Politikani austriak i ekstremit të djathtë jep dorëheqjen pas ‘poezisë së miut’ mbi emigrantët

Zëvendëskancelari i Austrisë tha të martën se një nga anëtarët e partisë së tij pritet të japë dorëheqjen pasi shkroi një poezi ku i krahasonte emigrantët me minjtë, gjë që ka tërhequr gjerësisht kritika dhe ka zemëruar edhe Kancelarin Sebastian Kurz.

Zëvendës kancelari Heinz-Christian Strache tha se Christian Schilcher do të largohet nga partia anti emigracion, Partia e Lirisë (FPO) dhe do të japë dorëheqjen si zëvendës kryetar i bashkisë së Braunau am Inn, raporton Agjencia e Shtypit të Austrisë. Qyteti që gjendet në kufirin gjerman është edhe vendlindja e kreut të nazistëve, Adolf Hitlerit.

Vargjet e titulluar “Miu i qytetit” u shfaqën në një botim lokal të Partisë së Lirisë në Braunau. Ai bënte paralajmërim kundër përzierjes së kulturave dhe nxiste kritika të forta ndaj opozitës së qendrës së majtë.

Kurz, konservatori që po qeveris Austrinë me Partinë e Lirisë si partnere e koalicionit te tij që nga fundi i vitit 2017, kërkoi të hënën që dega e saj në provincën e Austrisë së Epërme të distancohej nga poezia. Ai tha se “zgjedhja e fjalëve është e neveritshme, çnjerëzore dhe thellësisht raciste”.

Një zyrtar i lartë i degës rajonale të Partisë së Lirisë, Erwin Schreiner, më vonë të hënën tha se “alegoria e miut dhe njeriut është dicka e përdorur historikisht, dhe si e tillë dhe pa shije duhet refuzuar”.

Schreiner tha se fakti që autori shkroi nga këndvështrimi i një miu “nuk i bën gjërat shumë më të mira” por argumentoi gjithashtu se poezia “në fund të fundit ishte një përpjekje e dështuar për të trajtuar në formën e vargjeve një çështje serioze”.

Poezia thoshte se “ashtu sikurse jetojmë këtu, edhe minjtë e tjerë të cilët erdhën si si mysafirë ose emigrantë, duke përfshirë edhe ato që nuk i njihnim, duhet të ndjekin mënyrën tonë të jetës ose në të kundert të ikin nga këtu sa më shpejt!”

Strache tha se Schilcher deklaroi të hënën se kishte pasur për qëllim të ishte provokues, por jo që të lëndonte dikë. Ai do të japë dorëheqjen për të parandaluar dëmtimin e partisë dhe tha se sjellja e nënkryetarit të bashkisë nuk ishte në përputhje me parimet e Partisë së Lirisë./dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne