/Arlind Qori/

Doja t’i nisja këto radhë për të bindur kolegët që të merrnin pjesë në protestën e 24 janarit. Rrugës ndërrova mendje. Më saktë, u orvata ta zgjeroj mendimin përtej thirrjes për protestë, duke kërkuar rrënjët e ndërtimit të një pedagogjie emancipuese në kushtet universitare shqiptare.

E kam të vështirë të flas si pedagog. E mendoj njeriun si qenie tërësore, ku profesioni nuk ndahet me thikë nga botëvështrimi dhe veprimtaritë e tjera shoqërore. Mirëpo karakteri shumëpërmasor i gjinisë njerëzore mpaket e reduktohet në hulli profesionale qysh herët. Kaq gjë Marksi e pat kuptuar që 26 vjeç, atëherë kur ndërthurte Adam Smithin me Hegelin për të na bërë të ditur se ç’tuhajësim sjell ndarja e punës në një shoqëri klasore.

Këtë ndarje nuk e zhbëjmë dot as duke e konstatuar, as duke e kritikuar; madje as duke iu kundërvënë brenda kufijve të formacionit shoqëror në fuqi. Atë veç sa mund ta marrim në konsideratë, t’i qasemi për ta vënë në krizë nga brenda dhe të shohim se si prej partikularitetit të një profesioni mund të zbulohen filizat e një universaliteti të ri.

Kështu që radhët në vijim, sado me zor, do t’i shkruaj thjesht si pedagog drejtuar kolegëve të mi të cilët, ku më shumë e ku më pak, sa herë flitet për të drejtat studentore shtrojnë pyetjen e pafajshme e çarmatosëse: “Po mua si pedagog ç’më duhet?” Këtu nuk kam parasysh as pedagogët idealë, që kanë po aq gjasë të ekzistojnë sa shtojzovallet, as palo pedagogët, të cilët në universitete do t’i ketë hedhur ndonjë anije kozmike në avari e sipër. E kam fjalën për atë shumësi te të cilët ende fle potenciali i pedagogjisë emancipuese.

Përgjigjja e pyetjes së mësipërme nuk mund të nisë veçse nga problematizimi i ligjit të arsimit të lartë. Sipas tij, universitetet publike konsiderohen institucione të vetëmjaftueshme financiarisht, prej nga rrjedh se një pjesë gjithnjë e më të madhe të fondeve duhet ta sigurojnë nga tarifimi i studentëve. Mbijetesa e universitetit nga pagesat studentore do t’i kthejë këta të fundit në klientë, me të drejta dhe detyrime hiç të ndryshme nga blerësi në ushqimore. Çka do të thotë se rrogën e pedagogut, shitësit të dijes-kastravec, do ta paguajë drejtpërdrejt trupa studentore. Nëse në Britani ky strukturim i universiteteve ka sjellë për pasojë shthurjen e lidhjes së avancimit në studime me nivelin e përgatitjes, në një vend si Shqipëria, me prag më të ulët përgjegjësie e kulturë të fortë nepotizmi, do të kishim inflacion të pandalshëm notash. Siç ndodh rëndom në diplomoret private, ku studentët i sigurojnë të ardhurat e pronarit dhe pronari u jep pagën pedagogëve, zor se do të ngelte kush. Madje dalëngadalë notat do të ngjisheshin aq fort pas dhjetës, saqë, në mos do të merrnin të gjithë dhjetë, nuk është çudi që ato të shkonin nga teta e sipër. Efekti domino i këtij fenomeni në mbarë jetën universitare do ta pamundësonte ndarjen e shapit nga sheqeri edhe për të përcaktuar distancën më të vogël të meritës. Aq sa, të neveritur nga shkëlqimi i rremë i listave të notave, punëdhënësit do t’i diskriminonin studentët e kësaj epoke duke u dhënë përparësi të plotë të diplomuarve jashtë Shqipërisë dhe atyre të një Shqipërie tjetër – të kohës kur, pavarësisht 1001 të zezave, pesa ishte pesë dhe dhjeta dhjetë.

Në klasë gjithashtu do të mbizotëronin studentët nga familje të pasura ose të tjerë që, për të paguar tarifën, mbyten në borxhe. Në kushtet ku universiteti po shndërrohet në certifikues kredencialesh, kërkesat e tyre nuk do të ishin ato të studentëve që të vënë me shpatulla për muri në kërkim të dijes më të thellë e të gjerë, por klientë tekanjozë që mendojnë se notën e meritojnë vetëm për faktin që kanë begenisur të regjistrohen në fakultet, prej ku del edhe rroga jote si pedagog.

Përkundruall kësaj alternative distopike qëndron një jetë universitare e udhëhequr sipas parimit se përgjegjësinë për mbulimin e kostove të studimit e ka shteti. Së këndejmi, sa më të ulëta tarifat dhe sa më e madhe mbështetja financiare për studentët (në formë bursash për të përballuar jetesën dhe kostot e tjera studimore), aq më të shumtë do të ishin kandidatët për të ndjekur arsimin e lartë. Prej një game më të gjerë konkurruesish – ku do të përfshiheshin nxënësit e çdo klase shoqërore, sidomos të varfrit – do të mund të përzgjidheshin më të mirët për të ndjekur studimet universitare dhe më të mirët e të mirëve për të studiuar në ato degë që studentët vetë ose shoqëria në tërësi i konsiderojnë më të rëndësishme.

Nuk ka pedagog që s’e kupton që në vitet e para të mësimdhënies se ç’flamë ndaj cilësisë universitare është varfëria. Kush ka më shumë përvojë pedagogjike e mban mend se dikur shumë pak studentë kishin nevojë të punonin dhe, mes tyre, pjesa më e madhe e bënte për të pasur ca para xhepi më shumë. Përvit e më shumë shihet se si një numër në rritje studentësh ia ka nevojën punës për të paguar tarifën, qiranë, bukën dhe një kafe në ditë (i vetmi luks që mund t’i lejojnë vetes). Madje ia nisin punës herët fare, sa fillojnë shkollën, nganjëherë që në muajt e verës përpara saj. Janë këta studentë të cilëve u duhen gjithnjë e më shumë orë për të punuar dhe kanë gjithnjë e më pak kohë për të studiuar. Kush ka kohë sot të shkojë në bibliotekë e arkiva, të ndërtojë pyetësorë e bëjë interpretime?! Në rastin më të mirë luftohet për të ruajtur kohën gjatë sezonit të provimeve.

Të tillë studentëve, edhe kur u del koha të vijnë në klasë, është e vështirë t’ua fitosh vëmendjen. Të lodhur e të tëhuajtur, me sakrifica mbinjerëzore që të mos rrëshqasin nga hapja e gojës te zënia e gjumit, ata janë të detyruar ta konsiderojnë pjesëmarrjen në klasë thjesht si detyrim formal për të mos bërë numrin e mungesave që do t’i linin jashtë provimeve.

Ndërkohë që në një universitet të rregulluar siç duhet – ku puna e vetme e studentëve është studimi – ata do ta kishin më të kollajtë formimin e klasës jo vetëm si grup studentor, por edhe si bashkësi studiuesish ku kufiri midis pedagogut dhe studentit sa vjen e zhbëhet. Brenda një klase të tillë fjala lë gjurmë, nga cilido drejtim ardhtë. Nuk janë të rrallë pedagogët që ankohen se kanë dalë nga klasa njëlloj siç kanë hyrë, me bindjen se asgjë nga ato që ligjëruan nuk zuri vend. Në të shumtën e rasteve ankesa të tilla janë thjesht shprehje të egos së lënduar të dikujt që problemin nuk e sheh asnjëherë te vetja, mirëpo fenomeni mbetet.

Studentët meritorë, ashtu siç një pedagog i mirë nuk “i lë të qetë”, nuk të lënë ta vësh mendjen në gjumë. Ata të shtyjnë të lexosh më shumë, me më tepër sy kritik e kontekstualizues, ta ndërtosh leksionin a seminarin në formë krijuese dhe, ç’është më e rëndësishmja, të nxisin që t’i nxisësh. Ka edhe më. Të tillë studentë të korrigjojnë duke mos ta falur hatërmbetjen, të sjellin në vëmendje çështje, pyetje e probleme që nuk i ke menduar më parë. Të bëjnë të kuptosh se një mendje është gjithmonë e dobët dhe se shumësia na fuqizon intelektualisht.

Meqë jemi në këto ujëra, nuk bën të mos kujtojmë se ku janë katandisur konferencat shkencore në universitetet tona. Në kushtet e një trupe studentore në tëhuajësim e sipër, dy janë formatet e konferencave: ato ku në sallë ka 15 ndjekës vullnetarë dhe 85 vende bosh dhe ato ku salla mbushet dëng me urdhër nga lart, s’mbarojnë fjalët përshëndetëse dhe, në mes të ligjërimit të parë, studentët dalin jashtë grumbuj-grumbuj, si të ishte rënë alarmi i bombardimeve të aviacionit armik. Kështu që vetëm një trupë studentore e mirëfilltë dhe në kushte të patëhuajtura jetese e studimi mund të prodhonte atë shumësi bashkëstudiuesish që sot për sot e shohim vetëm në ëndrra.

Studentët e mirë janë një derë e hapur me shoqërinë. Jo vetëm në kuptimin e shtyrjes për të dalë nga kulla e fildishtë e universitetit për t’u marrë me problemet shoqërore, por edhe në atë të lëvrimit të një pedagogjie që hapjen me shoqërinë e sheh si pasurim epistemologjik. Shoqëria nuk është thjesht e jashtmja e universitetit, as objekti i studimit të universitarëve, por edhe frymëzuese dhe problematizuese shumëpërmasore e mendimit.

Studentët e përgatitur, gjithashtu, janë ballëlartë sepse e dinë që të qenit në universitet nuk ia kanë borxh askujt në veçanti, pos përpjekjes studimore vetjake dhe sakrificës mbarëshoqërore në ngritjen dhe fuqizimin e universitetit. Ata nuk lejojnë t’i nëpërkëmbësh, t’i vësh në lojë dhe të riprodhosh në mënyrë cinike hendekun fillestar të njohurive midis palëve. Ata nuk do ta pranonin pedagogjinë reaksionare të uljes së kokës dhe mbajtjes shënime pa fill e fund, as të heshtimit të mendimit kritik, tregimit kërcënueshëm të derës, memecllëkut të konvertueshëm në arrogancë apo përdorimit vend e pavend të Power Point-it për të shtyrë 55-minutëshin. Aq më pak të lejojnë t’i trajtosh si bujkrobër duke u vënë haraç për notat apo i detyruar të të blejnë librin, që në të shumtën e rasteve vlen vetëm për muzeun e budallallëqeve.

Nga sa më sipër kuptohet se studentët kanë fuqinë të të shpëtojnë nga kolegët e padenjë, nami i keq i të cilëve është si një tis i zi i hollë që mbulon të gjithë universitarët. Në një shoqëri të shfrytëzuar e keqtrajtuar masivisht si jona, përfytyrimi i së keqes përhapet si kancer, cilado qoftë origjina e saj. Në të digjen i njomi me të thatin, i dituri me të padijshmin, i ndershmi me mitmarrësin etj.

Nga ana tjetër, sado të mburremi me autonominë universitare, duhet pranuar se në pjesën më të madhe kjo do të thotë pushtet i pakontrolluar i burokracisë. Rektorë, dekanë, administratorë – nga më i larti te më i ulëti rend i strukturës feudale – e përdorin pushtetin me të njëjtin shpengim si kalamajtë pushkën prej lodre. Nuk janë të rralla rastet kur pedagogët ndjejnë mbi supe presione të pandershme dhe detyrohen t’u bëhen urë fenomeneve që vetëm me idenë e universitetit nuk kanë të bëjnë. E në rast moskonformimi apo lufte ka ndodhur edhe të kenë humbur vendin e punës. Të rrezikuar, pedagogët mund të kenë përkrah vetëm kolegët dhe studentët. Po nëse të parët ka më shumë gjasë të jenë të tulatur se mos i pret i njëjti fat po tentuan “reformë agrare” në universitet, të dytët, sidomos nëse bashkësia studentore është meritore dhe ballëlarte, janë të pakompromentueshëm dhe vatër e paepur rezistence.

Erdhëm në fund. Sa më sipër vlen në vetvete vetëm në abstraksionin e ndarjes së punës, konsiderimin e universitetit si të shkëputur nga shoqëria. Ashtu siç nuk mund të jesh pedagog i mirë pa studentë të mirë, bashkësia universitare nuk mund të jetë e gjallë nëse nuk jep e merr me shoqërinë. Tek e dhëna nuk futen vetëm idetë e sistematizuara të përparimit shoqëror, por edhe shembulli i përpjekjes së drejtpërdrejtë jashtë mureve të universitetit për shoqërinë. Ashtu sikundër tek e marra nuk ka rëndësi vetëm buxheti, por edhe shumësia e paformë e ideve, projekteve, imagjinatave dhe rezistencës që gëlon në shoqëri./ teza11

27