Pompeo dhe Lavrov biseduan për samitin mes presidentëve Trump dhe Putin

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Sergey Lavrov.

Gjatë telefonatës bashkëbiseduesit diskutuan në lidhje me takimin mes Presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump që do të mbahet më 16 korrik në Helsinki.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, në komunikatën me shkrim të publikuar në lidhje me bisedën mes Pompeos dhe Lavrovit, tha se “sekretari Mike Pompeo zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov. Të dy homologët biseduan në lidhje me takimin që do të zhvillohet gjatë ditëve të ardhshme mes presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin, çështjen e Sirisë dhe të Koresë së Veriut”.

Në anën tjetër, një grup anëtarësh të Kongresit amerikan po qëndron në Moskë për kontakte zyrtare para samitit të Trumpit dhe Putinit, me cilësinë e kontakteve të para pas dy vitesh.

Senatorët amerikan vizitën në Rusi e filluan më 30 qershor nga qyteti Shën-Petërburg, ndërsa të martën në Moskë patën një takim me ministrin e Jashtëm, Sergey Lavrov.

Shefi i diplomacisë ruse bëri të ditur se shpresojnë që kjo vizitë të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërparlamentare mes dy vendeve.

Duke vënë në dukje se rivendosja e dialogut mes parlamenteve të Rusisë dhe ShBA-së është e rëndësisë së veçantë, ministri Lavrov tha se është i mendimit që rivendosja e dialogut para samitit të liderëve që do të mbahet pas 2 javëve në Helsinki është e drejtë nga aspekti i kohës.

Shtëpia e Bardhë javën e kaluar njoftoi se Trump dhe Putin do të takohen në Helsinki më 16 korrik dhe se liderët gjatë takimit krahas marrëdhënieve dypalëshe do të bisedojnë edhe për çështjet e sigurisë kombëtare./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne