Pompeo: Jemi duke punuar për formimin e një “Aleance Strategjike të Lindjes së Mesme”

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi se janë duke bërë punime për formimin e një “Aleance Strategjike të Lindjes së Mesme”, që do të mbledhë në një vend vendet e Lindjes së Mesme si: Egjiptin, Jordaninë dhe vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.

Në fjalën e tij të mbajtur në Universitetin Amerikan në kryeqytetin Kajro të Egjiptit, ku ndodhej për një vizitë zyrtare, Mike Pompeo tha: “Ne ndërtojmë partneritete për prosperitet të përbashkët në të ardhmen. Tani ka ardhur koha që rivalitetet e vjetra të marrin fund”.

Pompeo tha se administrata e Presidentit të ShBA-së, Donald Trump bën përpjekje për formimin e “Aleancës Strategjike të Lindjes së Mesme”, me qëllim ballafaqimin me kërcënimet serioze të rajonit dhe për të përkrahur bashkëpunimin në sektorët e energjisë dhe ekonomisë.

“Kjo përpjekje mbledh në një vend vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të vendeve të Gjirit, Egjiptin dhe Jordaninë. Sot ne nga këto vende kërkojmë të hedhin hapa për forcimin e Aleancës Strategjike të Lindjes së Mesme (MESA)”, bëri të ditur Pompeo, ndërsa duke rikujtuar vizitën zyrtare të Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu në Oman, që është një nga vendet e Gjirit, tha se tani zënë rrënjë marrëdhëniet e reja, të cilat deri në kohët e fundit nuk mund të imagjinoheshin.

Pompeo gjithashtu bëri të ditur se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë ushtarakisht Izraelin në rajon.

Mike Pompeo i ndodhur në Egjipt në kuadër të turneut të vizitave në vendet e Lindjes së Mesme, në kryeqytetin Kajro u takua me Presidentin, Abdulfetah Es-Sisi dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Samih Shukri.

Pas vizitave në Jordani, Irak dhe Egjipt, Sekretari amerikan do të vizitojë edhe Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin, Omanin dhe Kuvajtin./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne