Politika fut në depresion biznesin/ Sipërmarrësit frenojnë investimet

Organizatat e biznesit pohojnë se ngjarjet e fundit me krimin e organizuar dhe planet për vetting-un po pengojnë planet e biznesit për të investuar.

Nga ana tjetër, rënia e konsumit prej rritjes së taksave duket se është një arsye tjetër madhore që ka dhënë efekte zinxhir, duke i bërë investimet jo të frytshme në disa sektorë. Bizneset, apel politikës: Stop retorikës politike, rishikoni platformën për ekonominë.

Të pamotivuar për të investuar korporatat, shqiptare po rrisin me shpejtësi kursimet në banka. Në një situatë normale, ngurtësimi i fitimeve në depozita me afat është zgjidhja e fundit për një biznes, për tepër në një moment kur interesat në banka janë shumë disfavorizuese.
Banka e Shqipërisë ka raportuar se në fund të 9-mujorit, rritja vjetore e depozitave të biznesit në banka ishte 22%, ndërsa në krahasim me vitin 2013, ato u rritën me 80%.

Stoku total i depozitave të bizneseve (korporatave jofinanciare) arriti në 142 miliardë lekë, apo rreth 1 miliard euro. Nga ana tjetër, interesat e kursimeve në lekë shënuan rënie të mëtejshme në tremujorin e tretë, duke arritur në nivelin 0.8%, ndërsa norma bazë e interesit është në minimumin historik me vetëm 1.25%. Por kjo nuk i ka penguar bizneset që të rrisin me shpejtësi depozitat në monedhën vendase.
Banka e Shqipërisë e ka shpjeguar sjelljen e bizneseve me rritjen ekonomike, e cila ka shtuar likuiditetet e korporatave, por vetë bizneset ndajnë opinione të ndryshme.

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, tha se Shqipëria nuk ka shumë alternativa për të riinvestuar fitimet, për shkak të mungesës së tregjeve të kapitalit, por gjithashtu thotë se ambienti i taksave nuk i favorizon investimet e reja. Në Shqipëri, disa sektorë janë drejt maturimit, ndërsa rritja e taksave dhe rënia e konsumit e ka vështirësuar zhvillimin e disa sektorëve të tjerë, sidomos ato që lidhen me industrinë e përpunimit.

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne