nga Hassan Hassan.

Tre vjet më parë, sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes, Eshton Karter, e cilësoi dominimin në rritje të Iranit, si një “lojë në terren”. Ai u bëri thirrje rivalëve të tij rajonalë të bëjnë të njëjtën gjë, duke shprehur kështu një ndjenjë të përbashkët në qarqet e politikës në rajon:Shtetet e Gjirit të Arabisë, duhet të mbështeten më pak tek SHBA-ja, dhe të luajnë një rol më të madh në lagjen e tyre.

Në shumë aspekte, kjo është pikërisht ajo që këto vende po përpiqen të bëjnë që nga viti 2015; dhe tani Karter dhe të tjerët, kanë arsye të rishikojnë këshillat e tyre. Në mungesë të lidershipit të fortë amerikan, që tani po përfshin dy administrata, e ardhmja e rajonit varet nga ajo që fuqitë vendore përcaktojnë si prioritete, dhe se si ato përpiqen t’i përmbushin ato.

Edhe nëse Uashingtoni vendos të “zgjohet”, tani do ta ketë shumë më të vështirë se sa në të shkuarën, që të konfirmojë pozitën e vet. Ajo çka po ndodh sot në Lindjen e Mesme, mund të gjurmohet në Pranverën Arabe të vitit 2011, e cila nxiti një dëshirë për ndryshime demokratike midis njerëzve të zakonshëm dhe midis qeverive, një dëshirë kundërshtuese ndaj stabilitetit të bazuar tek statuskuoja e vjetër.

Blloku i atëhershëm kundërrevolucionar – Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Egjipti dhe aleatët e tyre në Jemen, Libi dhe vende të tjera – besojnë se e ardhmja duhet të jetë më autoritare se kurrë. Bazuar në biseda të shumta që kam zhvilluar me zyrtarët e lartë arabë, kam zbuluar se pikëpamja mbizotëruese mund të përmblidhet si më poshtë:një qasje e dorës së hekurt vendase dhe rajonale mund të sjellë rreziqe, por alternativa është më e keqe.

Nëse autokratët humbën kontrollin mbi masat në vitin 2011, vijon ky argument, kjo ndodhi sepse ato nuk kanë shkuar aq larg sa duhej në shtypjen e tyre. Ish-presidenti egjiptian Hosni Mubarak i dha hapësirë ​​Vëllazërisë Myslimane, aktivistëve politikë dhe medieve kritike. Dhe shihni çfarë i ndodhi.

Teksa trazirat e gjeneruara nga Pranvera Arabe, e zhvendosën fuqinë nga republikat arabe tek monarkitë më të pasura dhe më të qëndrueshme të Gjirit, udhëheqësit në të gjithë rajonin hodhën poshtë pretendimin se do t’i përkuleshin vullnetit popullor – qoftë në drejtim të më shumë demokracie, apo të qenit fetarisht më ekstremistë.

Për shembull, Princi i Kurorës Saudite, Muhammed bin Salman, deklaroi në vitin 2017:”S’do të humbim 30 vitet e ardhshme, në përpjekje për t’u përballur me idetë ekstremiste; ne do t’i zhdukim ato këtu dhe tani!”. Në mbrojtje të moderimit, ai propozoi thjesht shfarosjen e radikalëve fetarë.

MbS ndoshta e përdorte me lehtësi termin “ekstremist”; sauditët cilësojnë si organizata terroriste grupime të caktuara fetare, si Unioni Ndërkombëtar i Dijetarëve Myslimanë, i perceptuar gjerësisht si i rrymës tradicionale. Në përgjithësi, vendet autoritare duken më të gatshme se kurrë më parë të shpërfillin dëshirat e shprehura rrugëve arabe.

Tanimë nuk është një sekret, që shtetet e Gjirit kanë zhvilluar lidhje me Izraelin, në mungesë të marrëdhënieve formale, duke përfshirë partneritetet tregtare dhe marrëveshjet e sigurisë. Vetëm javën e kaluar, një ministër izraelit vizitoi Abu Dhabin, ku thuhet se u ekzekutua himni kombëtar izraelit, ndërsa kryeministri Benjamin Netanjahu kreu një vizitë historike në Muskat.

Raporte të tilla, bashkë me mbështetjen e vazhdueshme për “marrëveshjen e shekullit” të Presidentit Trump, pavarësisht vendimit të administratës së tij për të zhvendosur ambasadën amerikane në Jeruzalem, kanë zemëruar popullsitë arabe. Sigurisht që ka mbështetje, edhe për lojëra të tilla të nivelit të lartë.

Elitat, nacionalistët laikë dhe njerëzit e zakonshëm, të rraskapitur apo të frikësuar nga luftërat, ishin euforikë pas ngjitjes në pushtet të udhëheqësve si Abdel Fatah El-Sisi në Egjipt dhe MbS në Arabi. Ata tani po investojnë për suksesin e tyre, të bindur se çdo kompromis do të zhbëjë “fitimet” e arritura deri më tani.

Në Egjipt, fushata kundër Vëllazërisë Myslimane, dhe çdo lloj kundërshtie është më e egra në afro 50 vjet. Shumica e islamistëve dhe kritikëve, ose po vuajnë në burg ose jetojnë në mërgim. Regjimi konsolidoi ndërkohë kontrollin e mediave, që dikur shihej si një ndër më vibrantet në rajon.

Për El-Sisin dhe mbështetësit e tij, masat e ashpra janë të pranueshme, pasi e kanë stabilizuar vendin. Edhe krerët e Vëllazërisë Myslimane, e pranojnë se fushata kundër saj ka qenë e efektshme, në kuptimin që ka qenë shkatërrimtare, duke e fragmentarizuar organizatën.

Pikërisht për shkak se goditjet kanë funksionuar, regjimi dhe mbështetësit e saj e mbështesin vazhdimin e tyre. E përse të hiqet dorë tani, kur një fitore përfundimtare kundër Vëllazërisë Myslimane, është brenda të gjitha mundësive?

Për regjimet kundërrevolucionare, përparësia kryesore është parandalimi i përsëritjes së kryengritjeve të vitit 2011. Dhe ata besojnë, se mënyra më e mirë për ta bërë këtë, është t’i qëndrojnë kursit të tyre represiv. Kjo është arsyeja pse hipotezat e fundit se MbS ishte i marrë fund, apo se mund të zëvendësohej pas vrasjes së gazetarit saudit Xhamal Kashoxhi, qenë larg kontaktit me realitetin e gjerë të rajonit.

MbS është parë si një anëtar kyç i paketës së liderëve të rinj që ripërtërin Lindjen e Mesme, dhe “paketa” do të qëndrojë pranë tij. Kjo dinamikë, orienton edhe bllokadën e vazhdueshme ndaj Katarit, si dhe luftën në Jemen; shqetësimet humanitare thjesht s’kanë rëndësi, përballë efektivitetit të perceptuar të agresionit.

Mes lodhjes revolucionare, autoritarët kanë mbështetjen e segmenteve të gjera të shoqërive të tyre, dhe një dritare për të konsoliduar pushtetin e tyre. Por një grup i larmishëm që përfshin demokratët liberalë dhe islamikët radikalë, beson se kjo dritare nuk do të qëndrojë e hapur përgjithmonë – apo edhe për shumë kohë – pasi problemet ekonomike, politike dhe sociale të kryengritjeve arabe në vitin 2011, janë përkeqësuar në një masë të madhe.

Në përpjekjen e tyre për të konsoliduar pushtetin, qeveritë autoritare po e delegojnë atë gjithnjë e në më pak duar – çka mund t’i ekspozojë ndaj sfiduesve të brendshëm. Represioni politik, që mund të shtypë opozitën në një periudhë afatshkurtër, u jep gjithashtu islamikëve një ankesë legjitime për t’u shfrytëzuar.

Dhe nëse autoritarët, nuk munden ta përmirësojnë shumë ekonominë e popullit të tyre – ashtu siç nuk e kanë bërë deri më tani – kjo gjithashtu dëmton aftësinë e tyre për të rivendosur stabilitetin, dhe kësisoj për të mbetur në kontrollin e situatës. Për shembull, Iraku dhe Jordania, përjetuan kohët e fundit një valë kryengritjesh, mbi politikat ekonomike jopopullore.

Nuk ka hapësirë ​​për pajtim apo kompromis mes qeverive autoritare, dhe kundërshtarëve të tyre demokratikë apo islamikë. Nëse fitojnë udhëheqësit e dorës së hekurt – dhe ata e kanë një shans real – atëherë Perëndimi do të duhet të braktisë ëndrrën e tij, për një Lindje të Mesme politikisht më të hapur (vizion i ndezur nga Pranvera Arabe).

Nëse ata dështojnë – dhe ka një argument bindës se kjo mund të ndodhë- vendet e tyre mund të përjetojnë një periudhë trazire në shkallën e luftës civile siriane. Në këtë mjedis të paqëndrueshëm, Shtetet e Bashkuara mungojnë. Rivalët e Iranit janë “në lojën në terren”, siç e cilësoi Karter 3 vjet më parë.

Ai që mungon në skenë, është një arbitër për të menaxhuar konfliktet, dhe për të frenuar instinktet më të këqija të autokratëve. Shtetet e Bashkuara, duket se nuk shqetësohen për atë që po ndodh në rajon në këtë moment, por rreziku i vërtetë i apatisë, është se ajo do të sjellë një të ardhme, që është edhe më pak e qëndrueshme se e kaluara.

Shënim: Hassan Hassan, është studiues në Programin mbi Ekstremizmin në Universitetin Xhorxh Uashington. Ai është bashkë-autor i librit “ISIS:Brenda ushtrisë së terrorit”.

40