Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologen e tij kanadeze, Chrystia Freeland, ku kanë biseduar edhe për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, ka bërë një deklaratë me shkrim në lidhje me bisedën e kryer mes dy homologëve.

Duke bërë të ditur se dy kryediplomatët kanë diskutuar për çështjet e përbashkëta dhe ato globale, Nauert ka theksuar se “Pompeo dhe Freeland janë dakorduar për përcaktimin e të gjitha fakteve pas vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi dhe ndëshkimin e personave të përfshirë në vrasje”.

Në një deklaratë nga Kryeprokuroria Publike e Stambollit ishte njoftuar se “gazetari saudit Jamal Khashoggi është vrarë sipas një plani të parapërgatitur, duke u mbytur sapo ka hyrë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor 2018, ndërsa më pas kufoma e tij është zhdukur duke u copëtuar”.

Ndër të tjera Nauert ka njoftuar se në mesin e çështjeve të diskutuara janë edhe sanksionet ndaj Iranit, situata e Nikaragua-s si dhe marrëveshjet kufitare mes SHBA-ve, Kanadasë dhe Meksikës.

Burimi: AA

4