Policia jep detaje lidhur me vizitën e presidentit serb në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se presidenti serb Aleksandar Vuçiç është larguar nëpërmjet rajonit të veriut të Mitrovicës drejt pikës kufitare në Jarinje dhe se i njëjti ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës.

Në një komunikatë me shkrim nga PK në lidhje me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Kosovë thuhet se Policia e Kosovës përmes planifikimeve operacionale ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe përcjelljes së eskortës dhe ofrimit të sigurisë së delegacionit.

“Referuar kësaj vizite, sot në orët e hershme të mëngjesit Policia e Kosovës ka pranuar disa informacione për tubime të disa qytetarëve dhe bllokim të rrugës në rajonin e Drenicës, për të protestuar kundër vizitës së presidentit serb në këtë rajon. Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet operacionale për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së përgjithshme, përderisa situata ka qenë e qetë dhe nuk është raportuar për ndonjë incident”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq sipas PK-së ‘sa i përket disa raportimeve në mediat serbe, ku thuhet se janë dëgjuar të shtëna armësh në këtë rajon’, Policia e Kosovës njofton se nuk posedon ndonjë informacion për të shtëna dhe se aktualisht nuk mund të konfirmojë lajmin si të tillë. “Policia e Kosovës do të punojë me njësitet relevante policore në verifikimin e këtij informacioni”, thuhet në njoftim.

“Referuar situatës dhe vendimit të institucioneve shtetërore të RKS-së lidhur me vizitën e presidentit serb në rajonin e Drenicës, Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për realizim dhe implementim të këtij vendimi”, njofton PK.

Policia e Kosovës më tej bën të ditur se delegacioni me presidentin serb Vuçiç është larguar nga rajoni i veriut të Mitrovicës drejt pikës kufitare në Jarinje dhe se i njëjti ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës rreth orës 13:50.

Kujtojmë se sot presidenti i Serbisë Vuçiç realizoi ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, i cili mori pjesë në dorëzimin e donacioneve në Qendrën Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut dhe Qendrën Klinike Spitalore në Graçanicë. Pastaj vizitoi vendin e projektit të vendbanimit “Lugina e Diellit” në komunën e Zveçanit.

Vuçiç sot u përpoq të hyjë në fshatin Banjë të komunës Skenderaj por Policia e Kosovës nuk e lejoi atë të kalonte në përputhje me tërheqjen e lejes për të vizituar fshatin nga Qeveria e Kosovës.

Deri te anulimi i lejes erdh pasi veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarët e Skenderajt bllokuan me kamionë dhe drunjë rrugën Mitrovicë-Skenderaj për të parandaluar ardhjen e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç të vizitojë fshatin Banjë në këtë komunë. Në rrugë janë djegur edhe goma.

Vuçiç vizitën e tij në Kosovë e përfundoi me fjalimin e mbajtur në sheshin “Shumadija” në veri të Mitrovicës ku tha se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por se marrëveshja me shqiptarët duhet të arrihet ashtu që serbët të mbeten në Kosovë.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne