Presidenti i ri kubanez Diaz-Canel: “Revolucioni vazhdon, këtu nuk ka vend kapitalizmi”

Zgjedhja e Miguel Diaz-Canel si president i ri i Kubës, votuar më 19 prill 2018, shënoi një pikë kthese historike për ishullin e Karaibeve.

Për herë të parë që nga viti 1959, qeveria nuk mbështetet më në një anëtar të familjes Castro.

Diaz-Canel është udhëheqësi i parë kuban që ka lindur pas Revolucionit dhe që nuk ka luftuar kundër tij.

Pesëdhjetë e shtatë vjeç, një i diplomuar në inxhinieri elektronike, një profesor universiteti, konsiderohet si një reformator dhe një përkrahës i një hapje më të madhe të ishullit.

Megjithatë, shumë analistë, besojnë se “castrizmi” nuk do të përfundojë. Fjalimi i presidentit, duket se mbështet këtë tezë.

Mandati i dhënë nga populli është t’i japë vazhdimësi revolucionit kuban në një moment historik vendimtar”, -tha Diaz-Canel, duke shtuar se nuk ka “hapësirë ​​në Kubë për ata që luftojnë për restaurimin e kapitalizmit”.

Presidenti i ri tha se politika e jashtme e ishullit do të mbetet “e pandryshuar” dhe se çdo “ndryshim i domosdoshëm” do të vendoset nga populli kubanez.

Pjesa më e madhe e fjalimit të tij, i ishte kushtuar paraardhësit të tij, 86-vjeçarit Raul Castro, i cili ka qenë në detyrë që nga viti 2008, kur gjendja shëndetësore e vëllait të tij Fidel u përkeqësua dhe ai vdiq në 2016.

Kuba ka nevojë për ju”,- tha Diaz-Canel për Raul, duke i shtyrë mbi 600 anëtarët e Asamblesë Kombëtare, parlamentin kuban, që të ngriheshin dhe të duartrokisnin me ovacione të qëndrueshme për udhëheqësin e mëparshëm.

Çdo ndryshim që lideri i ri i Kubës do të sjellë ndoshta do të jetë gradual, i ngadalshëm dhe në përputhje me reformat që Raul Castro prezantoi gjatë mandatit të tij, duke përfshirë disa lëshime për ndërmarrjet private dhe hapjen e tregut të pasurive të paluajtshme.

Diaz-Canel vlerësoi përpjekjet e Raul Castros për të shkrirë akujt dhe për të ardhur drejt ndërtimit të marrëdhënieve me SHBA-të, të cilat ishin të suksesshme veçanërisht nën administrimin e presidentit Barack Obama.

Presidenti i ri theksoi se nuk do të ketë kompromis në politikën e jashtme të Kubës, por, në përputhje me atë që paraardhësi i tij ka mbajtur gjithmonë, ai tha se ishte i gatshëm të fliste me këdo që dëshiron të merret me Kubën në të njëjtin nivel.

Sesioni i Asamblesë Kombëtare që çoi në zgjedhjen e Diaz-Canel u mbajt me rastin e 57-vjetorit të pushtimit të Gjirit të Derrave, përpjekja e dështuar për të përmbysur regjimin e Fidel Castros, i vendosur në mes të 17 dhe 19 prillit të 1961 nga një grup i mërgimtarëve dhe mercenarëve kubanë, të trajnuar nga CIA, të cilët planifikonin të pushtonin Kubën.

Një fitore që Havana feston si një simbol i rezistencës së saj ndaj presionit “imperialist” nga Uashingtoni.

Në vitin 2014, Castro dhe ish-Presidenti Obama arritën një marrëveshje themelore për të përmirësuar marrëdhëniet midis dy vendeve: një detantë që çoi në një rritje të shpejtë të vizitave dhe investimeve të SHBA-së në ishull.

Procesi i detantës u prish me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump, i cili ndërpreu biznesin me disa kompani shtetërore kubane, ndërsa vendosi rregulla të rrepta për të vizituar SHBA-në.

Që kur presidenti Trump mori detyrën, ka pasur një ndryshim të qëllimshëm të marrëdhënieve midis Kubës dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa mbizotëron një gjendje agresive dhe kërcënuese”, – u shpreh Raul Castro në fjalimin e tij.

Castro do të mbajë kreun e Partisë Komuniste deri në Kongresin e ardhshëm në vitin 2021.

Diaz-Canel, lavdëroi reformat e tij, ndërsa u shpreh se Raul do të mbetet udhëheqësi i revolucionit, si dhe do të marrë pjesë në vendimarrjet e rëndësishme.

Presidenti i ri, e mbylli fjalimin si Fidel Castro -me grushtin e mbledhur, shoqëruar me sloganin revolucionar: “atdhe ose vdekje, socializëm ose vdekje, ne do të fitojmë”.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne