Politikat e tregut te lirë, rrallëherë kanë pasuruar vendet e varfra

Ha-Joon Chang

– Ç’ ju kanë thënë deri tash

Pas pavarësimit nga sundimet koloniale, vendet në zhvillim provuan të zhvillojnë ekonominë përmes ndërhyrjes shtetërore, ndonjëherë edhe duke adoptuar socializmin në tërësi.

Provuan të zhvillojnë industritë si atë të çelikut dhe automobilistike, të cilat ishin përtej aftësive të tyre, duke përdorur masa të mbrojtjes së tregut, ndalesa për investime të huaja direkte, subvencione për industritë, madje edhe banka e ndërmarrje në pronësi shtetërore. Në sferën emocionale kjo ishte e kuptueshme, duke pasur parasysh që padronët e tyre kolonialë ishin të gjithë nga vende kapitaliste, ndjekës të politikave të tregut të lirë. Sidoqoftë, kjo strategji prodhoi në rastin më të mirë stagnim dhe nē atë më të keq shkatërrim. Rritja ishte e dobët (për të mos thënë negative) dhe industritë e mbrojtura dështuan të zhvillohen. Fatmirësisht, shumica e këtyre vendeve erdhën në vete që nga viti 1980 duke adoptuar politikat e tregut të lirë.

Po të mendosh mirë, kjo paska qenë gjëja që duhej bërë që në fillim. Të gjitha vendet e pasura sot, me përjashtim të Japonisë (dhe ndoshta Koreja e Jugut, megjithëse kjo është e debatueshme), janë pasuruar përmes politikave të tregut të lirë, sidomos përmes tregtisë me pjesët tjera të botës. Dhe vendet në zhvillim të cilat kanë përqafuar ne tërësi politikat të tilla, janë ato që kanë dalë më mirë në periudhat e fundit.

– Ç’ nuk jua kanë thë

Në kundërshtim me atë që besohet, performanca e vendeve në zhvillim gjatë kohës së udhëheqjes shtetërore të ekonomisë, ka qenë më e lartë se ajo që u arrit gjatë periudhës pasuese të reformave të orientuara drejt tregut.

Ka disa dështime spektakulare të intervenimit shtetëror, por shumica e këtyre vendeve u zhvilluan më shpejt, me shpërndarje më të drejtë të të ardhurave dhe më pak kriza financiare gjatë “ditëve të vjetra” sesa ç’ bënë në periudhën e reformave të tregut. Për më tepër, nuk është e vërtetë që pothuajse të gjitha vendet e pasura janë pasuruar përmes politikave të tregut të lirë. E vërteta është pak a shumë e kundërta. Me disa përjashtime, të gjitha vendet e pasura sot, përfshirë Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara – të supozuara si shtëpia e tregut dhe tregtisë së lirë, janë pasuruar përmes kombinimeve të masave mbrojtëse, subvencioneve dhe politikave tjera, të cilat sot vetë ato vende këshillojnë të mos adoptohen. Politikat e tregut të lirë kanë bërë pak vende të pasura deri më tash dhe do të bëjnë pak edhe në të ardhmen.

– Rasti i dy shembujve

Këtu janë profilet e dy vendeve në zhvillim. Ju jeni analist ekonomik në përpjekje të vlerësoni perspektivën e tyre zhvilluese. Ç’do të thoshit?

Vendi A: Deri një dekadë më parë, vendi ishte proteksionist, me mesatare tarifore industriale rreth 30 përqind. Pavarësisht nga ulja e tarifave të fundit, mbeten kufizime të dukshme e të pa dukshme. Vendi ka kufizime të mëdha në rrjedhën e kapitalit ndërkufitar, sektorë të rregulluar bankarë shtetëror, kufizime të shumta të pronës dhe aseteve të huaja financiare. Firma të huaja prodhuese në vend ankohen se janë të diskriminuara përmes taksave diferenciale dhe rregullimeve të qeverisjes lokale. Vendi nuk mban zgjedhje dhe është i mbuluar në korrupsion. Ka të drejta të komplikuara mbi pronën. Në veçanti, ka mbrojtje të dobët të pronës intelektuale. Ka numër të madh të ndërmarrjeve në pronësi të shtetit, shumë nga të cilat veprojnë me humbje por mbrohen me subvencione dhe të drejta të mbrojtura monopolistike.

Vendi B: Politika tregtare e vendit, faktikisht kanë qenë më të mbrojturat në botë gjatë disa dekadave, me mesatare tarifore 40-55 përqind. Shumica e vendit nuk mund të votojnë, blerja e votës dhe mashtrimet elektorale janë të përhapura. Korrupsion i shfrenuar, me parti politike që shesin punët e qeverisë te bankierët e tyre financiarë. Vendi nuk ka rekrutuar kurrë një shërbyes të vetëm përmes një procesi të hapur konkurues. Financat publike janë të pasigurta, me rekord të huasë së përzgjedhur që frikëson investitorët e huaj. Përveç kësaj, i diskriminon rëndë investorët e huaj. Veçanërisht në sektorin bankar, të huajve u ndalohet të jenë drejtorë ndërsa aksionarët e huaj nuk mund ta ushtrojnë të drejtën e votës, pa qenë rezidentë në vend. Nuk ka ligj të konkurrencës për të ndaluar kartelat dhe format e tjera monopolistike të rriten pakontrollueshëm. Me mbrojtje të hovshme të pronës intelektuale vendore, refuzuese veçanërisht për mbrojtje të drejtave të autorëve të huaj.

Të dy këto vende janë “deri në qafë” në gjëra që supozohet që pengojnë zhvillimin ekonomik – proteksion të thellë, diskriminim ndaj investitorëve të huaj, mbrojtje të dobët të të drejtave të pronës, monopolizëm, mungesë të demokracisë, korrupsion, mungesë të meritokracisë, e kështu me radhë.

Ju do të mendoni që të dy shembujt paraqesin mendësi zhvillimore shkatërruese. Por rimendojeni.

Vendi A është Kina e sotme, disa lexues tashmë e kanë vërejtur. Sidoqoftë, pak lexues kanë vërejtur që Vendi B janë Shtetet e Bashkuara, rreth vitit 1880, kur ky shtet ishte paksa me i varfër se Kina e sotme. Pavarësisht të gjitha politikave jo-zhvillimore dhe institucionale të supozuara, Kina ka qenë një nga vendet me dinamike dhe të suksesshme ekonomike në botë gjatë tre dekadave të fundit, përderisa Shtetet e Bashkuara gjatë viteve 1880, ishin njëri nga vendet me rritje më të shpejtë, duke u kthyer shpejt në një nga vendet më të pasura në botë. Pra superstarët ekonomikë të fundshekullit XIX ( Shtetet e Bashkuara) dhe të sotmë (Kina) kanë ndjekur receta politike që shkojnë totalisht në kundërshtim me ortodoksizmin neoliberal të tregut të lirë sot.

Si është e mundur kjo? A nuk ishte doktrina e tregut të lirë esenca e distiluar prej përvojës dyshekullore të zhvillimit të sukseshëm të vendeve që sot janë të pasura? Për tu përgjigjur në këto pyetje, duhet të kthehemi në histori.

– Presidentët e vdekur s’flasin

Disa amerikanë e quajnë kartmonedhën e dollarit sipas emrit të “presidentit të vdekur”. Jo saktë sa duhet. Të gjithë janë të vdekur, por jo të gjithë politikanët portreti i të cilëve shtypet në kartmonedhë janë ish-presidentë të Shteteve të Bashkuara.

Benjamin Franklin – i cili mbahet në kartmonedhën më të famshme ne historinë njerëzore, atë 100 dollarëshe – s’ishte kurrë president. Megjithëse edhe do të mund të ishte. Ai ishte ndër themeluesit, dhe ndoshta politikani më i nderuar i vendit të porsalindur.

Edhe pse ishte i moshuar, edhe pse në mandatin e parë presidencial nuk mundej të garonte figurën e madhe politike e George Washington-it më 1878, Franklini ishte personi i vetëm që me shumë gjasë do ta sfidonte Washingtonin sa i përket veprave.

Surpriza e vërtetë në panteonin e “presidentëve” të kartmonedhave është Aleksandër Hamilton, i cili figuron në karmonedhën 10 dollarëshe. Sikurse Franklini, Hamiltoni nuk ka qenë kurrë president i Shteteve të Bashkuara. Por ndryshe nga Franklini, jeta e të cilit u bë histori legjendash amerikane, ai thjesht s’mbërriti të ishte i tillë. Hamiltoni ishte thjesht sekretar i thesarit, edhe pse ishte ndër të parët në këtë pozicion. Po ç‘kërkon ai vallë ndër radhët e “presidentëve” të kartmonedhave?

Hamiltoni ishte aty sepse, edhe pse për shumicën e amerikanëve sot kjo është gjë e panjohur, ai ishte arkitekti i sistemit modern ekonomik të Amerikës së sotme. Dy vjet pasi qe bërë sekretar thesari, më 1789, në moshë tepër të re, rreth të tridhjetetretave, Hamiltoni paraqiti në Kongres, Raportinin mbi Subjektet Prodhuese, ku prezantoi strategjinë zhvillimore për vendin e tij të ri. Në raport ai argumenton që “industritë në fillimet e veta” sikurse ato Amerikane, nevojitet të mbrohen dhe të “ushqehen” nga qeveria, para se të munden të qëndrojnë në këmbë të veta. Raporti i Hamiltonit s’ishte vetëm rreth proteksionizmit së tregut, ai gjithashtu propozon investime publike në infrastrukturë (si kanalizimet), zhvillimin e sistemit bankar, promovimin e bonove tregtarë të qeverisë – pra proteksioni ishte zemra e strategjisë së tij. Duke pasur parasysh pikëpamjet e tij, Hamiltoni si ministër financiar i vendit që sot është i zhvilluar, do të ishte kritikuar rëndë nga Departamenti i Thesarit amerikan për herezitë e tij. Vendit të tij madje sot mund t’i ishin refuzuar huatë edhe nga FMN dhe Banka Botërore.

Gjëja interesante sidoqoftë, është që Hamiltoni nuk ishte i vetëm në këtë teori. Të gjithë “presidentët e vdekur” të tjerë do të ishin ballafaquar me mosmiratime nga Thesari Amerikan aktual, FMN-ja, Banka Botërore, dhe mbrojtës të tjerë të besimit të tregut të lirë sot. Në kartmonedhën 1 dollarëshe, është presidenti i parë, George Washington. Në ceremoninë e inagurimit të tij, ai insistoi se duhen veshur tesha amerikane, të prodhuara enkas për eventin në Connecticut, e jo ato të kualitetit më të lartë, prodhuar në Britani. Sot kjo do të ishte shkelje e rregullave të OBT-s ( Organizata Botërore e Tregëtise) mbi transparencën në prokurimin qeveritar. Dhe të mos harrojmë që Washingroni ishte ai që emëroi Hamiltonin si sekretar të thesarit, në dijeni të plotë për pikëpamjet e tij mbi politikat ekonomike – Hamiltoni ishte ndihmës i Washingtonit gjatë Luftës Amerikane për Pavarësi, dhe aleat i tij i afërt pas saj.

Në kartmonedhën 5 dollarëshe, kemi Abraham Linkolnin, një proteksionist të mirënjohur, i cili gjatë luftës civile rriti tarifat në nivelin e tyre më të lartë deri atëherë. Në kartmonedhën 50 dollarëshe, kemi Ulysses Grant, heroin e luftës civile të kthyer në president. Në shenjë mosbindje ndaj presionit britanik mbi Shtetet e Bashkuara për të adoptuar tregtinë e lirë, ai një herë u shpreh se “do ta pranojmë pas 200 vjetëve kur Amerika, të ketë marrë prej proteksionit gjithçka që mund të marrë, atëherë edhe ajo do të adoptojë tregun e lirë gjithashtu”.

Benjamin Franklin nuk përqafonte doktrinën Hamiltoniane, por ai insistonte në tarifa të larta proteksioniste për arsye të tjera. Në atë kohë mundësia e akordimit të tokës prodhuese falas në Shtetet e Bashkuara, bëri të domosdoshme për prodhuesit Amerikan të ofrojnë paga rreth katër herë më të larta se mesatarja evropiane, sepse përndryshe punëtorët do të largoheshin për të ngritur ferma të vetat (duke ditur që shumë prej tyre ishin me prejardhje fermere).

Prandaj, Franklini argumentonte se, prodhuesit amerikanë nuk mund të mbijetojnë po të mos mbrohen nga konkurenca e pagave – ose nga ajo që sot në evropë njihet si “social dumping“. Kjo është saktësisht logjika që në kohët e sotme Parot, një bilioner i kthyer në politikan, përdori për të kundershtuar NAFTA-n (Marrëveshjen e Amerikës Veriore për tregti të lirë) më 1992, gjatë fushatës elektorale, me një logjikë që 18.9 përqind të votuesve amerikanë u treguan të gatshëm ta miratonin.

Por sigurisht, ju do të thoshit se Thomas Jefferson (i parë rrallë në kartmonedhën 2 dollarëshe) dhe Andrew Jackson (atë 20 dollareshe), protektorët e shenjtë të tregut të lirë kapitalist, do ta kishin kaluar testin e Thesarit të sotëm Amerikan?

Thomas Jefferson mund të ishte kundër proteksionizmit Hamiltonian por, ndryshe nga Hamiltoni, që mbështeste sistemin e patentimit, ai argumentonte fuqishëm kundër patentimit.

Jefferson besonte që idetë janë ‘sikurse ajri’ ndaj nuk do të duhej të pronësohen nga askush. Duke pasur parasysh theksin që shumica e ekonomistëve të tregut të lirë sot vënë tek proteksioni i patentave dhe tek të drejtat e tjera mbi pronën intelektuale, pikëpamja e tij do hidhej poshtë si e parëndësishme.

Mandej, ç’ të themi për Andrew Jackson atë mbrojtësin e “njeriut të zakonshëm” dhe konservatorin fiskal (ai paguajti të gjithë borxhin federal, për herë të parë në historinë e Shteteve të Bashkuara)? Fatkeqësisht për adhuruesit e tij edhe ai nuk do të kalonte testin. Me Jackson, mesatarja tarifore industriale arriti rreth 35-40 përqind. Ai ishte gjithashtu tejet kundër të huajve. Kur më 1836 anuloi licencën për bankën (e dytë) gjysmë publike të Shteteve të Bashkuara (e cila drejtohej me 20 përqind nga qeveria federale), një nga justifikimet kryesore ishte se “është tepër e pronësuar nga investorë të huaj” (kryesisht britanikë). Dhe sa ishte kjo “tepër”? Vetëm 30 përqind. Imagjino sikur ndonjë nga presidentët e vendeve në zhvillim sot të anulonte licensimin për ndonjë bankë, sepse 30 përqind është e pronësuar nga amerikanët!

Çdo ditë, dhjetra miliona amerikanë, paguajnë sanduiçët me ndonjë Hamilton ose Linkoln, marrin kusurin me Washington, duke mos kuptuar që këta politikanë të nderuar janë proteksionistë të këqij, nga ata që shumica e mediave të vendit, si konservatoret ashtu edhe ato liberale, kanë qejf ti njollosin. Bankierët njujorkezë dhe profesorë universitetesh lodhen nëpër artikuj, duke kritikuar proteksionistin klasik, Hugo Chavez, nëpër kopje të Wall Street Journal, të cilat i kanë blerë me një Andrew Jackson, pa e kuptuar që ai ishte shumë më kundër të huajve se Chavezi.

Presidentët e vdekur s’flasin. Por nëse do të mundnin, do ti tregonin amerikanëve dhe tërë botës, se si politikat që pasardhësit e tyre i promovojnë sot janë në kundërshtim të plotë me atë çka ata përdorën për ta transformuar një ekonomi agrare të dorës së dytë, të varur në punë skllëvërish, në fuqinë industriale më të madhe në botë.

Bëj si them, jo si bëra

Kur kujtojnë të kaluarën proteksioniste të Shteteteve të Bashkuara, ekonomistët e tregut të lirë zakonisht përgjigjen që vendi pati sukses më tepër për shkak të proteksionizmit. Thonë që vendi ishte i destinuar të rritet shpejt gjithsesi sepse ka poseduar resurse natyrore që s’i kanë pasur vende të tjera, si dhe ka përfituar prej ardhjes së shumë imigrantëve, punëtorë të motivuar fort. Thuhet edhe që tregu i madh i brendshëm disi i ka zbutur efektet negative te proteksionizmit, duke lejuar një shkallë të lartë konkurence ndër firmat e brendshme.

Por problemi në këtë përgjigje është se, sado dramatike që të duket, Shtetet e Bashkuara nuk janë vendi i vetëm që ka patur sukses në politikat që bien në kundërshtim me doktrinën e tregut të lirë. Në fakt, siç do të argumentoj më poshtë, shumica nga vendet e pasura sot, ia kanë dalë mirë me politika te tilla. Dhe, kur janë vende me kondita të ndryshme nga ç’i ka pasur SHBA, s’është e mundur të thuhet që të gjitha u zhvilluan se disa kondita speciale anuluan impaktin negativ të proteksionizmit dhe politikave tjera të “gabueshme”. Shtetet e Bashkuara mund të kenë përfituar nga tregu i madh i brendshëm, por atëherë ç’mund të themi për Finlandën ose Danimarkën? Nëse mendoni që Shtetet e Bashkuara përfituan nga resurset natyrore me bollëk, si e shpjegoni suksesin e vendeve si Korejae Jugut dhe Zvicra që praktikisht nuk kishin resurse natyrore domethënëse? Nëse imigracioni ishte faktor pozitiv për Shtetet e Bashkuara, atëherë çka rreth të gjitha vendeve tjera – nga Gjermania deri te Taivani – që i humbën disa nga njerëzit më të aftë pikërisht sajë emigrimit në Shtetet e Bashkuara? Argumenti i “konditave speciale” thjesht s’bën punë.

Britania, vendi i cili shumë njerëz mendojnë se ka shpikur tregun e lirë, ndërtoi prosperitetin e saj në bazë të politikave të ngjashme me ato që promovoi Hamiltoni. Megjithëse Hamiltoni ishte personi i parë që teorizoi argumentin e “industrisë foshnjore” shumëçka nga politika e tij ishte e kopjuar nga Robert Walpole, i ashtuquajturi kryeministri i parë britanik, që e drejtoi vendin mes viteve 1721 dhe 1742. Gjatë messhekullit të tetëmbëdhjetë, Britania kaloi në industrinë e prodhimit të leshit, industria e teknologjisë së lartë që dominohej nga Vendet e Ulëta (Belgjika dhe Holanda e sotme), me ndihmë të proteksionit tarifor, subvencioneve dhe mbështetjeve të tjera që Walpole dhe pasardhësit e tij dhanë për prodhimin e leshit vendas. Industria së shpejti u kthye në burimin kryesor të të ardhurave në eksportin britanik, e cila i mundësoi vendit të importoi ushqim dhe lëndët e para që nevojiteshin për të nisur revolucionin industrial në fund të shekullit XVIII dhe në fillim te shekullit XIX. Britania e pranoi tregun e lirë vetëm më 1860 kur dominanca e saj industriale ishte tashmë absolute. Në të njëjtën mënyrë siç vepruan më vonë edhe Shtetet e Bashkuara, Britania ishte vendi me masa më të shumta mbrojtëse gjatë shumicës së fazës së saj rritëse. Britania ishte një nga vendet me proteksioniste në botë gjatë gjithë ngritjes së saj ekonomike (që nga 1720 deri më 1850).

Praktikisht të gjitha vendet e pasura sot përdorën proteksionizmin dhe subvencionet për promovimin e industrisë së tyre gjatë periudhës së rritjes. Shumë prej tyre (veçanërisht Japonia, Finlanda dhe Koreja) kufizuan rreptë dhe investimet e huaja. Mes 1930 dhe 1980, Finlanda pat klasifikuar të gjitha ndërmarrjet me më shumë se 20 përqind në pronesi të huaj zyrtarisht si “ndërmarrje të rrezikshme”. Disa nga vendet e zhvilluara, (veçanërisht Franca, Austria, Finlanda, Singapori dhe Tajvani) përmes ndermarrjeve në pronësi shtetërore promovuan industritë kyçe. Singapori, i cili njihet sot për praktikat e tij të tregut të lirë dhe qëndrimin mikëpritës ndaj investitorëve të huaj, prodhon rreth 20 përqind të outputit të tij përmes ndërmarrjeve shtetërore, ndërkohë që mesatarja ndërkombëtare është rreth 10 përqind. As sot në vendet e pasura nuk mbrohen dhe aq mirë të drejtat e pronës intelektuale. Në shumë prej tyre dikur ka qenë legale të patentohej shpikja vetëm nëse shpikësi ishte i huaj. Kishte përjashtime sigurisht. Holanda, Zvicra (deri në luftën e parë botërore) dhe Hong Kongu kanë përdorur ca masa më të vogla mbrojtëse, ama edhe këto vende kurrë nuk e kanë ndjekur doktrinën e sotshme ortodokse. Duke argumentuar që patentat janë monopole artificiale që shkojnë kundër principit të tregut të lirë (qasje e cila ka humbur keq ndër ekonomistët e tregut të lirë sot), Holanda dhe Zvicra refuzuan të mbrojnë patentimin deri në fillim të shekullit XX. Edhe pse se mbrojtjen e të drejtave autoriale e bëri së fundi për arsye parimore, Hong Kongu ishte deri vonë edhe më i njohur për thyerje të së drejtës mbi pronën intelektuale. Vë bast që njihni ndokënd, ose keni shokë i cili njeh ndokënd, i cili ka blerë softuerë kompjuterik piratë, orë false Roleks, ose Calvin, e bluzë Hobbes nga Hong Kongu. Shumë lexuesve ndoshta vështrimi im historik do u duket i pakapshëm. U është thënë vazhdimisht që politikat e tregut të lirë janë më të mirat për zhvillim ekonomik, e do tu duket misterioze se si do të mund të përdoren për zhvillim këto politika të supozuara si të këqija, si proteksionizmin, subvencionet, rregullime e pronësia shtetërore.

Përgjigja qëndron te fakti se këto politika “të kqija” në fakt janë politika të mira, që i japin zhvillim ekonomik vendeve të nivelit në të cilin këto shembuj ishin në atë kohë, për shumë arsye. I pari është argumenti Hamiltonian i “industrisë foshnjore”, te cilin e kam trajtuar më në detaj në kapitullin “Djali im gjashtë vjeçar duhet të punësohet”, në librin tim të mëhershëm “Bad Samaritans”. Për të njëjtat arsye pse ne dërgojmë fëmijët tanë në shkollë në vend se ti bëjmë menjëherë konkurrentë me të rriturit në tregun e punës, vendet në zhvillim nevojitet të mbrojnë dhe të rrisin prodhuesit e tyre para se të fitojnë aftësitë për të konkuruar në tregun botëror pa pasur nevojë për ndihmë. Së dyti, në zhvillimin e hershëm, tregjet nuk funksionojnë mirë për arsye të ndryshme – transporti i dobët, rrjedha e dobët e informacionit, hapësirë e vogël e tregut, që bën që aktorët e mëdhenj të mund të manipulojnë lehtë, e kështu me radhë. Kjo nënkupton që qeveria duhet të rregullojë tregun më aktivisht dhe ndonjëherë edhe të krijojë me qëllim disa tregje. E treta, në këto faza, qeveria duhet të bëjë shumë gjëra vetë, përmes ndërmarrjeve shtetërore sepse thjesht nuk ka sa duhet sektor privat të aftë për të marrë projekte të shkallës dhe rrezikut të madh.

Pavarësisht nga historia e tyre, vendet e pasura sot imponojnë hapjen e kufijve që t’i ekspozojnë ekonomitë e tyre ndaj fuqisë së plotë të konkurrencës globale, duke përdorur kushtëzimet e lidhura bilaterale, dhe kreditë nga institucionet financiare ndërkombëtare që ata kontrollojnë (si FMN dhe Banka Botërore) si dhe influencën ideologjike që e ushtrojnë përmes dominimit intelektual. Në promovimin e politikave që ata nuk i përdorën për vete kur ishin vende në zhvillim, u thonë vendeve në zhvillim, “Vepro si them, jo si veprova”.

Një doktrinë pro-rritjes e cila redukton rritjen

Kur hipokrizia historike e vendeve të pasura shpërfaqet, disa mbrojtës të tregut të lirë kthehen e thonë: Paj, proteksionizmi dhe politikat tjera intervenuese ndoshta kanë bërë punë në Amerikën e shekullit XVIII ose në Japoninë e messhekullit XX, por a nuk pësuan keq vendet në zhvillim kur provuan politika të tilla në 1960-tat ose 70-tat? Çka mund të ketë bërë punë në të shkuarën, thonë, s’është e thënë se bën punë edhe sot. E vërteta është që vendet në zhvillim s’dolën keq gjatë gjithë “ditëve të vjetra” të proteksionizmit dhe intervenimit shtetëror të 60-tave e 70-tave. Në fakt, performanca e rritjes së tyre ekonomike gjatë asaj kohe është shumë më superiore se ajo që u arrit që nga 1980, me hapjen e madhe dhe derregullimin.

Që nga 1980-tat, përveç rritjes së pabarazisë (e cila ishte e pritshme nga natyra e reformave pro pasurisë), shumica e vendeve në zhvillim kanë përjetuar një ngadalësim të dukshëm në rritjen ekonomike. Rritja e të ardhurave për kokë në botën në zhvillim ra nga 3 përqind në vit më 1960-tat dhe 1970-tat, në 1.7 përqind gjatë periudhës 1980-2009, kur ishte numri më i madh i reformave të tregut të lirë. Gjatë viteve 2000 ishte një rritje e vendeve në zhvillim, duke sjellë normën e rritjes deri në 2,6 përqind për peridhën 1980-2009, por kjo në masë të madhe ishte për shkak të rritjes së shpejtë të Kinës dhe Indisë – dy gjigandë që duke u liberalizuar, nuk përqafuan politikat neoliberale. Performanca në regjione që besnikërisht ndoqën receptin neoliberal – Amerika Latine dhe vendet afrikane në jug të Saharasë, ka qenë shumë me e ulët krahasuar me atë çka kishin gjatë “ditëve të vjetra”. Në vitet 1960 dhe 70, Amerika Latine u rrit në terma 3.1 përqind për kokë banori. Mes viteve 1980 dhe 2009, u rrit me një normë, pak më shumë se një e treta e saj – 1.1 përqind. Madje edhe kjo normë ishte për shkak të rritjes së shpejtë të vendeve në regjionet që qartesisht refuzuan politikat neoliberale diku në fillim të viteve të 2000-ta – Argjentina, Ekuadori, Uruguai dhe Venezuela. Rritja e vendeve Afrikane në jug të Saharasë për kokë gjatë “ditëve të vjetra” ishte 1.6 përqind, por rritja e tyre ishte vetëm 0.2 përqind mes 1980 dhe 2009.

Për ta përmbledhur, tregtia e lirë, politikat e tregut të lirë, janë politika që rrallë, nëse ndonjëherë, kanë bërë punë. Shumica e vendeve nuk shfrytëzuan politika të tilla kur ishin vetë vende në zhvillim e sipër, e këto politika kanë ngadalësuar rritjen dhe rritur pabarazinë e të ardhurave tek vendet në zhvillim gjatë tre dekadave të fundit. Pak vende në zhvillim janë pasuruar përmes tregtisë së lirë, e edhe më pak do të pasurohen prej saj në të ardhmen.

Përktheu Arianit Manxhuka/ rreth

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne