Politikan ambicioz, luftëtar i madh: Kush ishte Sulejmani i Madhërishëm

Agimi i 29 gushtit 1526 ndriçon trupat e vendosura përballë njëra-tjetrës në fushën e Mohács, Hungaria: në njërën anë hungarezët, me 25.000 burra dhe 85 topa; në anën tjetër, osmanët, me 60 mijë burra dhe 160 topa. ri Mbreti i krishterë Luigji II nuk është shumë i shqetësuar, sepse e di që në ndihmë po i vijnë përforcime pej Bohemianëve, kroatëve dhe nga Transilvania, kështu që lejon kalorësinë e tij të galopojë drejt kundërshtarëve. Por diçka shkon keq, dhe ndërsa përforcimet vonojnë të vijnë, armiku kundërsulmon. Brenda një kohe të shkurtër, ushtria hungareze shpërbëhet, dhe vetë Luigji bie në fushëbetejë, teksa përpiqet të shpëtojë kokën. Bashkë me të vdesin 20 000 ushtarë dhe shumica e fisnikërisë hungareze.

Humbja i jep Perandorisë Osmane, e cila synon të pushtojë Europën, Hungarinë Qendrore dhe Transilvaninë. Fituesi i betejës Mohács dhe njeriu në gjendje të konceptonte këtë fushatë madhështore e të tmerrshme njëkohësisht, është i destinuar të mbetet përgjithmonë në histori: Sulejmani i Madhërishëm.

Sulejmani lindi në Trabzon në vitin 1494. Pas marrjes së një arsimimi të rafinuar dhe mbulimit të disa pozicioneve qeveritare në krahina të ndryshme të perandorisë, në vitin 1520 ai pasoi babanë e tij, Selimin I. Para se të vdiste, Selimi kishte eliminuar bijtë e tjerë, fajtorë se kishin komplotuar me një xhaxha që ta rrëzonin atë: zakoni i përgjakshëm i vrasjes brenda familjes ishte mjaft i zakonshëm në mesin osmanëve, aq sa me marrjen e lajmit të vdekjes së babait të tij, Sulejmani kishte besuar se ishte një mashtrim, për ta joshur të vinte në Konstandinopojë dhe të eleminohej. Nuk ndodhi kështu, për fatin e tij të mirë, por edhe për ata që do të udhëhiqte, që ishin mësuar me grushtin e hekurt të Selimit.

Sapo erdhi në pushtet, në fakt, Sulejmani u shfaq i mëshirshëm dhe largpamës, aq sa e quajti hipjen e tij në fron si “vesa qiellore në një lëndinë të pjekur nga Dielli”. Fali shumë të dënuar, shfuqizohen ligjet më shtypëse dhe u shpërndau një çmim në para jeniçerëve, trupat elitare të perandorit.

Në Perëndim, ndërkohë, ndryshime të mëdha po ndodhnin: në vitin 1519, pikërisht ndërsa i biri i Selimit ishte gati për të marrë fronin e Perandorisë Osmane, në Frankfurt Duka i Borgognës Karli i Habsburgëve, perandori i kurorëzuar i Perandorisë së Shenjtë Romake, shkaktoi zemërimin e Françeskut I, mbreti i Francës dhe konkurrenti i tij i paepur në garën për fronin perandorak. Në vitet që pasuan, Europa u dërrmua nga luftërat fetare, shkaktuara të prej Reformimit Protestant të Martin Luterit.

Sulejmani kuptoi menjëherë se kjo situatë e paqëndrueshmërisë së gjerë do të luante në favor të planit të tij të madh: të niste sfidën ndaj krishtërimit. Në vitin 1521, më pak se një vit pasi mori fronin, ai pushtoi Beogradin dhe Serbinë. Në vitin 1526, siç e thamë më lart, ishte në Mohács dhe në vitin 1529 në Vjenë, në zemër të Evropës së trazuar nga ndasitë sektare, që Sulejmani do të ishte në gjendje t’i shfrytëzonte me aftësi të jashtëzakonshme. Që nga viti 1528, në fakt, me lëvizje sa të guximshme, aq edhe fituese, Sulltani filloi të krijojë marrëdhënie tregtare dhe ushtarake me Françeskun I, kampion i katolicizmit, duke arritur në një marrëveshje të vërtetë në vitin 1536, e njohur si aleanca franko-osmane.

Kjo ishte marrëveshja e parë diplomatike jo ideologjike dhe, kuptohet, shkaktoi skandal të madh në botën e krishterë, e cila e pagëzoi si “aleanca e pafe”, ose “bashkimi sakrilegj i Zambakut dhe Gjysmëhënës”. Megjithatë, sado e pafe dhe sakrilegj, marrëveshja ishte efektive për të dyja palët dhe veçanërisht afatgjatë, pasi ajo do të mbetej në fuqi për më shumë se 250 vjet, deri në fushatën egjiptiane të Napoleonit, në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë.

Ndërkohë interesat e Sulejmanit kishin lëvizur nga toka në det, dhe ndonëse turqit nuk mund të mburreshin me një forcë të madhe detare, ata ishin mjaftueshëm të mençur për të ditur, se duhej t’u besopnin atyre që merrnin vesh nga detet. Dhe kështu Sulejmani lidhi një aleancë të dytë, të bujshme dhe të papritur: jo me një mbret, këtë herë, por me një pirat. Emri i tij ishte Khayr ad-Din, i njohur në perëndim si Barbarossa. I lindur nga një poçar në Mytilene, Greqi, ai kishte preferuar të mos ndiqte hapat e babait, duke u vënë në krye të një grupi piratësh, të cilët shpejt u bënë tmerri i Mesdheut. Sulejmani e dinte se, në qoftë se dikush ishte në gjendje që të siguronte dominimin e deteve për Portën e Lartë, ky ishte pikërisht Barbarossa.

Në vitin 1533, pirati ishte futur në krye të 18 galerave në portin e Konstandinopojës, ku ai kishte marrë nga vetë Sulltani, titullin e Kapedan Pashës, Admiral i Madh. Në një kohë të shkurtër, në sajë të eksperiencës së piratit dhe pushtetit të sovranit, Sulltanati u bë një fuqi e madhe detare: ish pirati ishte në fakt i pari admiral i vërtetë i Perandorisë Osmane dhe marina turke u konsiderua, së paku deri në betejën e Lepantos (1571), më e fortë se çdo Marinë e krishterë.

Pra, pa pengesa, ngadalë por me siguri Perandoria Osmane u përhap nga toka dhe deti, nga Ballkani në Egje, për të siguruar kontrollin e fortë mbi pjesën më të madhe të Mesdheut, edhe në sajë të dëbimit të kalorësve të krishterë (Hospitalierët e Shën Gjonit) nga ishulli i Rodit: këta u detyruan të zhvendosen një herë në Qipro dhe më pas në Maltë, ku ndryshuan emrin e tyre në “Kalorësit e Maltës.”

Shtrirja e sundimit osman në tokat evropiane, shtyu Sulejmanin e mençur që të krijojë një klimë të tolerancës fetare dhe kulturore, siç nuk njihej në atë kohë, madje edhe në Perëndimin e “civilizuar”: këtu, në fakt, ishte thjesht e pamendueshme që një musliman mund të jetojnë ndërsa, në të kundërtën, në Perandorinë Otomane, të krishterët dhe hebrenjtë mund të kishin vendbanimet e tyre, të lëviznin dhe ushtronin lirisht besimet e tyre. Për më tepër, pothuajse gjysma e subjekteve të sulltanit besonin në Krisht, dhe ai e dinte se një klimë e tolerancës së ndërsjellë mund të sillte vetëm stabilitet dhe madhështi. Dhe nuk gabohej: në sajë të politikës së ndriçuar të Sulejmanit, Konstandinopoja u bë një qendër mikpritëse dhe e gjallërishme.

Vendosur mbi Bosfor, ngushtica që lidh Mesdheun dhe Detin e Zi, metropoli është karakterizuar gjithmonë nga shkëmbimet intensive kulturore dhe tregtare, në sajë të pozitës së vet ndërkombëtare, si një udhëkryq në rrugën e trafikut të madh mes popujve sllavë dhe popujve myslimanë. Në kohën e Sulejmanit, tashmë kishte 400.000 banorë, të destinuar pothuajse të dyfishoheshin në fund Pesëqindës: në Evropën Perëndimore, në të njëjtën kohë, në Londër kishte 120 000 dhe në Paris pak më shumë se 40.000, ndërsa Roma vetëm 50 mijë.

Shumëkombësia e Perandorisë osmane përbënte edhe madhështinë e saj: forca ekonomike dhe ushtarake e Sulejmanit ushqehej nga ai bashkim popujsh dhe besimesh fetare, dhe oborri i sulltanit ishte ndoshta i vetmi që mund të thuhej se ishte me të vërtetë kozmopolit. Tashmë Perandoria Osmane dhe Perëndimi i krishterë ndanin kontrollin e kontinentit të vjetër, por asnjëri prej tyre (pavarësisht një konfrontimi të gjatë personal mes Sulejmanit dhe Karlit V) nuk mbizotëroi mbi tjetrin. Evropa kishte gjetur diçka shumë të ngjashme me një ekuilibër, dhe Konstandinopoja rivalizonte për nga kultura dhe qytetërimi, me disa prej oborreve më të rafinuara të Perëndimit. Dashuria për luksin dhe artet nuk e mjegulluan asnjëherë kthjelltësinë politike të Sulltanit, që konsiderohej edhe nga kundërshtarët si një shtetar i madh: i quajtur “I Madhërishëm” nga evropianët, turqit preferonin ta quanin “Ligjvënësi”, duke i thurur elozhe aftësive administruese dhe qeverisëse, që për shumë historianë, e bënin atë të krahasueshëm me perandorin Justinian.

Në vitin 1565, ylli i Sulejmanit duket se kishte arritur kulmin e vet, kur flota perandorake ishte gati për t’u marrë kalorësve të krishterë edhe ishullin e Maltës: në qoftë se kjo sipërmarrje do të kishte qenë e suksesshme, ndoshta Mesdheut do të bëhej, në fjalët e historianit Alessandro Barbero, një “liqen turk.” Sulejmani nuk e harronte dot atë dështim, dhe vitin e ardhshëm udhëhoqi trupat edhe një herë në Hungari, ku, pikërisht dyzet vjet më parë, kishte filluar gjithçka. Objektivi tani ishte qyteti i Szigetvárit, që ndodhej nën rrethim, por Sulltani nuk do ta merrte dot atë fitore të fundit.

Në natën mes 5 dhe 6 shtatorit 1566, Sulejmani i Madhërishëm vdiq në një çadër kampi në moshën 72 vjeçare. Një ditë më pas, Szigetvári ra.

Kështu përfundoi parabola e sundimtarit të madh që e quante veten “Sulltani i sulltanëve, Sovrani i sovranëve, shpërndarësi i kurorave të monarkëve të globit, hija e Perëndisë mbi tokë”, por drita e mbretërisë së tij legjendare nuk do të shuhej për gjatë. / StoriaIn – bota.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne