Policja e plagosur në Shqipëri dërgohet për kurim në Turqi; katoliku Sandër Lleshaj falenderon turqit

Punonjësja e Policisë së Shqipërisë, e cila u plagos në protestën e organizuar para Kuvendit të Shqipërisë është dërguar në Turqi për trajtim të specializuar mjekësor.

Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, ajo është përcjellë nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë Sandër Lleshaj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë Orgeta Manastirliu, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Turqisë në Tiranë, Muammer Hakan Cengiz, si dhe familjarë të saj.

Ministri Lleshaj, në një prononcim për agjencinë turke AA, tha se Qeveria e Turqisë mundësoi në një kohë shumë të shpejtë dërgimin e saj në Turqi.

“E përcollëm për në Republikën e Turqisë policen e plagosur dje. E përcollëm me falënderimet me të mëdha edhe për Qeverinë e Turqisë, që bëri të mundur në një kohë shumë të shpejtë nisjen e saj për në Turqi. Shpresoj që trajtimi mjekësor të kalojë mirë. Kemi shpresë se do të ketë një trajtim të mirë dhe një rezultat të mirë”, tha ministri Lleshaj.

I ngarkuari me punë në Ambasadën e Turqisë në Tiranë, Muammer Hakan Cengiz, tha për AA-në se punonjësja e plagosur e Policisë së Shqipërisë është nisur drejt Ankarasë me një avion special mjekësor të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Turqisë.

“Me kërkesë të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe me direktivë të Presidentit tonë (Erdogan), Ina Nuka, ka shkuar për trajtim mjekësor në Turqi. Ajo do të trajtohet në Spitalin e Trajtimeve Speciale në Ankara. Urojmë që për një kohë shumë të shkurtër dhe me një trajtim shumë të veçantë në Turqi t’i kthehet shëndeti. Në situata të tilla njerëzore Turqia patjetër që do të jetë gjithmonë pranë shtetit mik dhe vëlla, Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë në raste të tilla të veçanta”, u shpreh përfaqësuesi i Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Muammer Hakan Cengiz.

Kujtojmë se punonjësja e Policisë së Shqipërisë, Ina Nuka, u plagos më 22 nëntor me kapsollë detonatore gjatë protestës së mbajtur para selisë së Kuvendit të Shqipërisë nga banorët e Tiranës që kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre që preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së Madhe të kryeqytetit.

Ndërkohë, është arrestuar autori i dyshuar i plagosjes së efektives së policisë. Në një njoftim, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë ka konfirmuar se si autor i dyshuar për këtë ngjarje është arrestuar shtetasi Daniel Drobaj, 18 vjeç, banues në Tiranë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne