Policia turke vazhdon trajnimet për punonjësit e policisë shqiptare

Policia Kombëtare e Republikës së Turqisë ka vazhduar kurset e trajnimit për punonjësit e Policisë së Shqipërisë në fusha të ndryshme, ku trajnimi i fundit ishte për çështjet kundër terrorizmit.

Në ceremoninë e organizuar në Tiranë, në Akademinë e Sigurisë së Shqipërisë, për ndarjen e certifikatave për pjesëtarët e trajnuar, ishin të pranishëm përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Tiranë, përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë dhe përfaqësues të Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë.

Në fjalën e tij, dekani i Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit pranë Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë, Prof.Dr. Ilirjan Mandro, tha se ky ishte një kurs intensiv dhe mjaft i vlefshëm për policinë shqiptare.

“Kjo u duk edhe tek interaktiviteti dhe diskutimet që ju kishit në klasë. Ky element u vlerësua edhe nga drejtori i akademisë dhe nga trajnuesit. E rëndësishme është që informacionin që ju morët gjatë kursit ta ndani me kolegët e zyrës dhe vartësit tuaj. Ky është dhe qëllimi i zhvillimit të këtyre trajnimeve, që informacioni që ju merrni ta shpërndani në strukturat tuaja”, deklaro Mandro.

Ndërsa zyrtari Ndërlidhës i Policisë Kombëtare Turke, pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Hakan Çiğiltepe, në fjalën e tij u shpreh se gjatë këtij viti janë zhvilluar tetë kurse trajnimi, tre në Turqi dhe pesë në Shqipëri.

“Ky kurs ishte për luftën kundër organizatave terroriste që shfrytëzojnë fenë. Shteti turk dhe policia kombëtare turke është një ndër policitë e vetme në botë që ka një përvojë të hidhur në lidhje me luftën kundër terrorizmit. Ne nuk luftojmë vetëm me një organizatë terroriste, njëkohësisht luftojmë me shumë organizata terroriste. Ne na jep kënaqësi të veçantë ndarja e kësaj përvoje me vëllezërit dhe kolegët tanë të policisë shqiptare. Ne jemi të motivuar të trajnojmë policinë shqiptare sepse jemi dy shtete miq dhe vëllezër me njëri-tjetrin. Do të vazhdojmë dhe në të ardhmen t’ju mbështesim si shtet dhe si polici”, tha Çiğiltepe.

Sipas tij, edhe për vitin 2019 do të vijojnë kurset e trajnimit midis dy policive dhe nuk do të ngelen vetëm në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave.

Pjesë e kursit të organizuar nga Departamenti i Antiterrorizmit i Policisë Kombëtare Turke gjatë periudhës 15-19 tetor 2018 ishin 20 punonjës të Policisë së Shqipërisë, që në fokus kishte çështjet kundër terrorizmit.

Policia e Turqisë ka ofruar në vitet e fundit trajnime për tema të ndryshme për pjesëtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, në lidhje me metodat e luftës kundër terrorizmit, hetimin kundër krimit të organizuar, konceptet themelore të inteligjencës dhe për çështje të tjera.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne