Presidenti Meta i qetë dhe buzagaz feston bashkë me “juntën” ushtarake

Thuajse dhjetë ditë pas deklaratave të papritura për instalimin e një junte ushtarake në vend, me një vetëflijim të mundshëm për të mirën e vendit, presidentit Ilir Meta duket se i ka dalë frika.

Ditën e sotme, me rastin e ceremonisë së 10-vjetorit të hyrjes së Shqipërisë në NATO, kreu i shtetit është shfaqur krenar, i qetë dhe buzagaz.

Pak ditë më parë ai ndihej i pasigurt, teksa ka shtangur opinion publik me një deklaratë që kishte lidhje me situatën e acaruar politike në vend: “Edhe pse nuk kam asnjë përgjegjësi për këtë situatë që është krijuar edhe pse kam bërë çdo përpjekje prej gati dy vitesh në këtë detyrë, për të parandaluar një situatë dhe një krizë të tillë, përsëri jam i gatshëm unë i pari të sakrifikoj në emër të një zgjidhjeje politike që rivendos normalitetin kushtetues, institucional, politik, demokratik në vend dhe që garanton ecjen e shpejtë drejt çeljes së negociatave në BE, jam i gatshëm për të dyja ekstremet. Që nga dorëzimi i mandatit tim si President pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Alende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”.

Një ndryshim 360 gradë në krahasim me 10 ditë më parë. Po, sepse rreth tij, në pamje të parë nuk shfaqej frikë, madje gjatë ceremonisë ka ecur dhe mbajtur fjalim me “qetësi dhe dashuri”, shprehja e famshme e kthyer në modë nga të gjithë politikanët dhe jo vetëm.

Në ceremoni, përveç tij, ishte dhe kryeministri Edi Rama, të cilët falë kësaj feste të aleancës, kanë lënë mënjanë konfliktet e brendshme politike dhe kanë shtrënguar duart.

A ishte me vend ndërhyrja e Presidentit me deklaratën për instalimin e një junte ushtarake, ndërkohë që Shqipëria është vend aleat i NATO-s dhe pikërisht sot festoi 10-vjetorin e hyrjes në aleancë?

Prania e tij në ceremoni tregon të kundërtën, sepse një kryetar shteti nuk do të zbriste në shesh së bashku me forcat e armatosura nëse do të ndiente se demokracia është në rrezik…

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne