet të analizojmë. Si politikan Shpëtim Idrizin, unë do ta klasifikoja si 10 më të mirët e Parlamentit. Është pak dembel dhe kjo na ka dëmtuar pak. Kështu nuk ecet më tutje. Kryetari duhet të jetë më i drejtpërdrejtë, më i komunikueshëm me njerëzit. Do të diskutojmë brenda partisë se si do të zgjidhet ky ngërç. Për shkak të rezultatit, edhe kryetari mund të japë dorëheqje”, tha ndër të tjera Rakipi.

Në të vetetë edhe dy emrat e tjerë që fituan si deputet në emër të PDIU, janë përzgjedhur e vënë nga vetë Aqif Rakipi. Pra realisht PDIU në parlament ka fytyrën dhe punën e deputetit të Elbasanit.

Intervista e Rakipit

PDIU nga tri mandate që mori në zgjedhjet e 25 qershorit, dy nga këto i mori në qarkun e Elbasanit. Si e vlerësoni këtë rezultat dhe kujt ia dedikoni?

Në radhë të parë, unë fitoren ua dedikoj njerëzve që kanë pasur besim gjithmonë te mua, jo vetëm në këto zgjedhje. Kam pasur një mbështetje shumë të mirë në Peqin, por kësaj radhe vlerësimi ishte maksimal nga 13.250 vota, 6000 mijë vota i mora unë, duke krijuar një diferencë dhe nga dy partitë e mëdha me 3000 vota plus. Peqini mund të ketë jo më shumë se 50 votues nga komuniteti çam, prandaj votat i kanë dhënë për Aqif Rakipin, për marrëdhënien e sinqertë që unë kam ndërtuar me këtë rreth. Unë u jam 100 herë mirënjohës banorëve të Peqinit. Në këtë rezultat një rol të rëndësishëm ka luajtur dhe Bashkia e Peqinit, të cilin e fituam me 5500 vota përballë kandidatit të PD-së. U jemi gjindur banorëve të Peqinit për çdo problematikë dhe me punësimin, ku vetëm në 2017 kemi punësuar 200 veta në këtë bashki.

Mandati i tretë në Elbasan ishte i mundshëm?

Ishte. Lufta politike ka qenë shumë e egër, si nga ana e PS, PD, por dhe LSI. Kuptohet që LSI ka qenë te pjesa e tepsisë apo e tenxhereve, siç thotë Edi Rama, dhe ne nuk kemi pasur asnjë lidhje me pushtetin qendror. Në Elbasan punoi shumë mirë edhe Bujar Muça, mik dhe vëllai im, një sipërmarrës shumë i suksesshëm, i cili, edhe pse për herë të parë, bëri një punë shumë të mirë me njerëzit. Ne bëmë një fushatë si grup, si ekip dhe kjo na dha rezultat shumë të mirë, për 700 vota do të kishim marrë mandatin e tretë. E rëndësishme ishte edhe fitorja e PDIU-së në Dibër me Reme Lalën, e cila mori mbi 12 mijë vota, duke lënë LSI pas, dhe pse LSI ka pasur disa drejtori të rëndësishme në këtë qark.

Por në Parlament do të mungojë kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Si e vlerësoni?

Është për të ardhur keq që kryetari i partisë të mos jetë në Parlament. Nuk më vjen mirë. Për pjesën e kryetarit ne do të ulemi dhe do të diskutojmë se si do të vazhdojmë. Por për moshyrjen e Shpëtim Idrizit në Parlament nuk bëj përgjegjës njerëzit, sesa vetë kryetarin.

Në ç’kuptim?

Së pari, kryetari arsyet e humbjes duhet t’i kërkojë te vetja. Në fushatë po nuk dole të takosh njerëzit kudo që të jenë, po nuk shkove t’i respektosh, në komunitetet e tyre, në shtëpi, në biznese, njerëzit nuk të mbështesin, sepse njerëzit nuk të shohin më si kryetar partie apo si sigël partie, por të vlerësojnë nga marrëdhënia njerëzore direkte që ti krijon. 29.500 vota në Elbasan ne i kemi marrë si një marrëdhënie besimi direkt që kemi vendosur me votuesin dhe jo nga sigla e partisë, sepse nuk jemi as PS dhe as PD që njerëzit të të vijnë me sy mbyllur. Nuk ka më bastione, sidomos me partitë e vogla.

Pse nuk na ka votuar komuniteti çam në Tiranë, ne këtë duhet të analizojmë. Pse nuk na ka votuar?! E vërteta është se Shpëtim Idrizi ka bërë shumë për çështjen çame. Por edhe Kryeministri Rama dhe ministri i Jashtëm Bushati kanë bërë shumë për çështjen çame, i falënderoj për këtë. Kjo është ana pozitive. Pjesën tjetër, të kontakteve me njerëzit, PDIU duhet ta analizojë dhe të gjejë defektet. Si politikan, Shpëtim Idrizin unë do ta klasifikoja në 10 më të mirët e Parlamentit.

Është pak dembel dhe kjo na ka dëmtuar pak. Kështu nuk ecet më tutje. Kryetari duhet të jetë më i drejtpërdrejtë, më i komunikueshëm me njerëzit dhe të afrojë në parti komunitetin çam. Nëse Shpëtim Idrizi ndryshon sa i takon punës me partinë, unë e mbështes maksimalisht nëse shtrohet siç duhet në punët e partisë, sepse i ka të gjitha kapacitetet, veçse duhet të jetë më punëtor. PDIU duhet ta afrojë dhe ta ketë me vete elektoratin e Jugut ku kemi bastionet tona, Vlorë, Durrës, Fier apo dhe Sarandë. Do të diskutojmë brenda partisë se si do zgjidhet ky ngërç.

Asnjëherë nuk kam pasur ambicie të jem në drejtim të partisë, jam me këmbë në tokë dhe realist për atë që unë di të bëj në parti. Do të jenë strukturat që do vendosin, por për shkak të rezultatit, edhe kryetari mund të japë dorëheqje, të zgjidhet një kryetar i ri. Por ne sot që flasim nuk kemi më të mirë se Shpëtim Idrizi në PDIU. Nëse del ndonjë më i mirë, ne jemi të hapur që ta çojmë partinë më përpara. Edhe unë nuk jam i përhershëm në PDIU, nëse del ndonjë i ri që i merr këto vota apo dhe me shumë, bujrum i hapur jam.

Deputetja e re, Reme Lala, është shprehur se do t’i japë mbështetje Edi Ramës. Cili do të jetë qëndrimi juaj në Parlament si deputetë të PDIU-së?

Deklarata e Remes lidhej me premtimin që Edi Rama kishte bërë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Remja ishte e ngazëllyer nga fitorja e arritur dhe në emocion e sipër bëri atë deklaratë, sepse edhe vetë kishte premtuar mbështetje të fortë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

Çfarë qëndrimi do të mbani në Parlament përballë qeverisë?

Edi Rama kërkoi timonin dhe e mori atë. Tenxheret dhe tepsitë janë e shkuara. Ato ikën. Ai duhet t’u japë zgjidhje problemeve të qytetarëve, meqenëse po kërkon të bëjë koalicion me qytetarët, por duhet të përfshijë dhe fshatarët në bashkëqeverisje. Duhet t’i japë zgjidhje papunësisë së njerëzve që rrinë gjithë ditën lokaleve dhe të vetmen shpresë që kanë janë skedinat e basteve se mos kapin ndonjë lek. Nëse i bën këto, ne e mbështesim. Ne nuk kërkojmë as poste ministrash, as drejtorësh. Por zgjidhjet nuk jepen me këtë nismë siç ai pretendon përmes koalicionit me qytetarët, por të marrë përgjegjësitë që i dha populli.

Votat tuaja do të jenë në mënyrë konstante në mbështetje të qeverisë, apo do të rreshtoheni me partitë opozitare?

Ne do të diskutojmë se çfarë qëndrimi do të mbajmë. Unë nuk jam vetëm, kemi dhe dy deputetë të tjerë, Bujar Muça dhe Reme Lala, e do të vendosim se çfarë qëndrimi do të mbajmë në Parlament dhe si parti.

Çfarë do t’i kërkonit Kryeministrit Rama?

Unë nuk jam pjesë e tepsisë apo tenxhereve dhe ai e di shumë mirë këtë. E kam thënë edhe në fushatë që Edi Rama ta sqarojë mirë se me kë e ka ndarë tepsinë dhe tenxheren. Unë kam pasur shumë komunikim me Kryeministrin Rama dhe nuk i kam kërkuar asgjë personale. PDIU ka votuar të gjitha ligjet e rëndësishme që kërkonin 84 vota, s’kemi bërë ndonjëherë pazare me Edi Ramën. I kemi qëndruar qeverisë edhe kur në korrik të 2016- s rrezikoheshin numrat.

Në zgjedhjet lokale ne ishim pjesë e koalicionit dhe patëm një marrëveshje bashkëpunimi, e cila nuk u zbatua ndonjëherë. Kryetari i PDIU-së kishte rënë dakord me kryeministrin se në ato zona ku ne kishim më shumë vota, të kishim përfaqësim në administratë në masën 5-6%. Ne kemi vlerësuar qëndrimin e qeverisë për çështjen çame dhe nuk u fokusuam shumë te postet. Nëse do të jemi pjesë e Edi Ramës, nuk do të gënjehem me ndonjë kockë pushteti. Nuk kërkoj as ministër, as drejtor, jo se nuk më takon, por kërkoj që t’u japë zgjidhje halleve të njerëzve dhe atyre votuesve tanë, sidomos te punësimi. Tani timonin e ka vetë të plotë dhe duhet ta luajë siç duhet.

Si e vlerësoni nismën e denoncimeve të qytetarëve për nëpunësit dhe drejtuesit e institucioneve?

Ato për mua janë si fletërrufetë e kohës së Enverit. Edhe Edi Rama e ka kuptuar se nuk ishte kjo mënyra më e mirë dhe duket se është tërhequr. Ai e ka kurajën që kur e kupton se një gjë është e gabuar, të tërhiqet. Jetojmë në Shqipëri dhe ata që zbatojnë ligjin nuk pëlqehen nga njerëzit, ne duam të kemi gjithmonë të drejtë, por ligji është e drejta. Sugjerimet mund të merren nga qytetarët, por ato duhen hetuar dhe analizuar e jo të nxirren në publik pa i hetuar.

Në katër vite deputet, çfarë shijeje ju ka lënë politika?

Politikanët, në radhë të parë, nuk kanë emër të mirë te njerëzit, nuk kanë miqësi, besë, shohin interesat e veta, kur kanë hall, të çajnë telefonin dhe të bëhen urë që edhe ti të kalosh, e pastaj si puna e kalit me lumin… Unë nuk jam politikan dhe s’bëhem dot pjesë e politikës, sepse unë kam burrërinë dhe besën me njerëzit, para së gjithash. Por nëse nuk do jem pjesë e Edi Ramës, do jemi në opozitë dhe nuk do jetë e lehtë për qeverinë për numrat që krijohen, nëse edhe ne do bëhemi pjesë e opozitës me LSI-në, se çfarë mund të ndodhë në Parlament.

Të mos harrojmë që për një vit e gjysmë kemi zgjedhjet lokale dhe nëse ne do të jemi pjesë e PD apo LSI, Edi Rama nuk fiton asnjë bashki në Elbasan. Në Bashkinë e Elbasanit unë kam 16.500 vota dhe 8 mijë LSI. Me 25 mijë vota minus nuk fitohet bashkia. Unë nuk e kam gjetur asnjëherë veten mirë në politikë, por dhe politikanët nuk e ndiejnë veten mirë me mua. Kam menduar se me marrjen e tri mandateve në Elbasan, unë ta lija politikën, sepse doja të tregoja se cila ishte fuqia ime, por në këto kushte, kur Shpëtim Idrizi nuk doli deputet, jam i detyruar të qëndroj sepse vetëm unë e kam përvojën e Parlamentit nga ne të tre.(panorama)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne