Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) deklaroi se armatimi i organizatës separatiste terroriste PYD/YPG, fraksionit të PKK-së në Siri, nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është pjesë e një plani tinëzarë kundër Turqisë.

Presidenti i Turqisë dhe njëkohësisht kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, Rexhep Tajip Erdoan mbajti një fjalim në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë.

Kreu i shtetit turk gjatë fjalimit të tij sërish solli në rend të ditës armatimin që ShBA-ja i dërgon PYD/YPG-së dhe bëri të ditur se këto armë u sollën në rajon që të përdoren kundër Iranit, Turqisë ose Rusisë, ndërsa shtoi se kurrë nuk do të lejojnë formimin e një shteti terroristë në veri të Sirisë.

Ai preku edhe në udhëheqjen me dy krerë dhe deklarata kontradiktore të bëra nga ShBA-ja, ndërsa vijoi duke thënë se “Kontakti ynë është udhëheqja e zgjedhur, ashtu edhe do të mbetet”.

Duke aluduar në evakuimin e terroristëve të DAESH-it nga Rakka në saje të marrëveshjes së bërë me ShBA-PYD-në Erdoan tha se ShBA-ja këta terroristë do ti përdorë në shkretëtirën e Saharës në Egjipt.

Gjatë fjalimit të tij Presidenti vuri theksin edhe në kurthet e ngritura kundër Turqisë duke e bërë të ditur se gjykimi i biznesmenit me origjinë iraniane, Reza Zarrab, në ShBA bëhet me qëllim të mbajtjes larg të Turqisë, Iranit dhe Rusisë nga lojërat e pista që luhen në Siri dhe Irak për formimin e korridorit të terrorit.

Ai gjithashtu tha se edhe organizata terroriste gyleniste FETO mbrohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“I drejtohem ShBA-së. A ende nuk e kuptuan tentativën e grusht shtetit të ndërmarr më 15 korrik nga ana e FETO-s? Çfarë mundoheni të fshihni kur të gjithë kriminelët me në krye FETO-n dënohen me burgim të përjetshëm, kur dosjet ju dërgohen edhe juve, madje kur një pjesë e madhe e tyre janë arratisur në ShBA? Aktualisht duhet të shohim lidhjen e gjykimit të Reza Zarrabit me këta. Askush nuk ka të drejtë që një vend siç është Turqia ta bëjnë pjesë të tensionimit politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Erdoan.

32