Populli në retorikën e ligjërimit politik

Romeo Ismahilaj

Në rrafshin e politikës përgjatë gjithë historisë së saj, ligjërimin e ndeshim si një ndër mekanizmat më kryesorë që ajo posedon. Funksionet e ligjërimit në politikë tejkalojnë komunikimin, prezantimin e aktualitetit dhe vizionit ndaj së ardhmes. Tek ky lloj ligjërimi deduktohet mënyra e të bërit politikë. Përtej tij gjejmë të fshehur subjektin ndaj të cilit formulohet mënyra e të folurit si edhe skicën e pozicionimit në momentet e akteve politike. Mbi të gjitha me anë të ligjërimit politik nis të përcaktohet dhe të kategorizohet ndarja sociale, më pas edhe të ruhet një rend i formuar qysh herët. Edhe në rastin e Shqipërisë ligjërimi politik ende konsiderohet nga politika si një prej mekanizmave më të fortë të përcaktimit social ose kategorizimit të palëve shoqërore.

Duke konsideruar të mirëqenë faktin se “qyteza nuk ka në të vërtetë veçse dy palë, të pasurit dhe të varfrit”[1](Aristoteli), deduktohet se soditjet e larmishme të ligjërimit politik në përgjithësi synojnë vazhdimisht të legjitimojnë përcaktimin e këtyre dy palëve nën kornizat tradicionale të kategorizimit social nëpërmjet politikës. Ky lloj përcaktimi realizohet çdo herë në funksion të ruajtjes së një gjendjeje e cila vendoset në kohë të largëta dhe paguhet me çdo çmim të mos ndryshohet. Kështu në realitetin socio-politik shqiptar sikurse edhe në ligjërimin politik shqiptar ekziston ndarja midis shtresës së të pasurve dhe shtresës së të varfërve. Ligjërimi fillimisht e formëson këtë diferencim dhe më pas i shërben ruajtjes së tij duke e theksuar në plot mënyra manipuluese apo direkte si fakt. Nga kjo ndarje një palë vendoset tek grupi i elitës udhëheqëse dhe e shfrytëzimit të të drejtave pa limite, ndërsa pala tjetër vendoset nën kuadratet e varfërisë, nënshtrimit, izolimit, mohimit në vendim-marrje, privimit prej të drejtës për pasurim dhe në statusin më negativ të të qenit të varfër në mënyrë permanente.

Përgjatë periudhës së sistemit komunist në Shqipëri edhe përgjatë viteve të demokracisë emërtimi “popull” ka qenë elementi justifikues me anë të të cilit pushtetarët kanë legjitimuar pushtetin politik. Përdorimi i këtij termi në ligjërimin politik vërehet përgjithësisht në periudha fushatash elektorale ose në spektrin e opozitës. Faktikisht rezulton se grupimit të emërtuar popull realisht i është faturuar një paketë tiparesh imagjinare që nuk përkojnë me thelbin e vërtetë të cilësive të tij. “Ashtu si populli nuk është vërtet populli por të varfrit, të varfrit nuk janë të varfrit. Ata janë veçse mbretëria e mungesës së cilësisë, realizimi i diznjektimit të parë që mbart emrin bosh të lirisë, titulli i grindjes”.[2]

Analizat e hollësishme të ligjërimit politik përgjithësisht na krijojnë hapësira për të kuptuar këtë mungesë cilësie që karakterizon shtresën e varfër shqiptare apo atë të cilin e konsiderojmë popull, por si shembull do analizojmë një fragment nga një fjalim i kryeministrit aktual tek i cili pasqyrohet ky tipar ligjërimi:

Batakçillëku e ka varfëruar Shqipërinë në ekonomi por ende më keq në aspirata dhe sot një hije e vjetër dhe e lodhur endet nëpër Shqipëri për t’i ngopur njerëzit me lugë bosh pas 20 e ca vitesh rresht, a doni të ushqeheni me lugën bosh të katragjyshit të rraskapitur? E pra, mbështesni me votë skuadrën kombëtare të Rilindjes për të pasur një qeveri që shërben e jo një çetë plakë që rrëmben. Rrena dhe tradhtia e rraskapitën këtë popull të zhytur në varfëri, të mbytur në borxhe, të mbetur rrugëve të papunësisë, në një kohë që vendi ynë i bekuar bukurish dhe pasurish të rralla grabitet prej sundimtarëve të vet të rinj si rrallë vend në botë prej 20 e ca vjetësh rresht. A doni akoma varfëri, borxhe, papunësi dhe grabitje?[3]

Në këtë fragment të shkëputur nga ligjërimi i Edi Ramës konstatohet cilësia themelore e popullit, mungesa e cilësisë. Ky konstatim kuptohet sepse qartë vihet në dukje se “ky popull është i rraskapitur” pasi nuk e ka aftësinë e gjenerimit të energjive dhe e rehatimit në një situatë brenda së cilës nuk ka asnjë tagër; “është i mbytur në borxhe” pasi nuk zotëron pasuri për t’i shlyer borxhet; dhe njerëzit e këtij populli janë “të mbetur rrugëve të papunësisë” sepse nuk zotërojnë asnjë aftësi për të krijuar filozofi të organizimit të punës dhe të angazhimit me anë të iniciativës vullnetare.

Kjo mënyrë të shprehuri në ligjërimin politik është vetëm një formë e ndryshme e esencës së krijimit të ligjërimit në Shqipëri, gjithkund me anë të tij potencohet ideja se ky popull nuk është thjesht i varfër porse i destinuar për të mos u pasuruar, nuk është thjeshtë i papunë por është i destinuar për të mos pasur mundësi të artikulimit të një rendi punësimi, dhe së fundmi nuk është thjeshtë i nënshtruar dhe subjekt i ushtrimit të zullumit porse është mbi të gjitha i paaftë për t’i shpëtuar nënshtrimit apo për t’u bërë udhëheqës. Ky parim është thelbi i asaj çka konstrukton ligjërimi politik shqiptar tek vetëdija kolektive dhe çka ai përdor si mjet të arritjes në hegjemoninë e rendit shoqëror. Me anë të bindjes se populli gjendet tashmë në situatën e përshkruar nga ligjërimi politik arrihet edhe në bindjen se populli nuk mundet ta ndryshojë vetë këtë gjendje, porse i duhet të tregojë vullnetin se i beson një krahu politik të caktuar përmbushjen e një funksioni për të cilin nuk e posedon cilësinë e kryerjes së saj, cilësi të cilën pason se e zotëron kasta politike e vet-ofruar për zgjidhje të problemeve.“Nuk ka pjesë për të papjesët. Ka pjesë vetëm për palët. Thënë ndryshe: nuk ka politikë, nuk duhet të ketë politikë. Lufta mes të pasurve dhe të varfërve është pra lufta që bëhet mbi vetë ekzistencën e politikës.”[4]

Grupi që në ligjërimin politik emërtohet popull, dhe që përbën bazën e demokracisë, arsyen e ekzistencës së saj, gjithnjë ligjërimi politik do e definojë si pjesa e papjesë, si një pjesë e cila nuk duhet të jetë si pala e të pasurve apo e aristokratëve, për këtë shkak kudo do e hasim të përshkruar me keqardhje e me nota pesimizmi. Pohimi i Rancier-it se lufta që bëhet mes të pasurve dhe të varfërve është vetë lufta për të mundësuar ekzistencën e politikës, në aktualitetin shqiptar gjen zbatimin më praktik tek protesta e opozitës së sotme, tek çadra në të cilën është mbledhur pjesa e papjesë, pala e të varfërve për të mbajtur në jetë frymën e politikës në Shqipëri. Dhe ky fakt është i tillë sepse tek protesta konstatohet përballëvenia e vetme midis të pasurve dhe të varfërve, është i vetmi vend në të cilin instrumentalizohet termi “popull”, kështu rezulton se të gjitha terrenet e tjera të luftës mes të pasurve dhe të varfërve janë të neutralizuara dhe e kanë shmangur grindjen që gjeneron politikë.

Ashtu si edhe në demokracinë antike greke në të cilën demosit iu përcaktua si pjesë posedimi i lirisë për t’i futur ata në luftë dhe kështu të mundësohej jeta politike, ngjashëm rrjedhin përcaktimet e cilësimeve të popullit në të gjithë historitë politike. Liria dhe barazia janë mitet më indoktrinuese në thurjen e një vetëdije të përhumbur e cila është përqark e mbuluar nga këto mite të cilat i stagnojnë mekanizmat logjikë dhe e orientojnë të përcaktohet në antagonizmin e politikës.

Arritja në stadin e politikës e cila ruan diferencimin midis të pasurve dhe të varfërve dhe ngurtëson idetë mitike tek popujt e nënshtruar është e mundshme vetëm nën diktatin e një shteti policor. “Politika ndesh kudo policinë”.[5] Kësisoj rendi politik përdor policinë në synimet e ushtrimit dhe hegjemonizimit të pushtetit. Në rastin shqiptar sistemi policor nuk zotëron standarde të larta profesionale dhe as nivel të tillë. Ai nuk njihet për rol të rëndësishëm në realizimin e funksioneve të tij, porse ky sistem paraqitet mjaft ekzakt dhe efiçent në ushtrimin e pushtetit kundrejt zhvillimeve dhe orientimeve politike. Vështruar nën hijen e përkufizimit të Rancier-it policia shqiptare gjendet e gatshme dhe ndërvepron në secilin aktivitet të agjendës së të pasurve apo politikanëve si edhe në çdo situatë emergjente të kësaj pale , ndërsa e kundërta ndodh në raportimin e policisë me popullin, të varfrit, rrallë herë detyra e saj kryhet sipas rregullave kushtetues dhe më së shumti të tilla ndërveprime mbeten fiktive. Të gjithë politikanët në pushtet e vlerësojnë punën e policisë dhe i justifikojnë të metat e saj sado dëm-prurëse që të jenë. Në ligjërimin e ish-ministrit të brendshëm shqiptar Saimir Tahiri, në një fjalim pas shkarkimit nga detyra si ministër, ai e përshkruan policinë me këto fjalë: “Kjo është Policia që duam, e siç kemi bërë Policinë do bëjmë gjithë Shqipërinë. Me sa pasion e forcë kemi punuar për të bërë Policinë e Shtetit, kemi bërë dhe për ekonominë e punësimin, e shumë më shumë do bëjmë akoma në vazhdim”.[6]

Ndarja mes dy palëve tek ligjërimi politik shqiptar tashmë është kthyer në një ide të përvetësuar qartë të cilën të gjithë ligjëruesit politikë e përdorin si një prej premisave më të rëndësishme të ndërtimit të fjalimeve nëpërmjet të cilëve arrijnë në përcaktim të gjendjes shoqërore e politike nën hijen e boshteve ideologjikë dhe rrjedhimisht sipas kësaj ideje formulojnë edhe gjykimet e analizat mbi raportet e vetes e tjetrit. Nëse humbet krejtësisht ky tipar i ligjërimit shqiptar përfundojmë në një gjendje apolitike në të cilën natyra e qeverisjes i përgjigjet mungesës së sistemit, anarkisë së plotë./ pb

______________________________________________________________________________________________________

[1]Jacques Ranciere, Mosmarrëveshja politikë dhe filozofi, Zenit 2012, fq. 33.

[2] Po aty, fq. 36.

[3] Fjalim i Edvin Ramës në Shkodër në kuadër të fushatës elektorale të zgjedhjeve të vitit 2013.

[4] Ranciere, Mosmarrëveshja, vep. e cit., fq. 37

[5] Po aty, fq. 55

[6] Fjalim i Saimir Tahirit, 14 shkurt 2017.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne